Kultura

2025-a viti i Maks Velos, aktivitete në të gjithë Shqipërinë! Marrëveshje mes institucioneve për të nderuar artistin dhe intelektualin

4 Shkurt, 14:38| Përditesimi: 4 Shkurt, 16:02

  • Share

Një figurë madhore e shoqërisë shqiptare, një intelektual, një artist shumëdimensional dhe një shpirt i lirë atëherë kur të ishe i lirë ishte thuajse e pamundur! Kështu është cilësuar Maks Velo në aktivitetin e mbajtur këtë të martë në Tiranë për nder të figurës së tij, ndërkohë që viti 2025 u shpall si “Viti Maks Velo”.

“Ky vit shënon 90-vjetorin e tij të lindjes dhe për të nderuar këtë figurë kemi vendosur ta shpallim vitin e Maks Velos. Ne çdo vit përpiqemi të kujtojmë dhe nderojmë figura që i kanë dhënë kulturës shqiptare. Mendoj që shoqëria shqiptare ka shumë nevoja për figura si Maks Velo, që flasin edhe me ikjen e tyre për vetë kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë. Ky është një mesazh se sa e rëndësishme është mos-harresa, por edhe se si mund ta përdorim veprën që ata kanë lënë në diskursin e sotëm publik.”, - tha Alda Bardhyli, drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje u vendos që gjatë vitit do të ketë një sërë aktivitetesh në të gjithë vendin, që do të sjellin në vëmendje kontributin e Maks Velos.

“Takoheshim shpesh dhe ishte një nga njerëzit që adhuroja për atë që përfaqësonte, por dhe për faktin që me gjithë atë të shkuar që kishte nuk mbetej peng i së shkuarës. Ishte një nga personazhet më aktivë në jetën qytetare shqiptare, i cili s’ndruhej asanjëherë të polemizonte, të thoshte atë që mendonte. Ishte një shpirt i lirë, nga të rrallët në shoqërinë tonë, njeri i talentuar. Ishte poliedrik, kishte shumë dimensione.”, - u shpreh drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha.

Një nga dimensionet më të  rëndësishme të Velos lidhet sigurisht me disidencën e tij dhe përballjen me sistemin komunist.

“Ka qenë ndër të parët që ka patur kurajo dhe e botoi dosjen. E botoi ashtu siç ishte. La një institucion akademik që ta trajtonte dhe e ka botuar të pastër. I ka bërë një shërbim të madh shoqërisë, se tregoi jo vetëm se si Sigurimi i Shtetit, por edhe institucionet e kulturës dhe artit janë deformuar, janë përthyer nën peshën e një pushteti shumë të madh arbitrar dhe janë detyruar të futeshin në atë qoshkën e vogël edhe njerëz me vlera shumë të mëdha artistike.”,- nënvizoi kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula.

Për të pranishmit u shfaq edhe një video-instalacion me në qendër Maks Veleon realizuar nga Ardian Isufi në të gjallë të artistit dhe që rrëfen e është një reflektim për lidhjen midis artit, kohës, historisë dhe politikës.

 

B.G/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Informaliteti e nëndeklarimi pagave po dëmtojnë pensionet, sa po luftohen?