24 vite më parë, 12 qershorin e vitit 1999, forcat e NATO futen në tokën e Kosovës, me popullin shqiptar atje që shijonte orët e para të lirisë pas gati një shekulli robëri.
24 vite më pas të njëjtat forca janë aty, në gatishmëri, për të garantuar paqen dhe sigurinë në një Kosovë ku tensioni ka prekur nivelet më të larta disa ditë më parë.
Për Kryeminstrin Rama janë pikërisht momente të tilla që do të duhet t’i kujtojnë liderëve të Prishtinës se pa aleatët Kosova nuk do të ekzistonte.
“Si sot e gati çerek shekulli më parë, hyrja e NATO-s në Kosovë u rikujton të gjithëve, se pa aleatët strategjikë të shqiptarëve, miq të mirë në ditët më të këqija, s’do të kishte as Republikë të Kosovës, as liri e demokraci për shqiptarët në Kosovë! Zoti i bekoftë aleatët tanë”
Ditën e Çlirimit e uroi edhe kreu i PL Ilir Meta, i cili shkruan se Kosova është model frymëzues i ndërtimit të shtetit ligjor!
Edhe Presidenti Begaj ka shprehur mirënjohjen dhe respektin për aleatët.
Në Prishtinë me rastin e kësaj dite të shënuar krerët e shtetit, si Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryepalrlamentari Konjufca kanë nderuar të rënët për liri. Kanë bërë homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova, te ai i veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi. Më pas të tre bashkë kanë nderuar sakrifat sublime në luftën e UÇK, me homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.
12 qershorin e vitit 1999, disa ditë pasi ishte firmosur u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara. Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh ndaj forcave serve, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës dhe spatrimit etnik.
Hyrja e ushtarëve të NATO-s hapi rrugën e kthimit në shtëpitë, tokën dhe vendin e tyre mbi një milionë shqiptarëve të Kosovës të degdisur refugjatë në dhjetëra vende dhe tre-katër kontinente të botës.
8 vite më pas Kosova shpalli Pavarësinë 17 shkurt, më pak se 8 vite nga çlirimi, duke u bërë kështu shteti më i ri në Evropë, i njohur nga pjesa më e madhe e vendeve të botës.
Ish-kryedemokrati Lulzim Basha ka kujtuar hyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë para 24 vitesh.
Ai bën thirrje për bashkëpunim dhe koordinim të pandarë me aleatët.
"Ëndrra e lirisë, e trashëguar brez pas brezi, mori jetë 24 vjet më parë mes dhimbjesh dhe sakrificash që do të shënojnë përgjithmonë identitetin tonë kombëtar.
Liria dhe shteti i Kosovës janë kontribut i përbashkët i shqiptarëve dhe aleatëve tanë. E ardhmja e Kosovës, si një shtet i fortë dhe demokratik, si anëtare e NATO-s dhe BE-së, i ka rrënjët te ky investim i përbashkët dhe aleancë e palëkundur e shqiptarëve dhe partnerëve strategjikë të kombit, pa të cilët lira dhe pavarësia do të mbeteshin aspirata!
Në këtë ditë historike, mirënjohja më e thellë shkon për bijtë dhe bijat e Kosovës që dhanë jetën për liri, për udhëheqësinë e Presidentit Ibrahim Rugova, për luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe simbolit të saj, Komandantit Legjendar, Adem Jashari.
Sot, më shumë se kurrë, u jemi mirënjohës aleatëve tanë, vendeve anëtare të NATO-s të udhëhequr nga SHBA, e të gjithë partnerëve, që përmes një lufte të drejtë i dhanë fund një padrejtësie historike!
Në këtë rrugëtim plot sakrifica dhe shpresë drejt ëndrrës së çlirimit të Kosovës, shqiptarët ju janë përjetë mirënjohës aleatëve tanë strategjikë, vendeve anëtare të NATO-s të udhëhequr nga SHBA, vendeve mike dhe aleate të Europës dhe partnerëve të tjerë që mbështetën dhe luftuan për kauzën e drejtë të Kosovës së lirë, si dhe për ndihmën e vazhdueshme që kanë dhënë e japin për konsolidimin e shtetit demokratik të Kosovës.
Tani është koha që në bashkëpunim dhe koordinim të pandarë me aleatët tanë të mëdhenj, Kosova të tejkalojë çdo sfidë dhe të ecë përpara drejt anëtarësimit në NATO dhe në institucionet ndërkombëtare, për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e saj dhe mbarë rajonin", shkruan Basha.
Presidenti Bajram Begaj, ka uruar të gjithë shqiptarët në 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës. Ai shpreh nderimet për heronjtë e UÇK-së dhe partnerëve strategjikë, SHBA dhe NATO.
“Gëzuar Ditën e Çlirimit Kosovë!
Nderim përjetë heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Mirënjohje partnerëve tanë strategjikë SHBA dhe NATO!”- thotë Begaj.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka përshëndetur 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës, ndërsa falënderon NATO-n dhe vendet demokratike që të i dhanë fund luftës. Meta shkruan, se edhe pse është vendi më i ri në rajon, Kosova është një model frymëzues për ndërtimin e shtetit ligjor.
"Gëzuar 24-vjetorin e lirisë Kosovë e dashur! Sot në Ditën e Çlirimit çdo shqiptar ndihet krenar dhe i gëzohet arritjeve të Republikës së Kosovës, zhvillimit të pandalshëm dhe avancimit solid në proceset integruese europiane dhe euro-atlantike. Faktor kyç i provuar për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon! Model frymëzues i ndërtimit të shtetit ligjor! Edhe pse shteti më i ri i rajonit Kosova është bërë një shembull për zgjedhjet e lira, demokracinë funksionale, mirëqeverisjen dhe llogaridhënien! Mirënjohje dhe thellësisht falënderues për NATO-n dhe vendet demokratike mike, që i dhanë fund gjenocidit dhe kurorëzuan aspiratën shekullore për liri", shkruan Meta.