Rama, Berisha, Basha, Meta dhe Kryemadhi

2021, të gjithë të kënaqur!

2 Janar 2022, 13:34| Përditesimi: 2 Janar 2022, 13:57

  • Share

Viti që sapo lamë pas do të mbahet viti i shumë ngjarjeve politike por që në fund, rezultoi me asgjë të re! Para zgjedhjeve isha nga ata persona që agresivitetin e fortë sidomos të Presidentit Ilir Meta, të Monika Kryemadhit apo kryedemokratit Lulzim Basha, apo skemat e përdorura nga Kryeministri Edi Rama, i arsyetoja me pensionin e parakohshëm të njërit prej figurave historike politike në Shqipëri pas zgjedhjeve.

Si njësi matjeje, mora aksiomat e demokracive perëndimore, lideri politik që humbet zgjedhjet largohet nga drejtimi i një partie. E thjeshtë apo jo?! Por unë gabova! Shqipëria e sidomos politika vijon të mbetet vite e vite larg perëndimit! Përdorimi i leksikut me terma perëndimor nga politikanët tanë është thjesht për konsum të përditshëm.

Partia Demokratike humbi zgjedhjet, por në vend të një procesi të thellë reformimi dhe dorëheqjesh situata paraqitet e paimagjinueshme. Asnjë i shkarkuar, asnjë përgjegjës për humbjen, të paktën zyrtarisht! Madje shumë nga ata që fituan falë logos të partisë, bërtasin se kanë korrur fitore si ajo e Davidid përballe Golias! Sali Berisha, figura historike e demokratëve por me shumë dritë hije për qytetarët e tjerë do të rikthehet në krye të partisë. Lëvizje që filloj pas shpalljes ‘non grata’ nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ajo që e bën më groteske situatën në Partinë e Lulzim Bashës, është mungesa aq e madhe e shpresës sa ai mund t’ia dalë! E kush mund ta imagjinonte në Mars të 2021!

Lëvizja Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi deklaronte në dëlirin elektoral gjatë fushatës fitoren e 35 deputetëve! Në të kundërt do të ikte nga partia. Çfarë ndodhi? Zero përgjegjësi publike, zero analiza, vetëm një deklaratë se ish kryetari Ilir Meta kërkon me padurimin të rikthehet!

Të dyja këto forca politike, pavarësisht qëndrimeve publike në realitet janë shumë komode në opozitë!

Për çudi, edhe pse zgjedhjet i fitoj më e pakënaqura nga zgjedhjet duket Partia Socialiste! Paradoksale ose jo, kryeministri Edi Rama dhe kreu i PS, shkriu degën e kësaj partie në Shkodër, ndërsa me ngulm kërkon figura të reja për partinë! Rama madje kërkon dhe falje para qytetarëve, që shumë e interpretojnë si teatër! I tillë është por i luajtur mirë! Ndërsa gjumi letargjik i socialisteve në qeverisje prishet nga ndonjë deklaratë e papritur e Erjon Braçes!

Partitë e tjera të vogla janë pothuajse inekzistente, PDIU qetësi, zero reagime. PBDNJ gjithashtu, LZHK njëjtë, PAA etj me radhë, në flirt konstant me qeverinë.

Qartazi politika shqiptare është e kënaqur, të gjithë të lumtur e të gëzuar!

E pse të mos jenë, personalisht si deputetët e opozitës si të mazhorancës janë të plotësuar! Ky ka qenë dhe është postulati i politikës shqiptare tash e 30 vite, rroftë demokracia!

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?