Data 23 prill është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor të 1995 me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive, dhe se çdo nismë për promovimin e librave të rinj është një faktor i pasurimit kulturor etj.
Ideja e përkujtimit të Ditës Botërore të librit e ka origjinën e vet në Spanjë, në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil.
Më 23 prill të vitit 1616 u nda nga kjo botë Servantesi, Shekspiri dhe Garcilaso de la Vega, i mbiquajtur Inca. 23 prilli shënon edhe lindjen ose vdekjen e shkrimtarëve të tjerë, si Maurice Druon, K.Laxness, Vladimir Nabokov, Joseph Pla dhe Manuel Mejia Vallejo.
Kjo është arsyeja, për të cilën kjo datë domethënëse për letërsinë universale është caktuar nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s për t’i bërë homazh botëror librit dhe autorëve të tij dhe për të inkurajuar të rinjtë, që të zbulojnë kënaqësinë e të lexuarit, si edhe për të respektuar kontributin e pazëvendësueshëm, që kanë dhënë krijuesit për progresin social dhe atë kulturor.
Në Ditën Botërore të Librit presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajam Begaj publikoi në facebook një takim të tij me librashitësin 65 vjeçar në Elbasan. Ndriçim Ziu shet në rrugë libra por mëpërpara I lexon ato.
“Me bukinistin e qytetit të Elbasanit, që ka lexuar çdo libër që gjendet në librarinë e tij shëtitëse. Vendosa të ndaj këtë postim sot për të nderuar fisnikërinë e të lexuarit”, - shprehet Presidenti i Republikës në një postim në facebook.