Për vitin e ardhshëm planifikohet të shpërndahen nga buxheti i shtetit 441.3 miliardë lekë për institucionet publike, me rritje prej 26 miliardë lekësh krahasuar me vitin aktual.
Prioriteti i 2025-ës, duket se do jenë projektet infrastrukturore, detar e hekurudhor, kjo për shkak se rritjen më të madhe të fondeve planifikohet ta ketë Ministria e Infrastrukturës, me 11.2 miliardë lekë më shumë se këtë vit. Buxheti i këtij institucioni do të arrijë në 68.3 miliardë lekë, ku infrastruktura rrugore do të marrë 29 miliardë lekë dhe afro 19 miliardë lekë transporti detar, kjo për shkak investimit në portin e ri tregtar në Porto Romano.
Pas infrastrukturës, është arsimi pasi buxheti i kësaj ministrie do të rritet me 8.9 miliardë lekë, dhe do të shkojë në 61 miliardë lekë në total për vitin e ardhshëm, ku për arsimin parashkollor e të lartë do të shpenzohen më shumë para.
Edhe pse është ministria me portofolin më të madh në institucionet shqiptare, shëndetësia e mbrojtja sociale vitin tjetër do të marrin vetëm 3.6 miliardë lekë më shumë se këtë vit. Sipas të dhënave buxheti për këtë institucion vitin tjetër do të jetë 81.8 miliardë lekë, nga 78.3 miliardë lekë që është këtë vit.
Ministria e Mbrojtjes do të marrë 2.9 miliardë lekë më shumë në vitin 2025, dhe fokusi do të jetë tek rijetëzimi i reparteve ushtarake. Nga buxheti prej 51.3 miliardë lekësh që do të ketë në dispozicion ky institucion, 36.1 miliardë lekë do të shkojnë për forcat e luftimit dhe për mbështetjen e luftimit. Ky shtim fondesh vjen edhe në kushtet kur vendi po bëhet gati të nisë prodhimin e armëve. Rritje me 2.4 miliardë lekë të buxhetit do të ketë edhe Ministria e Brendshme, buxheti i së cilës në vitin e ardhshëm do të jetë 28.4 miliardë lekë.
E kundërta e asaj që pritet prej vitesh tashmë do të ndodhë me bujqësinë, pasi buxheti për këtë ministri do të rritet me vetëm 833 milionë lekë, dhe në total ky institucion do të ketë në dispozicion 15 miliardë lekë. Në fakt pritej rritje buxheti për këtë ministri pasi fondet që pati në dispozicion edhe këtë vit janë konsideruar të pamjaftueshme për mbështetjen e fermerëve.
Shifrat e reja të buxheteve janë bërë publike në vendimin e qeverisë për miratimin e tavaneve përfundimtare të shpenzimeve të programit buxhetor afatmesëm 2025–2027.