TIRANË- Sy që shprehin një lutje, portrete që kërkojnë në të mbinatyrshmen një zgjidhje për një brengë a dëshirë që mbartin... në 120 fotografi të Dmitry Brickman që flasin në muret e Galerisë së Artit Tiranë, “Jeruzalemi nuk është thjesht një qytet” të kuruar nga Abaz Hado.
“Kjo është një nga ekspozitat më të bukura që është hapur në galerinë tonë. Dmitry, është një nga artistët më të njohur të fotografisë artistike. Është i njohur për këto lloj imazhesh, sepse gjen një këndvështrim origjinal të të fotografuarit. Siç ka bërë edhe me këtë ekspozitë, pra, nuk ka parë Jerusalemin, si një qytet me ndërtime etj., po e ka parë në shpirtin e vet”, thotë kuratori dhe drejtori i Galerisë së Artit Tiranë, Abaz Hado.
Fëmijë, nëna, të rinj e të moshuar që kërkojnë një prehje shpirtërore, imazhi në këtë ekspozitë zbeh çdo dallim gjuhësor a racor, e lutja mbetet po një. Janë 25 lutje, nga fe të ndryshme, që me sytë drejt qiellit, a çdo force hyjnore që u jep shpresë janë përjetësuar nga autori në dekada në Jerusalem...
“I shikon njerëzit në raport me besimin, faljen e tyre, pra si janë apo si reagojnë psikologjikisht në momentin kur futen në një raport besimi. Nga kjo pikëpamje ai ka nxjerrë psikologjinë, se si këta njerëz, të cilët jetojnë dhe mbushin jetën e Jerusalemit, në momente të caktuara ata janë meditativ, futen në një raport tjetër që nuk është më tokësor por është hyjnor”, thotë kuratori.
Në emër të tolerancës fetare e kulturore ekspozita ka shëtitur në vende të ndryshme, përfshirë Rusinë apo Kazakistanin, ndërsa në Uzbekistan ajo që e komplikoi mundësinë e një ekspozimi ishte fjala Jerusalem në titull. Në Shqipëri ekspozita u çel në kuadër të Javës kulturore të Izraelit dhe vijon të jetë e hapur për publikun.