24 vjet nga masakra e Reçakut, krimi kundër njerëzimit që zgjoi Perëndimin! Kurti: Kush mohon gjenocidin, ëndërron përsëritjen

15 Janar 2023, 09:12| Përditesimi: 15 Janar 2023, 15:52

  • Share

KOSOVË- Në fshatin Reçak, rreth 30 kilometra larg Prishtinës, forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë, më 15 janar të vitit 1999. Numri më i madh i viktimave u gjet në Kodrën e Bebushit, ndërsa të vrarë kishte edhe në pjesë të tjera të fshatit. Krerët e shtetit të Kosovës nderuan sot viktimat e masakrës ndërsa edhe patën mesazhe të forta. Kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani u shprehen se kjo masakër, është gjenocid dhe se kush e mohon, kërkon përsëritjen e saj. Edhe nga personazhet e politikës shqiptare pati mjaft reagime në rrjete sociale, të tilla si ministrja e Punëve të Jashtme dhe për Evropën, Xhaçka dhe kryetarja e parlamentit, Lindita Nikolla. 

Edhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë e kujtoi këtë ditë të zezë ndërsa shtoi edhe kontributin e amerikanëve në mënyrë që ai spastrim etnik të mbyllej njeherë e përgjithmonë. 

Skenat e tmerrshme të vitit 1999, u bënë jehonë në mediat ndërkombëtare, çka ndikoi në mobilizimin e opinionit publik. Kësisoj, falë publikimit të kësaj masakre dhe ndërhyrjes së qendrave vendimmarrëse në marrëdhëniet ndërkombëtare, gjenocidi i Serbisë mori fund njëherë e përgjithmonë.

Për këtë fund të krimeve të renda nga Serbia për vrasjen 45 shqiptarëve të pafajshëm, në këtë fshat, Kuvendi i Kosovës shpalli 15 janarin si Ditë të Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë.

Prandaj sot, në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë, përkujtohen civilët e vrarë 24 vjet më parë në fshatin Reçak, të gjitha viktimat e masakrave në Prekaz, në Likoshan, në Qirez, në Abri, në Poklek, në Podujevë, në Suharekë, në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël, në Celinë, në Mejë dhe qindra masakra që ndodhën para dhe pas 15 janarit 1999.

Qytetarët e Prishtinës janë njoftuar se sot do të ndizen qirinj në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë duke filluar në ora 19:30

Ndërkaq edhe në qytetet tjera të Kosovës si dhe fshatra do të organizohet ndezja e qirinjve.

Këto janë vendndodhjet kryesore ku do të ndizen qirinj të dielën më 15 janar nga ora 19:30:

Tubime përkujtimore janë organizuar në Zvicër, Danimarkë dhe Spanjë.

Qytetarët që nuk mund të dalin në sheshe, janë ftuar që të ndezin qirinj në dritare dhe ballkonet e tyre.

Çfarë ndodhi në masakrën e Reçakut
Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999, ashtu siç ishte planifikuar në Beograd, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, ushtarake dhe paraushtarake serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara. Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar krimin, aty rreth orës 6.30 minuta forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin, prej vendeve të quajtura „Pishat“, „Gështenjat“, „Rrasa e Çallakut“ dhe nga „Çesta“ përmbi Reçak. Pas ndërprerjes së granatimeve forcat kriminale serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet shtëpi për shtëpi. Në këto momente mjaftë të rënda, fshatarët janë përpjekur të largohen nga fshati apo të gjenin një vendstrehim më të sigurt, por rrethimi i hekurt e bëri të pamundur një gjë të tillë. Nga ky rrethim u ekzekutan 45 shqiptarë.

Një ditë pas kryerjes së masakrës, William Walker, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, vizitoi vendin e ngjarjes u tmerrua nga kufomat e masakruara. Ai deklaroi se kishte parë ngjarjen më të trishtë të jetës së tij.

"Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time." Lajmi i masakrës senzibilizoi opinionin ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë dhe i hapi rrugën bombardimeve të NATO-s në Serbi.

Ora 18:15
‘Rama ka bllokuar dënimin e genocidit serb’, Berisha për masakrën e Reçakut: Krim horror ndaj njerëzimit

1673608252_Screenshot6.jpg

Ish-kryeministri Sali Berisha me anë të një postimi në Facebook ka shprehur mesazhin e tij në përvjetorin e masakrës së Reçakut në Kosovë nga forcat serbe. Berisha e cilësoi këtë masakër si një krim horror kundër njerëzimit, ndërsa shtoi se kryeministri Rama si vasal i Vuçiçit ka bllokuar në parlament rezolutën e dënimit të genocidit serb në Kosovë. Masakra e Reçakut, krim horror kundër njerëzimit! Edi Rama si vasal i Vuçiçit bllokon ne parlament rezolutën e dënimit të genocidit serb në Kosovë.

