24 korriku, data ku opozita ka një 'borxh' për të larë!

5 Qershor 2022, 13:12| Përditesimi: 5 Qershor 2022, 13:18

  • Share

Demokratët e grupit zyrtar parlamentar që përfaqësohen në Kuvend nga Enkelejd Alibeaj, e bojkotuan seancën e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës. Por edhe pjesa tjetër e demokratëve që përfaqësohet nga Sali Berisha dhe që morën pjesë fizikisht në seancë, e bojkotuan procesin e votimin. Ata u justifikuan se kandidati Bajram Begaj përfaqësonte vetëm vullnetin e njërës palë, atë të mazhorancës socialiste.

Në fakt, të dyja copëzat demokrate janë të fundit që duhet të bëjnë moral me këtë justifikim, përsa kohë në dy raste ata kanë zgjedhur njëanshmërisht si president kandidatin e tyre. Ashtu sikurse mazhoranca socialiste nuk mund t’u bëjë moral demokratëve për bojkotin, sa kohë socialistët në dy raste (zgjedhja e presidentëve Topi e Nishani), e bojkotuan procesin e votimit.

Por në ndryshim nga demokratët, pavarësisht bojkotit të seancës në zgjedhjen e presidentit Nishani, socialistët e dërguan përfaqësuesin e tyre në komisionin e votimit, deputetin Subashi, gjë që demokratët e Alibeajt nuk e bënë në rastin e zgjedhjes së presidentin Begaj. Presidenti i ndjerë Nishani u zgjodh me 73 vota dhe e vetmja kundër ishte ajo e ish-deputetit socialist Subashi.

Gjithsesi, nuk do ndalem tek ky krahasim por tek justifikimi që po nxjerrin demokratët dhe opozita parlamentare në tërësi, se socialistët e zgjodhën njëanshmërisht presidentin duke anashkaluar opozitën.

Si asnjëherë tjetër në 10 vitet e fundit, një parti në pushtet, ndonëse i kishte votat për të zgjedhur e vetme presidentin, i dha mundësinë opozitës për të qenë ajo protagoniste në zgjedhjen e një kandidati nga radhët e saj. Ftesa ishte publike dhe për këtë mazhoranca mandatoi si negociatorë tre figura të larta të saj.

Nuk dua të zgjatem në historinë sesi opozita i dogji mundësitë që iu dhanë, por po sjell shkurtimisht rrugën që ajo duhet të ndiqte për të arritur suksesin në këtë proces.

Pas ofrimit nga mazhoranca të mundësisë që opozita të propozonte kandidatët e saj për president, kjo e fundit, e përbërë nga tre grupe parlamentare, duhet të mblidhej dhe të përzgjidhte 6 emra kandidatësh që mund të ishin 3 burra dhe 3 gra. Natyrisht që kandidatët potencialë të opozitës duhet të ishin personalitete të cilat nuk do provokonin politikisht mazhorancën që ajo t’i refuzonte prerazi.

Me këto 6 kandidatura dhe me jetëshkrimet përkatëse, krerët e grupeve parlamentare opozitare do takoheshin me përfaqësuesit e mazhorancës ku do i paraqitnin emrat e përzgjedhur. Këta të fundit, pasi t’i diskutonin të gjashtë emrat në grupin e vetë parlamentar, mund t’i jepnin konsensusin opozitës për dy emra, për shembull një burrë e një grua.

Pas kësaj, opozita kishte për detyrë që të siguronte 20 firma për njërin prej dy kandidatëve të pranuar nga mazhoranca. Kandidatura e përzgjedhur nga opozita paraqitej zyrtarisht për vlerësim në komisionin e Ligjeve dhe pasi miratohej prej tij i kalohej për votim seancës plenare.

Në rast se kandidati/ja i opozitës do të merrte 84 vota e lart, kjo do të thoshte se mazhoranca socialiste e kishte seriozisht procesin e zgjedhjes së presidentit nga radhët e opozitës. Në rast se kandidati/ja do të merrte më pak sesa 84 vota, atëherë mazhoranca socialiste do ishte tallur me procesin dhe opozita do kishte gjithë të drejtën morale e politike që ta akuzonte për këtë.

Mund të duket naiv ky skenar?! Fundja të tre grupet parlamentare të opozitës nuk e ndërmorën kurrë një hap të tillë i cili, në vetvete, do të përbënte një akt dhe akti është ai që tregon provën, si për opozitën ashtu dhe për mazhorancën. Sado të përpiqet tash e tutje opozita të akuzojë me fjalë që socialistët nuk e patën seriozisht kur ia lanë asaj përzgjedhjen e emrit të kandidatit për president, mungesa e një akti prej opozitës është një vetëdemaskim që rrëzon çdo pretendim të sajën.

Çuarja dëm e tre mundësive prej opozitës, natyrisht që i jepte mazhorancës çdo lloj të drejte që të zgjidhte për president një kandidaturë të vetën. Kishin gjithë të drejtën e ligjit po edhe në aspektin moral, që të zgjidhin një socialist “24 karatësh”, por nuk e bënë.

Zgjodhën një ushtarak të lartë që më së shumti është mjek. Po të shikosh karrierën e tij, zoti Begaj ka punuar kur në qeveri kanë qenë edhe demokratët edhe socialistët. Fakti që ai ka punuar nën këto administrata edhe në role drejtuese, tregon se zoti Begaj i është përkushtuar profesionit dhe aspak politikës.

Është e pakuptimtë që opozita të tregohet refraktare dhe të bëjë politikë më emrin e zotit Begaj. Ai ka treguar se nuk i përket asnjë partie politike dhe opozita duhet të ndjehet me fat në këtë rast, sepse në institucionin e presidencës po shkon një njeri i departizuar, ashtu siç e kërkon dhe fryma e Kushtetutës.

Shpresoj dhe uroj që opozita të reflektojë dhe të tregohet e përgjegjshme duke marrë pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit të zgjedhur Bajram Begaj në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe në ceremoninë e marrjes prej tij të detyrës. Kujtoj që në vitet 2007 e 2012 ish-opozita socialiste ka marrë pjesë në seancën e betimit të presidentëve Topi dhe Nishani, bile për këtë të fundit u ngritën në këmbë dhe e duartrokitën pas fjalimit që mbajti në Kuvend. Gjithashtu socialistët ishin të pranishëm edhe në selinë e presidencës kur presidentët demokratë Topi e Nishani morën zyrtarisht detyrën.

Më 24 korrik 2022 topi është në fushën e opozitës demokrate po edhe të dy grupeve të tjera parlamentare. Të shohim a do ia lajnë demokratët “borxhin” moral mazhorancës socialiste, apo do vijojnë të tregohen kokëfortë në bojkotin e tyre absurd.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?