Ulen normat maksimale të interesit të kredisë konsumatore për jo-bankat

11 Janar, 16:18| Përditesimi: 11 Janar, 22:02

  • Share

Të gjithë qytetarët që do t’i drejtohen institucioneve jo-banka për të marrë kredi konsumatore deri në qershor 2024, do të përballen me norma më të ulëta interesi se deri tani.

Banka e Shqipërisë miratoi normat maksimale e interesit për kreditë konsumatore në lekë, që për shumat deri në 200 mijë lekë do të jetë 100%, nga 118.96% që ishte në 2023.

Pra një qytetarë që do të marrë 200 mijë lekë kredi, do të duhet të kthejnë maksimalisht 400 mijë lekë së bashku me këstet. Ndërsa për të njëjtën vlerë kredie, vjet maksimumi duhet të kthente 437 mijë lekë.

Ndërsa interesi maksimal që mund të aplikojnë shoqëritë e mikrofinancës për kreditë nga 200 deri në 600 mijë lekë është 40.6% nga 47.07% që ishte deri në fund të 2023-shit. Në rënie janë edhe interesat për shumat nga mbi 600 mijë lekë deri në 2 milionë lekë interesat do të jenë 15.6%. Kurse ata qytetarë që do të marrin 200 mijë lekë kredi në euro do të kenë interes maksimal deri në 17.8%.

Norma maksimale vendoset duke marrë mesataren e normave të aplikuara në 6 mujorit të fundit  për kreditë konsumatore dhe rritet me 1/3 e saj.

SHEMBULL SI ËSHTË PËRCAKTUAR KY TAVAN?
Interesi mesatar në 6-mujorin e 2 të 2023              66.3%
Shtohet 1/3                                                                   33.3%
Norma maksimale e interesit                                       100%

Vendimi që Banka e Shqipërisë të përcaktojë normën maksimale të interesit u mor në vitin 2021 dhe hyri në fuqi në vitin 2022, pas abuzimeve që këto institucione jo-bankare bënin me interesat e kredive konsumatore që merrnin qytetarët, për shkak se e japin më shpejt huanë dhe nuk kërkojnë kolateral. Në këto tavane të caktuara nga Banka e Shqipërisë përfshijnë komisionet dhe kostot e kredisë së dhënë.

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?