Turizëm i kushtueshëm dhe ushqime të shtrenjta. Kjo është panorama e kësaj vere, të paktën sipas shifrave të Institutit të Statistikave. Në kulmin e prodhimit bujqësor në vend, zarzavatet po i blejmë më shtrenjtë se vitin e kaluar.
Instituti i Statistikave njofton se në korrik inflacioni arriti në nivelin më të lartë në 17 muaj duke kapur shifrën 2.5%, ku shtrenjtimi i ushqimeve dhe i qirave kanë dhënë ndikimin kryesor.
“Rritja vjetore e çmimeve në muajin Korrik është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,08 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,61 pikë përqindje”, thuhet në raportin e INSTAT.
Sipas raportit, brenda grupit të ushqimeve vaji dhe yndyra patën shtrenjtimin më të madh me 6.7% krahasuar me vjet, ndjekur nga zarzavate me 5,4 %, bulmeti me 3.8% më shtrenjtë e më pas mishi dhe frutat.
Aktualisht në tregjet e Tiranës domatet shiten nga 80 lekë deri 150 lekë/kg, kastraveci me 100 lekë/kg, patate e qepë midis 80-100 lekë/ kg apo specat deri në 180 lekë/kg.
Po kështu shalqiri është fiksuar në 30 lekë/kg ose 6 herë më shtrenjtë sesa çmimi me të cilin e shesin bujqit.
Nga ana tjetër turizmi ka shtrenjtuar qiratë me 5.4% gjatë muajt korrik në krahasim me vjet, pasi kërkesa e lartë për dhoma apo apartamente ka rritur ndjeshëm çmimet.
Ky është shtrenjtimi më i lartë i regjistruar ndonjëherë me çmimet e qirave në vend sipas të dhënave të INSTAT.
Turizmi i këtij viti po shoqërohet me ankesa nga pushuesit për fatura të kripura jo vetëm të dhomave por edhe të restoranteve dhe shezlongjeve.
Komente

Ku i blini produktet e shportes ju te Instat???
Përgjigju