Dy persona në Gjirokastër që kalonin emigrantë drejt Greqisë në mënyrë të paligjshme, janë arrestuar nga uniformat blu drejt një aksioni policor të koduar “Delivery”.
Në pranga ranë Sofokleo Gogaj 43 vjeç nga Gjirokastra dhe Ermir Merdanaj 42 vjeç nga Vlora.
Sipas policisë, dy të arrestuarit ndihmonin emigrantë nga vendet e treta për të kaluar ilegalisht kufirin drejt Greqisë nëpërmjet kufirit të Kakavijës.
Kjo veprimtari kriminale kryhej kundrejt pagesës prej 1000-2000 euro për person.
Njoftimi i Policisë Gjirokastër:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Delivery”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitim, të emigrantëve nga vendet e treta.
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Gjirokastër nën drejtimin e Prokurorisë Gjirokastër në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, pas një hetimi disa mujor të ndjekur me metoda speciale të hetimit vë në pranga 2 shtetas të implikuar në transportimin e kundërligjshëm të emigrantëve.
2 të arrestuarit e kryenin transportin nga Shqipëria në drejtim të Greqisë, kundrejt 1000-2000 euro/person, nëpërmjet PKK Kakavije.
Sekuestrohen 2 automjete, 2 celularë dhe një shumë eurosh.
Në kuadër të një procedimi penal të ndjekur nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë Gjirokastër, për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të 2 shtetasve të përfshirë në dhënien ndihmë emigrantëve që synojnë të kalojnë ilegalisht, kufijtë, drejt shteteve të BE-së, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë operacionit “Delivery", arrestuan në flagrancë shtetasit:
-E. M., 42 vjeç, banues në Vlorë;
-S. G., 43 vjeç, banues në Gjirokastër.
Nga hetimet rezultoi se 2 shtetasit e kryenin këtë veprimtari kriminale, nëpërmjet PKK Kakavije, kundrejt pagesave 1000-2000 euro/person.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme.
Komente
