2019 viti i SPAK-ut/ Ja si bëheni pjesë e Byrosë së Hetimit, kushtet dhe testi

5 Janar 2019, 07:24| Përditesimi: 5 Janar 2019, 07:25

  • Share

Çdo shtetas shqiptar, i cili ka arsim të lartë policor, arsim të lartë në drejtësi, në kontabilitet apo në një fushë tjetër, që ka të bëjë me investigimin, mund të jetë kandidat potencial për t’u bërë hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kriteri i dytë parashikon që kandidati që plotëson kushtin e parë duhet të ketë përvojë më shumë se një vit pune në institucionet e zbatimit të ligjit ose në një fushë tjetër që lidhet me qëllimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Më pas kandidatët do i nënshtrohen një testimi i ndarë në 7 faza. Kush kalon me sukses të gjitha fazat, do t’i nënshtrohet një trajnimi shumë serioz. Byroja Kombëtare e Hetimit konsiderohet një nga strukturat më të rëndësishme, speciale dhe vendimtare të drejtësisë së re në Shqipëri, e projektuar nga ndërkombëtarët për goditjen krimit dhe korrupsionit në të gjitha nivelet, por sidomos për hetime në nivele të larta. Ndaj procesi i rekrutimit të hetuesve nuk do t’u besohet plotësisht shqiptarëve. Një komision i përbërë nga ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga misionet e BE dhe SHBA në Shqipëri, do të japë udhëzime dhe këshilla për themelimin dhe zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për një periudhë 2-vjeçare. Komisioni do të vëzhgojë sidomos procesin e rekrutimit dhe trajnimit të punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe do të miratojë materialet e trajnimit të hetuesve.

7 fazat e testimit
Personat që plotësojnë kushtet e lartpërmendur, pra që fitojnë statusin e kandidatit, duhet të kalojnë një test, përmes 7 fazave. Së pari kandidati për hetues duhet të plotësojë aplikimin online, duke përfshirë një curriculum vitae elektronike dhe dokumentet mbështetëse, si dhe një deklaratë me shkrim mbi motivimin për t’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Së dyti, duhet t’i nënshtrohet një provim me shkrim e me gojë, ku përfshihen teste konjitive, të sjelljes dhe të arsyetimit logjik. Së treti, duhet t’i nënshtrohet një provim të zgjeruar me shkrim që mat aftësitë e shkrimit të raporteve, si dhe nivelin e shkrimit e leximit. Gjithashtu, kandidati do të japë një intervistë nga një komision që mat aftësitë e komunikimit verbal. Kandidati për hetues duhet t’i nënshtrohet edhe një testimi të aftësive fizike që mat forcën dhe rezistencën fizike. Për kandidatin do të ketë edhe një hetim mbi verifikimin e figurës. Kandidati për hetues duhet të japë edhe pëlqimin për t’iu nënshtruar testit të poligrafit rreth integritetit të kandidatit. Informacioni në raportin e përgatitur nga specialisti i poligrafit merret në konsideratë gjatë procesit të emërimit dhe atij të riemërimit. Kandidati i pranuar i nënshtrohet një regjimi rigoroz trajnimi dhe arsimimi, me një sërë modulesh vlerësimi që duhen kaluar përpara se të certifikohet. Pasi është certifikuar si i trajnuar dhe i aftë, kandidati konsiderohet hetues.

Emërimi dhe shkarkimi
Emërimi përfundimtar i hetuesit në Byronë Kombëtare të Hetimit bëhet nga drejtori i Byrosë së Hetimit, me pëlqimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Hetuesi caktohet nga Drejtori i Byronë Kombëtare të Hetimit ose Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme që të punojë me një prokuror të Prokurorisë së Posaçme. Gjithashtu, hetuesi shkarkohet nga drejtori, me pëlqimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, për disa arsye dhe rrethana të parashikuara në ligjin për SPAK-un.

