TIRANË- Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi tregon se shpenzimet në qytetet më të shtrenjta të botës, në Beverly Hills e Las Vegas janë bërë për 10-vjetorin e datëlindjes së vajzës së saj. Ndërsa u paraqit në SPAK në zbatim të masës detyrim paraqitjeje, Kryemadhi nuk u shpëtoi dot pyetjeve mbi provat e reja të SPAK për 240 mijë dollarë shpenzime nga karta e kushëririt të saj, Adrian Shatku.
Kryemadhi pranoi se ka qenë në Beverly Hills e Las Vegas bashkë me Shatku, kushërirën këngëtare Bebe Rexha dhe mikeshat e saj, por duke mohuar që të ketë shpenzuar në total 240 mijë dollarë, aq sa i atribuon SPAK për një periudhë 3-vjeçare, duke thënë se kemi të bëjmë me vetëm një episod në vitin 2015.
“Kam qenë edhe në Beverly Hills, kam qenë edhe në Santa Monika, kam qenë edhe në Las Vegas. Kam qenë në Los Anxhelos, kam qenë me kushëririn tim Adrian Shatku, me tre fëmijët e mi, me kushërirën time Bebe Rexha. Kemi qenë për dhjetëvjetorin e vajzës time. Kanë qenë edhe disa mikesha të mia me fëmijët e tyre pranë”, tha Kryemadhi pasi doli nga SPAK.
Kryemadhi thotë 240 mijë dollarë ishte në total vlera e kartës së Shatkut, duke deklaruar se i ka kërkuar bankës amerikane faturat vetëm për shpenzimet e saj.
“Jo, nuk është dyqind e dyzet mijë dollarë veshje, këto i thotë zemërdhënësi I Partisë së Lirisë së Tedi Blushi, i cili merr direktivat nga SPAK-u, 240 mijë dollarë është gjithë karta e Zotit Adrian Shatku, që është me hotele, me bileta avioni, dreka me darka me akulloren. Secili ka shpenzimet e veta dhe do t'i kërkojë edhe bankës, edhe për sa më përket mua. Cilat janë hotelet e mia? Cilat mund të jenë biletat e avionit?”, vijoi Kryemadhi.
Dënimi për këto shpenzime marrëmandëse për Monika Kryemadhin do duhej të ishte një gjobë nga ILDKPI. Sipas saj, bëhet fjalë për vitin 2015, që edhe nëse s’janë deklaruar, është një vepër e parashkruar.
“Nuk i mbaj mend, unë dhuratat e mia do t'i marr tani, ça më ka marrë. Nuk janë dyqanet e shtrenjta që ta dini, por edhe po të ishin dyqanet shtrenjta, nuk kam ndonjë kompleks, se nuk janë si ata që thonë që s'kemi dhe ndërkohë të tjera. Por do t'i marr, do t'i pyes, edhe do t'i gjej. Kryesisht janë hotele. Përsa i përket qoftë Beverly Hills apo Las Vegas apo Los Anxhelos, janë në periudhën e dy mijë e pesëmbëdhjetës. Që normalisht, edhe në qoftë se si kam deklaruar, është një vepër e parashkruar. Ose dhe po të jetë se nuk është e parashkruar, duhet të më gjobisë ILDKP-ja për atë shpenzim që është”, theksoi ajo.
Për ish-bashkëshortin Ilir Meta, i cili u distancua nga këto shpenzime duke thënë se ka vizituat vetëm bukuritë natyrore shqiptare, Kryemadhi tha se flet me gjuhën e Dumanit, ndërsa një sulm e pati edhe për Tedi Blushin, për të cilin tha se merr direktiva nga SPAK.
“Më vjen shumë keq që babai i fëmijëve të mi vazhdon dhe ripërsërit deklaratat e Altin Dumanit, të Sotir Kllapit dhe të Arben Krajës, gjë që ka të bëjë çështje dhe këndvështrime të ndryshme të asaj që lexojmë në një dosje të përbashkët”, tha Kryemadhi.
Në mbrojtje mori kushëririn e saj Shatku.
“Duhet të kuptoni që Shatku s’ka të bëjë me buxhetin e shtetit, me tenderat, me shpenzime përfitime nga qeveria shqiptare apo taksapaguesit shqiptarë Ai është kompani amerikane që punon 56 vende të botës. S’ka marrë lekë. Lejen për të ndërtuar fibrën optike në rrugën kombëtare, ja ka dhënë me KKT Harito, Rama”, vijoi Kryemadhi.
Një letërporosi e kthyer nga Departamenti i Drejtësisë në drejtim të Tiranës, bëri që SPAK të zbulonte se Kryemadhi për një periudhë 3-vjeçare, shpenzoi 240 mijë dollarë për veshje, hotele e bileta avioni përmes një kartë krediti të vënë në dispozicion nga Ardian Shatku, kushëri i saj, që nuk dihet më parë. Kjo është prova e re që SPAK ka në duar, teksa dyshon se blerjet janë edhe më të mëdha.
