22 vite nga Masakra e Reçakut, Liderët e Kosovës: Një ditë do të vihet drejtësia! Rama: Dëshmi e paharrueshme e pafajësisë së luftës së UÇK

15 Janar 2021, 10:29| Përditesimi: 15 Janar 2021, 15:29

  • Share

22 vite më parë është kryer një nga masakrat më të mëdha që ushtria serbe ka kryer ndaj popullsisë civile në Kosovë ku humbën jetën 45 shqiptarë të paarmatosur. Masakra e Reçakut u dëshmua nga misioni i OSBE-së në Kosovë dhe solli ndërhyrjen e NATO-s, në konfliktin që u merrte jetën shqiptarëve përditë.

Shefi i misionit të OSBE-së, William Walker kishte ngritur shqetësimin për krimet kundër njerëzimit që po kryheshin në Kosovë, gjë që solli ndërhyrjen e misionit ushtarak ndërkombëtar që solli më pas edhe tërheqjen e forcave serbe nga Kosova.

Në përkujtim të kësaj dite në varrezat e Reçakut kanë shprehur nderimet e tyre të gjithë liderët vendas.

Kreu i LVV-së, Albin Kurti ka bërë homazhe në Reçak së bashku me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmanin. Osmani ka bërë thirrje që bota t’i kthejë sytë nga Kosova duke thënë se ka dëshmi të gjalla të krimeve që janë bërë në vend.

“Kërkojmë që bota t’i kthen sytë nga këto dëshmi të qarta, Serbia ishte ajo që e udhëhoqi gjithë atë luftë, e për fat të keq duke mos kërkuar falje e duke mos lejuar drejtësinë për këto krime, dëshmon që ende po dominon kjo mendje gjenocidale”, ka thënë Osmani.

Ndërsa Kurti theksoi se ka ardhur koha që të ndëshkohen fajtorët.

 “Dimri i janarit 1999 ka qenë shumë më i ftohtë se ky që e kemi sivjet, kjo ngjarje e pat tmerruar gjithë Kosovën e popullin shqiptar po edhe i pat ndërgjegjësuar kancelaritë më të fuqishme botërore. Pas këtij akti gjenocidial nuk vonoi shumë dhe avionët e NATO-s filluan bombardimet”, ka thënë ai.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti në 22 vjetorin e masakrës në Reçak nga forcat serbe tha se asnjëherë nuk do të prehen në paqe viktimat derisa ata që i kanë kryer këto vepra të marrin dënimin e merituar.

 “Asnjëherë nuk do të prehen të qetë këta trupa derisa ata që kanë kryer këto vepra të marrin dënimin e merituar. Drejtësia nganjëherë vonon por jam i bindur se do të vendoset njëherë e përgjithmonë”, u shpreh kryeministri në detyrë.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj është takuar me familjarë të të masakruarve në Reçak,  dhe tha se të rënët në masakrën e Reçakut e të Prekazit qëndrojnë në themel të lirisë së Kosovës.

“E vërtetë që liria ka emër, e ka Prekazin e ka Reçakun, i ka varret dhe vuajtjen e dhimbjet e gjithë atyre që më të dashurit i kanë në themel të lirisë. Lavdi e përjetshme”, tha Haradinaj.

Më 15 Janar 1999, në Reçak u vranë e u masakruan 45 shqiptarë të paarmatosur.

Ora 16:33
Basha përkujton masakrën: Plaga do të mbetet derisa të ketë drejtësi për viktimat e genocidit në Reçak

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook ka përkujtuar masakrën e Reçakut.

“Plaga është ende e freskët, dhimbjet nuk janë fashitur e do të mbeten derisa të ketë drejtësi për viktimat e genocidit në Reçak dhe në të gjithë Kosovën. Drejtësi që historia të mos përsëritet, as harrohet e as tjetërsohet!”, shkruan Basha në postim.

Ora 15:19
Rama: Reçaku dëshmi e paharrueshme e pafajësisë së Luftës Çlirimtare të Kosovës

Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook ka përkujtuar masakrën e Reçakut, gjenocidit ndaj shqiptareve në Kosovë.

Ai shkuan se kjo ditë një dëshmi e paharrueshme e pafajësisë së Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe një amanet i pashlyeshëm jo vetëm për Kosovën e lirë demokratike, po edhe për ndërgjegjen e botës së qytetëruar.

 

Ora 14:41
Meta në ditën e përkujtimit të Gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës: Masakra që shokoi botën! Gjaku i heronjve të kombit kurrë nuk do të harrohet

Presidenti Ilir Meta, përmes një postim në rrjetin e tij social Facebook ka përkujtuar ditën e gjenocidit nga Shqiptarëve në Kosovë.

Ai shkruan se me dhimbje dhe respekt kujtojmë ditën e sotme 45 civilët e pafajshëm që humbën jetën në Masakrën e Reçakut si dhe të gjithë viktimat e paharruara të krimeve barbare të regjimit të Millosheviçit.

“Kjo masakër e kryer në zemër të Europës, që shokoi mbarë botën, mbetet një dëshmi e pakundërshtueshme e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë, që nuk duhet harruar dhe as mohuar, për të shmangur çdo rrezik për riciklimin e dhunës në rajonin tonë, që ende i ka të freskëta plagët dhe vuajtjet e luftrave.”

Ai shtoi se duhet të bëjmë gjithçka për të mos lejuar më cenimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, për të garantuar të ardhmen e sigurtë dhe të përbashkët europiane.
“Mirënjohje përjetë Ambasadorit William Walker për denoncimin historik, që i bëri Masakrës së Reçakut vetëm me tre fjalë: Krim kundër njerëzimit!
Gjaku dhe sakrificat e Martirëve dhe Heronjve të kombit, në themel të Lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës, kurrë nuk do të harrohen!”, shkruan në fund ai.

 

Ora 14:12
Balla publikon reportazhin e BBC-së për Reçakun: I tregohet botës një nga masakra më të rënda të genocidit serb në Kosovë, lufta e UÇK-së ishte për liri

Kryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook ka shpërndarë një video nga BBC ku shfaqen pamje nga masakra e Reçakut.

Balla, përmes postimit fton të gjithë të ndjekin këtë reportazh të BBC-së ku tregohet një nga masakrat më të renda të gjenocidit serb në Kosovë.

“Në Kosovë krime lufte ka kryer vetëm pushtuesi serb, ndërsa lufta e UÇK ishte lufta e një populli në trojet e veta për liri.”, shkruan Balla në fund.

 

 

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?