Foto ilustruese per Diten Boterore te Librit

Kultura

23 prilli - Dita Botërore e Librit. Studiuesit prezantojnë monografitë edhe nderojnë Prustin dhe Migjenin

23 Prill 2021, 16:03| Përditesimi: 23 Prill 2021, 16:11

  • Share

Edhe këtë vit,  Departamenti i Letërsisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë,  (UT) vijoi traditën e vet të gjatë të kremtimit të Ditës Botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit, më 23 prill, përmes veprimtarish të ndryshme kulturore online, në platformën e Universitetit të Tiranës.  Tashmë në edicionin e vet të 13-të,  kjo Ditë shënjon për studentët, pedagogët dhe të ftuarit e shumtë shkrimtarë, përkthyes, kritikë e botues,  një moment unik që na bën bashke me sinergjinë ku na përfshin libri e leximi i tij, pasioni për letërsinë, për dijen dhe vlerat e shumanshme që ai dhe autorët i dhurojnë bujarisht njerëzimit.

I ftuari special i këtij aktiviteti ishte shkrimtari Enkel Demi, i cili u përfshi në një bashkëbisedim të lirë me përgjegjësen e Departamentit të Letërsisë, Persida Asllani dhe parashtroi disa prej mendimeve dhe përsiatjeve të veta, si mbi letërsinë që ai shkruan e boton me sukses prej disa vitesh ashtu edhe për dukuri të ndryshme të letërsisë bashkëkohore shqipe, frymës e lëndës kombëtare që ajo shpërfaq,  por edhe sfidave në një botë gjithnjë e më globale. Ndërsa i pyetur specifikisht për linjën e gjithëpranishme në veprat e tij të marrëdhënies mes shoqërisë njerëzore dhe metaforës së një “flame” apo sëmundjeje pandemike, ai e përkufizoi këtë parabolë sa moderne aq edhe klasike, si një përpjekje për të hulumtuar natyrën  njerëzore në marrëdhënien e vet të përhershme me të mirën e të keqen, jo si imperativ moralizues, por si zbulesë e humanitetit përtej mëkatit, pjesë e pandashme e njerëzores. Në këtë kuptim, edhe “Tirona ime” – vijoi ai “është Sodoma ime”.

Më tej, programi vijoi me rubrikat e veçanta të tij, të cilat vijojnë po aq traditën 13-vjeçare të kësaj veprimtarie në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë.

Autorë në përvjetorë solli vëmendjen për dy autorët të përzgjedhur në kontekstin e përvjetorëve të tyre, si një moment për t’i nderuar e për të folur më gjerësisht për ta dhe veprën. Në përgjigje të veprimtarive botërore, Departamenti i Letërsisë privilegjoi këtë vit 150-vjetorin e lindjes së shkrimtarit francez Marsel Prust, prezantuar përmes ligjëratës interesantë të Prof. dr. Laura Smaqi, anëtare e këtij departamenti. Në këtë 150- vjetor të lindjes së Prustit, studentët dhe të pranishmit u ftuan në një udhëtim të shkurtër përmes romanit ‘Në kërkim të kohës së humbur’, duke u ndalur më shumë tek disa prej imazheve, të cilat e shoqërojnë lexuesin e saj që prej afër një shekulli. Sipas ligjërueses “megjithë karakterin kompleks analitik të veprës, të mbushur plot personazhe, objekte e vende, që karakterizohen me mjaft hollësi e precision, Kërkimi, është së pari libri i një uni që rikthehet në mënyrë konstante nga objektet e botës, për t’u mbyllur në qendrën e tij, në rrethin e jetës së shpirtit”. Po ashtu u theksua prej saj roli që ka luajtur Prusti në letërsinë moderne shqipe, përmes ndikimit që pati tek një  nga prozatorët e rëndësishëm të periudhës së viteve ’30 – Ernest Koliqi.

 

 

 

Përvjetori i dytë i kremtuar ishte 110-vjetori i lindjes së Migjenit. Në ligjëratën e Prof. as. dr. Kristaq Jorgo, gjithashtu anëtar i departamentit, u soll në kujtesë fakti se viti 2021 përbënte jo vetëm 110-vjetorin e lindjes së  Millosh Gjergj Nikollës, por edhe 85-vjetorin e “botimit të parë” të vëllimit të tij poetik “Vargjet e lira”. Ligjëruesi theksoi në mënyrë të veçantë se pavarësisht këtyre 85-viteve, kjo vepër ende nuk është botuar në përputhje të saktë me vetë vullnetin e autorit, por përmban ndërhyrje të shumta që dëmtojnë cilësisht analizën kritike të veprës: “Nëse veçanërisht sot, më 23 prill 2021, por mundet dhe në çdo 23 prill, në këtë datë që shenjon një të kremte të madhe të kulturës së përbotshme, me LIBËR do të kuptojmë - në trajtë të zgjeruar - jo vetëm vlerën, por dhe fatin e këtij kryeprodhimi shpirtëror të njerëzimit, dhe me TË DREJTË TË AUTORIT -  po ashtu në trajtë të zgjeruar -  do të kuptojmë  detyrimin e shenjtë të respektimit maksimal të të vullnetit të tij mbi trajtën autentike të tekstit përkundër furive cenuese  mbi të nga koha, pushtetet, shoqëria, botuesit, atëherë do të mund të binim dakord se në mbretërinë e autorëve e librave shqip vështirë të ketë një përfaqësues më emblematik për këtë datë se Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni dhe se kryevepra e tij, libri Vargjet e lira”.

