21 artistë të Cirkut, pa godinë a çadër, performojnë në rrethe pa dieta! Për katër net në sheshin ‘Skëndërbej’: Duartrokitjet na motivojnë

30 Dhjetor 2022, 16:34| Përditesimi: 30 Dhjetor 2022, 18:01

  • Share

Numra xhonglërimi, akrobaci, performanca ekuilibri e klounada, për katër net me radhë në sheshin “Skënderbej”, artistët e Cirkut Kombëtar performuan në skenën e improvizuar, duke rrëmbyer vëmendjen e fëmijëve e të rriturve.

“Është pritur mjaft mirë ashtu si në çdo qytet dhe në çdo vend që cirku performon me artistët e tij”, u shpreh Julian Kazazi.

Pa dieta e përkrahje, ishin këto shfaqjet që ulën siparin, për mbi 50 aktivitete që artistët e Cirkut, mbajtën në 6 mujorin e fundit, me vështirësinë e ambientimit të skenave lëvizëse në rrethe, ku siç rrëfejnë mund të shpalosin vetëm pjesërisht numrat e tyre.

“Ka qenë një vit plot sfida plot pengesa sepse tashmë dihet që ne jemi pa titullar, jemi në një organikë të vakët duke qenë se disa prej mjeshtreve janë larguar. Kemi një vit pa një çadër cirku ku ne të performonim aktivitetet tona. Kemi mundur me forcat tona si artistë të bëjmë disa bashkëpunime me disa bashki të rretheve, ku pjesa më e madhe e bashkive na kanë mirëpritur, që ne të shpalosim atë që dimë të bëjmë më mirë artin cirkut por edhe për të dhënë një mesazh që arti i cirikut vazhdon”, tha Kazazi.

Në mungesë të një godine prej afro një viti, numri i artistëve të Cirkut po tkurret, e përgatitja e brezit tjetër, bëhet e vështirë.

“Aktualisht janë rreth 21 artistë, por 7 prej tyre janë mjeshtër. Dhe normalisht artistët i mban vetëm pasioni, arti, mundi, përpjekja dhe përkushtimi që kanë pasur. Më i riu në Cirk ka mbi 10 vite që stërvitet dhe është profesionist i Cirkut. Ne na pëlqen arti i Cirkut, na pëlqen ta trashëgojmë dhe tek brezat e rinj dhe kjo e ka treguar më mirë, këto aktivitetet tona jo vetëm këtu në sheshin 'Skënderbej' po në çdo qytet që kemi shkuar”, shprehet Julian Kazazi.

As për çadër e as për një godinë, nuk kanë asnjë përgjigje zyrtare se çka do të ndodhë me ta në muajt që vijnë. Se ku mund të spostohet apo ndërtohet Cirku i Ri Kombëtar. Artistët kërkojnë vetëm një ambient për të performuar. Në palestrat e shkollave ku u duhet të mbajnë në jetë këtë art, mungojnë dhe kushtet minimale.

“I kërkojmë shtetit shqiptar, Ministrisë së Kulturës dhe të gjithë publikut, arti i cirkut është një art sakrifice, mundi e djerse. Një institucion që ka 63 vite që ekziston. Nuk është e lehtë që ne të endemi në disa palestra, minimumi pa tualente dhe po vjen 2023 dhe ne s’kemi kushtet minimale të punës.

Si institucion kombëtar ne jemi të gatshëm për të lëvizur, qoftë edhe me turne, ne jemi gati ta bëjmë këtë sakrificë vetëm që si e si cirku të qëndrojë në këmbë”, vijon ai.

Mes vështirësive, ajo çka i bën të vijojnë e të performojnë është pasioni, por edhe mirënjohja e publikut.

“Gjëja që ne na kanë bërë ta duam këtë lloj arti janë duartrokitjet e publikut. Dhe gjatë këtyre muajve duke lëvizur nëpër qytete ne pamë që cirku kishte munguar prej vitesh”, përfundon Kazazi.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Cirkun dhe estaden e Tiranes i shkriu Sala: 30/12/2022 19:41

    Ky esht fakt

    Përgjigju
  • redi: 30/12/2022 18:36

    Kryebashkuaku Veliaj duhet te zgjidh kete problem pasi eshte i vetem Cirk kombetar qe ne kemi .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?