'Miq, me 15 janar të vitit 1999 fallanga terroriste serbe kryen në Raçak të Kosovës një nga krimet më të shemtuara, masakrat më horror të dëgjuar ndonjëherë. Terroristët serb vranë, therën, masakruan në një natë në fshatin Raçak 45 gra, fëmijë, burra vetëm e vetëm se i përkisnin etnisë shqiptare.

Viktimat e pafajshme të Raçakut u shndërruan në apelin e fuqishëm të shqiptarëve të Kosovës, në klithmën dhe kushtrimin e të rënëve nga barbaritë serbe dhe tronditën thellë ndergjegjen e shtetarëve dhe qytetarëve në vendet e lira dhe mbarë botën. Masakra e Reçakut i dëshmoi njerëzimit fytyrën mizore të Sllobodan Millosheviçit, geobelsit të tij Vuçiç dhe regjimit të tyre barbar.

Tragjike sot është se Edi Rama, ky vasal i shpifur i Aleksandër Vuçiç, bllokon me urdhër të padronit të tij prej një viti votimin ne Parlament te Rezolutës së deputetëve të Partisë Demokratike për dënimin e genocidit serb në Kosovë.

Duke u përulur me nderimin më të thellë sot para viktimave të kësaj masakre të epsheve raciste shtazore serbe ndaj shqiptareve, ju bëjë thirrje OKB dhe qeverive të vendeve të vendosin para drejtesisë autorët, porositësit dhe organizatorët e Beogradit të kësaj masakre si dhe ata qe mohojnë krimin monstruoz ndaj banorëve të Reçakut dhe mbarë Kosovës.

Prandaj dhe duke ndarë dhimbjen e thellë me familjet dhe të afërmit e viktimave të masakrës së Reçakut, dënoj me forcën më të madhe si autorët e krimit monstruoz ashtu qëndrimin tradhëtar antikombëtar të Edi Ramës që ka shndërruar Shqipërinë në vend vasal të Beogradit. Nderim përjetë viktimave të Reçakut.'- shkruan Berisha.

Ora 14:51
Masakra e Reçakut, Nikolla: Dita e dhimbjes dhe apelit që krimet e luftës, të marrin fund

1673790736_800061f843dbd103c.jpg

Në përkujtim të 24-vjetorit të masakrës së Reçakut, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, apelon për intensifikimin e dialogut pa parakushte dhe arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë-Serbi.

“24-vjetori i masakrës së Reçakut është dita e dhimbjes dhe njëkohësisht  apelit që krimet e luftës, mizoritë, vrasjet e civilëve dhe ndarjet që ato kanë krijuar duhet të marrin fund.

Intensifikimi i dialogut pa parakushte dhe arritja e një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë-Serbi është rruga për pajtimin e qëndrueshëm, paqen, prosperitetin dhe evropianizimin e Ballkanit Perëndimor.

Vleresoj konstatimin e Këshilltarit të Departamentit të Shtetit Derek Chollet mbi vullnetin e fuqishëm të Qeverisë së Kosovës për procesin e dialogut, i cili do t’i garantojë Kosovës integrimin në strukturat evro-atlantike.”, shkruan Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Ora 12:44
24 vite nga masakra e Reçakut, Presidentja Vjosa Osmani: Çdo varr në atë vend ka një histori tmerri

1673783211_1200x1.jpg

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se çdo varr në Reçak ka një histori tmerri. Në 24-vjetorin e masakrës në këtë fshat të Shtimes, e para e shtetit shtoi se synimi më i rëndësishëm është sigurimi i drejtësisë.

“Aty mizoria e regjimit mori trajtën më çnjerëzore, shënoi një moment që vetëdija ndërkombëtarëve u zgjua përfundimisht. Reçaku dëshmoi se Kosova ishte edhe sfida e përballjes demokratike, a do të dorëzohej një qytetërim botëror para një barbarie. Ky moment kthese lidhej me një emër dhe një njeri, ambasadori Willlam Walker. Krimet e kryera këtu në Reçak, ku civilë shqiptarë u shënuan mizorisht i dëshmuan botës për tragjedinë që po përjetonin shqiptarët”, u shpreh Osmani.

“Sot kur i kujtojmë me dhimbje të dashurit tanë, detyrimi për të siguruar drejtësi për ta bëhet synimi ynë më i rëndësishëm. Historia e gjithsecilit prej tyre është vet historia e Kosovës. Ata thërrasin për drejtësi sot e kurdo herë. Mos të harrojmë kurrë që çdo varr në Reçak ka një histori tmerri” ka shtuar ajo.

