Shqiptarja Xheni Baja

Kosova & Rajoni

20-vjeçarja shqiptare që jeton në Santorini: Ja pse nuk largohem nga ishulli, jam mësuar me tërmete

5 Shkurt, 07:25| Përditesimi: 5 Shkurt, 08:08

  • Share

Xheni Baja është një 20-vjeçare shqiptare e cila jeton prej vitesh dhe punon si recepsioniste në një hotel në ishullin grek të Santorinit, i cili javën e fundit është goditur nga qindra tërmete që kanë shkaktuar frikë te banorët dhe shqetësim te ekspertët.

Në një intervistë për Protothema.gr e reja shqiptare thotë se ka zgjedhur që të qëndroje në ishull dhe të mos largohet nga atje, siç po bën një pjesë e konsiderueshme e popullatës së Santorinit.

“Unë mund të shkoja në Athinë ose në Shqipëri, por nuk e zgjodha këtë opsion. Unë vendosa të qëndroja këtu. Në fillim situata nuk ishte aq shqetësuese, as që më shkoi në mendje të largohesha. Por tani, gjërat po bëhen të vështira, në mendje më kalojnë shumë gjëra. Si banore e ishullit jam mësuar me tërmetet, por jo me këtë frekuencë”, thekson ajo.

Të afërmit e Xhenit janë larguar nga ishulli, por për momentin ajo nuk mendon t’i ndjekë. Për të, jeta në Santorini vazhdon, edhe nëse toka dridhet çdo orë.

Mijëra banorë po largohen nga ishulli grek i Santorinit mes një vale aktiviteti të lartë sizmik. Rreth 6,000 qytetarë janë larguar nga ishulli me traget që nga e diela, sipas mediave lokale.

Më shumë se 300 tërmete janë regjistruar në 48 orët e fundit pranë ishullit. Disa ekspertë thonë se lëkundjet e tërmetit mund të vazhdojnë për javë të tëra, shkruan BBC.

Autoritetet kanë mbyllur shkollat për të gjithë javën dhe kanë paralajmëruar shmangien e grumbullimeve të mëdha në ambiente të mbyllura, ndërkohë që kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka kërkuar nga qytetarët të ruajnë qetësinë.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni gjendjen e sigurisë në vend?