Ngritja e Byrosë
Ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale (SPAK-u), superstrukturë kjo e projektuar për të goditur krimin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet, por sidomos për të hetuar çdo akuzë penale ndaj politikanëve që nga viti 1991, duket se do të jetë zhvillimi më i rëndësishëm për vitin 2019. Formimi i SPAK-ut ishte i kushtëzuar me ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Me konstituimin e këtyre dy organeve gjatë muajit dhjetor, ngritja e strukturave të SPAK-ut parashikohet të finalizohet në pranverë të 2019. Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata Speciale do të zëvendësojnë Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Gjykatën për Krimet e Rënda në të dy shkallët.

Byroja dhe kompetencat
Byroja Kombëtare e Hetimit është strukturë e specializuar e Policisë Gjyqësore, e cila do të hetojë nën juridiksionin dhe për llogari të Prokurorisë së Posaçme. Byroja bën hetimin dhe përgatit dosjet e Prokurorinë e Posaçme. Kjo e fundit ia referon dosjet Gjykatës Speciale. Natyra e kompetencave të Byrosë së Hetimit është e tillë: Së pari në kompetencë të të Byrosë së Hetimit do të jenë rreth 40 vepra penale. Në kompetencë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale është edhe çdo akuzë penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, ministrave, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, anëtarëve të Gjykatës së Lartë, prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, deputetëve, kryetarëve të bashkive, zëvendësministrave, anëtarëve të KLP dhe KLGJ, drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër të gjithë ish-funksionarëve të sipërpërmendur. Pra të gjithë zyrtarët dhe ish-zyrtarët e lartpërmendur, të dyshuar për çdo vepër penale, do të hetohet nga Byroja e Hetimit.

Kushtet për t’u bërë kandidat

  1. Është shtetas shqiptar.
  2. Ka arsim të lartë policor, në drejtësi apo kontabilitet, ose arsim të lartë në degë të tjera që kanë lidhje me misionin e Byrosë së Hetimit.
  3. Ka një përvojë më shumë se 1-vjeçare pune në institucionet e zbatimit të ligjit ose në një fushë tjetër që lidhet me qëllimin e Byrosë.

Testi me 7 faza për t’u bërë hetues

  1. Plotësimi i një aplikimi online, përfshirë një curriculum vitae elektronike dhe dokumentet mbështetëse, si dhe një deklaratë me shkrim mbi motivimin për t’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit;
  2. Një provim me shkrim e me gojë, ku përfshihen teste konjitive, të sjelljes dhe të arsyetimit logjik;
  3. Një provim të zgjeruar me shkrim që mat aftësitë e shkrimit të raporteve, si dhe nivelin e shkrimit e leximit;
  4. Një intervistë nga një komision që mat aftësitë e komunikimit verbal, si dhe aftësinë për t’i komunikuar idetë me efiçencë;
  5. Një testim të aftësive fizike që mat forcën dhe rezistencën fizike;
  6. Një hetim mbi verifikimin e figurës, i cili konfirmon se personi nuk është dënuar e nuk është shpallur më parë fajtor për vepra penale; dhe
  7. Të ketë dhënë pëlqimin për t’iu nënshtruar testit të poligrafit rreth integritetit të kandidatit. Informacioni në raportin e përgatitur nga specialisti i poligrafit merret në konsideratë gjatë procesit të emërimit dhe atij të riemërimit.

Komento

Komente

  • Olti: 29/09/2019 19:52

    Ka ndonje adrese ku behet aplikim online?dhe perveq aplikimit online ç’far dokumentacioni tjeter duhet? Faleminderit

    Përgjigju
  • ola: 28/09/2019 15:40

    ku mund ta gjej formularin e aplikimit ? kur fillon rregjistrimi dhe ku duhet ta dorezoj keni info??

    Përgjigju
  • Eni: 05/01/2019 14:14

    Shume e veshtire te gjesh shqiptare te kaloje testin e poligrafit. Edhe nese e kalojne mund te numerohen me gishta, nderkohe qe duhen shume oficere per kete SPAK-un. Te gjjthe pa perjashtim, kush me shume e kush me pak e kane futur gishtin te qypi i mjaltit. Kjo arsye, ka per te sjelle shtyrjen per nje kohe te gjate te krijimit te kesaj strukture.

    Përgjigju
  • Pafillja: 05/01/2019 12:57

    Mire e ke ti po po nuk e dorzoi deputeti mandatin vete si do e arrestosh? Keta qen nuk e japin njeri tjetrin.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?