Ora 12:43
Masakra e Reçakut, Kurti: Ata që mohojnë gjenocidin ëndërrojnë përsëritjen

1673535424_Screenshot4.jpg

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar në kuadër të 24 viteve nga masakra e Reçakut duke deklaruar se ata që mohojnë gjenocidin, ëndërrojnë përsëritjen.

Ai tha se masakra e Reçakut nxiti reagimet më të madha në botë, ku përmes pamjeve të transmetuara në mediat botërore u dëshmua krimi dhe gjenocidi serb.

“Janë ato pamje të transmetuara nga mediat botërore, të shfaqura përsëri, duke u kthyer ndër imazhet me të cilat bota na njeh si vend i viktimës ku Serbia kreu krime dhe gjenocid. Masakra e Reçakut është një nga 400 masakrat, kjo masakër ndonëse është një prej tyre, është krimi i luftës që më së shumti i ka nxitur reagimet. E dëshmuar nga shumë media vendore dje ndërkombëtare, masakra e Reçakut u kthye në një nga argumentet më të pakontestueshëm”, ka thënë Kurti.

Ai shtoi se ambasadori William Walker nuk foli me gjuhë diplomatike, por të një humanizmi. Për çka Serbia, siç tha Kurti, ka tentuar që të turbullojë të vërtetën.

“Para 3 viteve, presidenti i Serbisë deklaroi se masakra në Reçak është fabrikim dhe falsifikim. Dy vjet më vonë, shefi i inteligjencës së shtetit serb, në ditën e të drejtave universale më 10 dhjetor, e përsërit atë çka thotë presidenti. Ata që e mohojnë gjenocidin, ëndërrojnë për përsëritje të tij”, ka shtuar Kurti.

Ora 12:33
Masakra e Reçakut/ Ministrja e Jashtme shqiptare: Kujtesë që rajoni duhet të punojë për një të ardhme të paqtë

1673782508_autoautomasakrarecak64515475422991551459385.jpg

Në përkujtim të masakrës së Reçakut, Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka përçuar mesazhin e saj duke thënë se kjo masakër, është një kujtesë se si rajoni duhet të punojë së bashku për një të ardhme sa më të qartë.

“Përkujtojmë sot me nderim 45 burrat, gratë dhe fëmijët e pafajshëm që u masakruan në Raçak nga regjimi serb, në një akt të vrasjes së qëllimshme dhe pa dallim.  Sot kujtimi i tyre dhe kujtimi i mijëra burrave, grave dhe fëmijëve të vrarë në krime të tjera të panumërta të luftës të kryera nga regjimi serb në Kosovë ???????? kërkon ende drejtësi dhe pajtim.

Por, gjithashtu shërben si një kujtesë e fuqishme se sa shumë i gjithë rajoni ynë duhet të punojë së bashku për të ndërtuar një të ardhme të paqtë dhe me prosperitet, e qeverisur me një filozofi që refuzon mentalitetin e genocidit i cili ishte përgjegjës për masakrën në Raçak”, shkruan Xhaçka.

Ora 11:58
Masakra e Reçakut, ambasadori i SHBA në Kosovë: Askush mos ta harrojë apo mohojë, Amerika bashkë me aleatët e NATO-s mbrojtën civilët

1673780408_64001673778621xjeffreyhovenier207.png

Ambasadori i SHBA-ve Jeffrey Hovenier ka reaguar për 24 vitet nga masakra e Reçakut.

“Askush mos ta harrojë apo mohojë atë që ka ndodhur këtu”, ka shkruar në Tëitter ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier në 24 vjetorin e masakrës së Reçakut.

“Në përgjigje të kësaj mizorie dhe të tjerave, SHBA bashkë me aleatët e NATO-s, vepruan për mbrojtjen e civilëve të pambrojtur, në emër të paqes, lirisë dhe stabilitetit”, shkroi ai.

Sipas tij, këto qëllime pasqyrojnë vlerat e thella të Amerikës dhe Perëndimit.

“Ne besojmë që të gjithë njerëzit, pavarësisht etnisë apo fesë, meritojnë dinjitetin e të jetuarit në liri dhe siguri”.

G.MO/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Begu: 16/01/2023 12:08

    Miqet e tuaj,dhe ndihmen me derivate qe i dha Serbise, u realizuan krimet serbe ndaj shqiptareve te Kosoves.Tash nuk duhen deklaratat tuaja "ngushelluese dhe kombetare".

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?