21 vite pas luftës në Kosovë pa veten në foton e KFOR-it, i riu: Moment emocionues! Nuk kishim lodra, predhat i përdornim si portë kur luanim futboll (VIDEO)

17 Shkurt 2021, 19:41| Përditesimi: 17 Shkurt 2021, 20:37

  • Share

21 vite pas përfundimit të luftës në Kosovë, forcat paqeruajtëse atje, KFOR kanë publikuar foton e shkrepur në vitin 1999 të një djaloshi kosovar me një predhë në dorë. Shaban Xani, pas gjithë këtyre viteve, në një intervistë për Report Tv ka treguar emocionet që i ka ngjallur ajo foto.

Ai shprehet se fotoja është shkrepur shumë pranë banesës ku ishin vendosur ai dhe familja e tij dhe se disa ushtarë të KFOR e kanë ndihmuar të realizonte atë foto.

"Fotoja që u zbulua pas 21 vitesh, në fundin e muajit janar më ngjalli një emocion. Ishte një moment i papërshkrueshëm. Nuk mund ta mendoja se si u rikthye ajo foto. Fotoja e shkrepur nga ushtarët e KFOR-it. E kujtoj momentin kur është bërë foto. Ajo është bërë në muajin gusht të 1999 afër shtëpisë time në Skënderaj dhe gjithashtu e kujtoj se kam qenë me gjyshen. Po kaloja afër kësaj rruge dhe pashë predhat e gjuajtura dhe në atë moment afër nesh ishte dhe KFOR-i. Predha ishte e rëndë rreth 7 kg dhe 70 cm e gjatë. Me ndihmën e gjyshes unë e ngrita dhe më shkrepën një foto.  Mu afruan ushtarët më kapën nga faqja dhe më dhanë dorën. Ishte një moment shumë i mirë, ta kujtosh luftën pas 21 vitesh është një moment shumë i veçantë" - tha Xani.

Gjithashtu i riu kosovar tha se predha kishte mbishkrime në gjuhën ruse dhe se ato përdoreshin nga armata serbe gjatë sulmeve në vendin fqinj.

"Shtëpitë tona ishin të djegura. Ne dolëm nga fshati dhe po ecnim në rrugën ku u bë foto. Në këtë rrugë ishin shumë predha po njëra nga ato ka qenë ajo. Nga ato shkronja duket se është prodhim rus i prodhuar posaçërisht dhe i përdorur nga ushtria serbe. Ajo gjuhë njihet vetëm nga rusët dhe Serbisë. Pas luftës, kur bëmë foton e kuptuam se çfarë gjuhe ishte. Dihet që në momentin që është hedhur ajo predhë, duhet ditur që ajo mund të ketë liruar ndonjë helm pas hedhjes por fatmirësisht jemi mirë" - tha Xani.

Teksa ka treguar momenti kur gjeti atë predhë, Xani u shpreh se ato i përdornin si porta për të luajtur futboll. Kjo për shkak se në atë kohë nuk kanë pasur lodra.

"Unë isha 6 vjeç. Ajo është mosha më e lehtë kur mund të mbash mend. Fillimi i luftës ka qenë në mars, fillimi i ofensivës nga ushtria serbe. Ne u larguam nga shtëpitë tona dhe u zhvendosëm në fshatra ku mendonim se ishte më qetë. Pas 21 vitesh unë dua të kujtoj që kur ka ardhur puna të bëhej kjo foto, ne kemi parë vetëm armë, jo lodra. I kemi përdorur si shtylla futbolli se nuk kishim gjëra të tjera. Në këtë foto kam qenë i veshur trashë pasi të gjitha rrobat i kishim të djegura. Kërkesa ime e vetme tani është që të avancojmë sa më shumë shoqëria. Duhet të kemi anëtarësim sa më të shpejtë në BE. I bëj apel qeverisë tonë që t'i jepet shumë vëmendje rinisë" - tha Xani.

 

E.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?