200 raste në ditë! Alkool e drogë në timon, të rinjtë ‘mbushin’ Traumën, mjeku: S’ka kthim pas në jetën normale

11 Qershor, 13:27| Përditesimi: 11 Qershor, 15:52

  • Share

Muajt e fundit spitali i Traumës në kryeqytet, po përballet me një shtim të konsiderueshëm të qytetarëve që kërkojnë ndihmë. Nga 150 raste në 24 orë, aktualisht në spital paraqiten mbi 200 pacientë me trauma e kjo shifër pritet që të rritet me shtimin e lëvizjes gjatë sezonit veror, tha shefi i urgjencës në këtë spital, Gjovalin Bushi.

“Të paktën 3-4 muajt e fundit ka një shtim të konsiderueshëm të traumave. Nëse bëhet fjalë që vjet vinin rreth 150, sot vijnë tek 200 trauma. Kjo është jashtëzakonisht e lartë edhe për kushtet që kemi ne. Bëhet fjalë që me shtimin e trafikut do të shtohen jashtëzakonisht. Fakti është që vijnë edhe nga rrethet për mungesë të ortopedëve dhe vijnë tek ne. Kemi shtim të rastesh nga aksidentet, rënie nga lartësia. Vëmë re që është shtuar numri i pensionistëve. Pa një shkak të dukshëm, por edhe për shkak të moshës”, tha Bushi. 

Traumat më të mëdha me të cilat pacientët paraqiten në spital janë të shkaktuara nga aksidentet rrugore, rënie nga lartësitë e moshat më të prekura kryesojnë të rinjtë.

“Shifrën më të mëdha e zënë traumat lokomotor, trauma e ekstremiteteve, trauma neurokirugjikale (trauma të kokës) edhe trauma të trurit. Duhet një mobilizim i jashtëzakonshëm me këtë sasi traumash që vijnë këtu. U bë një muaj që kemi shtuar numrin e mjekëve gjë që nuk ka qenë. Kemi mjekë roje për të gjitha llojet e specialiteteve që ka spitali. Me ardhjen e mjekëve të rinj ka një avantazh që nuk lejohet të pritet shumë kohë. Meqë është verë do të shtohen edhe numër turistësh, njerëz që shkojnë për pushime. Kryesojnë aksidentet. Ka dhe rrëzim nga lartësitë”, tregoi shefi i urgjencës. 

Shefi i urgjencës bën thirrje për kujdes të shtuar dhe respektim të rregullave të qarkullimit pasi shpesh herë nga plagët e mëdha nuk ka kthim pas në jetën normale.

“Grup mosha më e shpesh janë të rinjtë, si rezultat i shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Ka shumë që vijnë të dëmtuar nga mungesa e vendosjes së rripit. Nga alkooli, lëndët narkotike bëhen burim aksidenti”, përfundoi ai.

Prej më shumë se një muaji spitali i Traumës apo siç njihet ndryshe Ushtaraku, ka pasur shtim të stafit mjekësor dhe për të gjitha specialitetet ka mjek roje.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?