 Dita e Librit vijoi me prezantimet e monografive studimore të ndërmarra e të botuara nga pedagogë të këtij departamenti si:

-       Prof. as. Dr. Eldon Gjikaj - Monografia: Realizmi socialist në sistemin letrar shqiptar , një punim që ka në qendër vështrimin historiko-letrar të periudhës në fjalë. Punimi shqyrton mënyrën sesi modeli i realizmit socialist vjen në sistemin letrar shqiptar, duke e brendashkruar në sistemin socio-politik të Shqipërisë, pas vitit 1944. U prezantua gjithashtu përkthimi po prej tij i studimit Estetika e romantizmit, me autor Paolo D’Angelo.

-       Dr. Edlira Macaj – Tonuzi – Monografia Në poetikën mjedjane, që (ri)sjell në vëmendje të lexuesit sot  krijimtarinë letrare të poetit  Ndre Mjedja. Studimi prezantohet si  një udhëtim me ndalesa specifike në krijime të veçanta të poetit, për të propozuar  rileximin dhe rikuptimësimin e tekstit si strategji që rivitalizojnë tekstin poetik në bashkëkohësi; ta afrojnë atë te lexuesi dhe ky ta shohë tekstin e dikurshëm me potencial të fuqishëm estetik, falë mjeshtërisë së artit mjedjan.

-  Përmbledhja  Liber amicorum për Sabri Hamitin, me grup autorësh, i cili ndonëse i botuar në Prishtinë, vjen si shprehje miqësie, respekti e afekti përmes një kolazhi shkrimesh të natyrave të ndryshme, nga autorë moshash e formimesh të ndryshme – prej miqsh e kolegësh, të moçëm e të rinj, nga Kosova e Shqipëria – në nderim të shkrimtarit e të dijetarit Sabri Hamiti në 70-vjetorin e tij të lindjes. Shumë nga këto shkrime kanë për autorë edhe anëtarë ose bashkëpunëtorë të ngushtë të Departamentit të Letërsisë si profesorët Floresha Dado, Bashkim Kuçuku, Dhurata Shehri, Kastriot Gjika, Agron Gjekmarkaj, Persida Asllani dhe Mark Marku. Boshti rreth të cilit sillen shkrimet e kësaj përmbledhjeje janë poezia, proza dhe dramat e Sabri Hamitit, por edhe studimet e tij për letërsinë shqipe në tërësinë e saj. Në to shqiptohet përmes shkrimit vlerësues dhe gjestit miqësor Sabri Hamiti shkrimtar e dijetar i letërsisë shqipe. Përmbledhja bën bashkë pena të shquara të Kosovës si Ali Aliu, Ibrahim Rugova, Rexhep lsmajli, Zejnullah Rrahmani, Kujtim M. Shala, Bardh Rugova, Nysret Krasniqi, Muhamet Hamiti  etj.

-   Një botim specifik e madje për herë të parë në Shqipëri përbën edhe botimi i Fotodramës Kështjellë rëre, prodhim origjinal i studentëve të Klubit të Dramës së Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, nën drejtimin mjeshtëror të Dr. Erenestina Gjergji-Halili, pedagoge gjithashtu e Departamentit. Ky botim vjen në kontekstin pandemik, parë edhe si refleksion, si element katarstik e si introspeksion mimetik,  në një  format të ri, si eksplorim i shumësisë së mjeteve që siguron vetë gjinia dramatike në komunikim me artet e tjera, por edhe si një shteg i ri kërkimi shkencor gjatë punës që zhvillon me pasion e përkushtim Klubi i Dramës.

Gjatë prezantimit të punës nga vetë studentet autorë të saj, si hartuesit dhe shkruesit e kësaj fotodrame, si fotografë dhe grafistë, pjesëmarrësit e shumtë të kësaj veprimtarie, rreth 360 persona online, përjetuan emocione të rralla. Në këtë atmosferë të veçantë vijoi edhe prezantimi i Festivalit të Krijimit Letrar, i cili gjithashtu pjesë e traditës së kësaj veprimtarie, paraqet në formë të përzgjedhur krijimet letrare të vetë studentëve. Dr. Belfjore Qose, koordinatore e përkushtuar e tij, e cilësoi këtë Festival si shprehjen më të bukur e më të ndjerë të pasionit për fjalën krijuese dhe vetëdijen letrare që karakterizon studentët e Letërsisë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?