Ajo është një nga ata njerëz, të cilët gjejnë forcë përtej dhimbjes dhe e mundin gjithçka me buzëqeshje. Fatjona Krasta është 25 vjeçe, por gjatë jetës së saj i është dashur të përballet me shumë gjëra, përfshirë sëmundje të rënda dhe të heq dorë nga ëndrrat e saj. Ajo ishte vetëm 8 vjeç kur kuptoi se vuante nga sëmundja e epilepisë, një ngjarje e cila do ta bënte të hiqte dorë nga ëndrra e saj për të luajtur basketboll. Megjithatë ajo gjen ende forcë për të frymëzuar të tjerët nëpërmjet videove të saj:
‘’ Mbaj mend që më ka thënë mësuesja duhet të largohesh nga sporti, sepse merresha me sport, me basketboll dhe futboll, luaja me shkolla të ndryshme, dhe me vende të ndryshme. Kur më tha mësuesja, e pyeta përse dhe ajo më tha se nuk isha lojtare e mirë, më ka gënjyer.. sepse ajo e dinte ( për sëmundjen) sepse i kishte treguar familja ime’’ u shpreh ajo.
Ndërsa mendonte se do të luante sërish basketboll Fatjona emigron drejt Amerikës me familjen e saj:
‘’ Në moshën 13 vjeç kur kam ardhur në amerikë thoja këto të Amerikës nuk e dinë, do futem për basketboll, por këtu ti marrin të dhënat të gjitha dhe u mor vesh dhe këtu dhe nuk munda të luajë basketboll’’ tregon ajo për ëndrrën e saj të madhe.
Por rrugëtimi i saj do të kishte edhe një pengësë tjetër, kur vetëm disa muaj më parë Fatjona u diagnostikua me tumor të shkallës së tretë, një sëmundje të cilën ajo mendoi se nuk do ta kalonte por ishte vetëm nëna e saj ajo e cila i dha forcën për të luftuar gjithçka.
‘’ U tremba jashtë mase, thashë o zot do vdes por pastaj shikoja mamin, lotët e mamit, ato më forcuan më shumë’’.
Ndërsa jep edhe një mesazh për të gjithë, e sidomos për vajzat, duke u shprehur se në asnjë moment nuk është ndjerë keq me veten për look-un e saj, por për të jeta është e bukur dhe mundohet ta jetojë në harmoni të plotë pavarësisht vështirësive.