Gazetari Poli Hoxha duke komentuar vendimin e dhënë nga Gjykata e Lartë për 21 janarin që do të hetohet nga SPAK, tha se fillimisht duket të ketë një hetim të hetimit të bërë vite më parë që solli më pas dënimin qesharak të 2 gardistëve.
Në një lidhje skype për ‘Studio Live’ me gazetaren Alda Dodaj në Report Tv, gazetari tha se asokohe kur Berisha ishte kryeministër, qeveria pengoi hetimet e prokurorisë edhe kur kishte vullnet për zbardhjen e krimit shtetëror ku u vranë 4 protestues.
“SPAK duhet të fillojë një hetim për hetimin. Për mënyrën sesi u krye hetimi sepse është rasti sesi pushteti shkatërroi prova, nuk iu bind urdhrave të prokurorisë, nuk lejoi që protagonistët e ngjarjes të administroheshin sipas afateve ligjore.
Deri në 2013-ën, është penguar edhe kur prokuroria kishte vullnet. Ina Rama asokohe bëri gjithçka ishte e mundur por kur është pushteti që kontrollon gjithçka nuk mundet që një prokuror të shoqërojë gjithë zinxhirin komandues të Gardës.
Ne e mbajmë mend shumë mirë kur Berisha e mori përsipër në çdo kuptim atë ngjarje. Arriti deri aty ku doli të thoshte se nuk e dorëzoj gardën tek prokurorja e përgjithshme Ina Rama që e cilësoi si ‘lavire bulevardi’”- u shpreh Hoxha.
Lajmi kryesor:
'21 janari' në SPAK, Mark Nika për Report Tv: U hap dera e drejtësisë për Aleksin! U përdorën shtigje procedurale që të mos hetohej
B.V//ReportTv.al