Një përplasje në distancë mes ish-çiftit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi për qëndrimet e tyre në raport me akuzat dhe dosjen e SPAK. Kryemadhi akuzoi nga SPAk ish-bashkëshortin e saj se flet me fjalët e Altin Dumanit, i keq informuar nga Tedi Blushi, kur e akuzon për shpenzimet me kartat e kreditit në qytetet luksoze të botës. Kjo deklaratë solli reagimin e ashpër të Ilir Metës.
Meta shkruan se pas zgjedhjeve u kishte kërkuar fëmijëve që nëna e tyre të mos ia përmendte më emrin në publik, por i nxitur nga akuzat e saj sot, e quajti “Zeqineja” e SPAK-ut.
Presidenti i Partisë së Lirisë thotë se nuk do t’i besojë për të vërteta hetimet e SPAK për karta bankare të reja me shpenzime të Monika Kryemadhit, por shton se përgjigjet e tij kanë qenë vetëm për të theksuar se Ilir Meta as nuk i ka përdorur dhe as ka pasur dijeni për to. “Po të ishin të vërteta, sigurisht që SPAK nuk do i jepte leje "Zeqinesë" të shkonte në SHBA në janar të këtij viti, ku jeton Adrian Shatku dhe janë kompanitë e lobimit që ia ka sjellë në Shqipëri, të cilat po i heton SPAK prej 3 vitesh”, përfundon Meta.
Reagimi i plotë i Metës
Një përgjigje për Zeqinenë e SPAK-ut
Në respekt dhe përkujdesje të tre fëmijëve të mi u kisha thënë pas zgjedhjeve, që nëna e tyre të mos e përmendte më emrin tim në publik se nuk doja të merresha më me të.
Por kur të komandon halli bëhesh “Zeqine" e SPAK-ut.
Ilir Meta dhe Tedi Blushi, jo vetëm që nuk përsërisin akuzat e Altin Dumanit, por vetëm kanë çmontuar publikisht shpifjet kriminale të orkestruara nga Altin Dumani se gjoja ishin gjetur dy prova të reja, pra dy karta banakre të reja, që sipas tyre ishin të përdorur edhe nga Ilir Meta, apo edhe ai ishte në dijeni.
Ilir Meta dhe Tedi Blushi iu janë përgjigjur këtyre shpifjeve monstruese që filluan me rrëmbimin tim monstruoz, me hetimin monstruoz dhe me izolimin tejet monstruoz, që nuk ka lidhje me asnjë fakt dhe provë penale për Ilir Metën.
Përkundrazi. faktet dhe provat janë fshehur deri tani për të mbuluar personat që kanë shkelur ligjet apo që kanë patur dijeni për shkeljet e ligjeve apo që janë vërtetuar si dëshmitarë të rremë, që dihet publikisht që ishin në listat e kandidatëve për deputet të “Rilindjes" dhe kanë punuar për “Rilindjen” me material shtrëngues.
Sigurisht edhe unë nuk dua t’i besoj, që ato që ka shkruar Altin Dumani për kartat e saj bankare dhe të Adrian Shatkut janë të vërteta, por ata i shkruajnë për të justifikuar izolimin kriminal të Ilir Metës si lider i Partisë së Lirisë.
Se po të ishin të vërteta, sigurisht që SPAK nuk do i jepte leje "Zeqinesë" të shkonte të SHBA në janar të këtij viti, ku jeton Adrian Shatku dhe janë kompanitë e lobimit që ia ka sjellë në Shqipëri, të cilat po i heton SPAK prej 3 vitesh.
Pak minuta më pas edhi përgjigjja nga Kryemadhi përmes një postimi në rrjetet sociale, e cila iu hakërrua Metës e Tedi Blushit, për këtë të fundit më herët tha se merr direktiva nga SPAK. Kryemadhi shkruan se nuk ka nevojë të marrë leje askund, madje as fansit të Zeqinesë (Ilir Meta) e as fansit te garderobës Tedi Blushit për të udhëtuar drejt çdo vendi ku ka ftesa pune.
"Një sqarim i vogël në këtë ditë të nxehtë për të ftohur mëndje të nxehura nga dezinformues tradicionalë". Unë nuk jam e penguar nga askush për të lëvizur drejt Amerikës dhe çdo vendi tjetër, përveç ditës që drejtësia ka vendosur të kem "detyrim paraqitje" pranë SPAK. Siç e shikoni viza amerikane është me disa hyrje dalje dhe kjo është një gjë e vërtetueshme nga foto ose nga zyra e shtypit në ambasadën përkatëse. Nuk kam nevojë të marr leje askund madje as fansit te Zeqinesë e as fansit te garderobës time Tedi Blushit për të udhëtuar drejt çdo vendi ku kam ftesa pune”, shkruan Kryemadhi.
Komente

Akti i dyte i komedise Cifti i Shqyer! Bejme sikur po zihemi rendshem qe divorci te duket real se mbeta brenda. Neveri pafund!
PërgjigjuNo Comment
Përgjigju