Herë në Hagë e herë në Prishtinë. Kryesisht nga ndërkombëtarët. Shumë të liruar si të pafajshëm, e disa nga ta të dënuar për krime lufte. Kështu mund të përshkruhet shkurtimisht jeta e shumë prej komandantëve të UÇK-së pas vitit 2000. Kur sot bëhen 25 vjet nga dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gazeta Nacionale sjell betejat e ish-komandantëve me drejtësinë, qoftë atë vendore apo ndërkombëtare.
Më 28 nëntor në vitin 1997. Fshati Llaushë. Pak ditë pas vrasjes së mësuesit Halit Geci. Tre persona me masaka, me uniformë e të armatosur, dolën për herë të parë publikisht. Edhe këtë, para mijëra vetëve që po merrnin pjesë në varrimin e mësuesit Geci. Tre të parët që dolën publikisht me uniformën e UÇK-së ishin: Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi e Daut Haradinaj. Ky do të shënonte një nga momentet historike, dhe nisjen publike të synimeve për luftë deri në çlirim.
Pra, ndër tre personat që të parët dolën me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte edhe Rexhep Selimi. Ky i fundit tri festat e fundit të 28 Nëntorit po i pret në Hagë. Atje bashkë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e të tjerët, po mbahet si i dyshuar për krime lufte në vitet 1998-2000.
Megjithatë, Gjykata Speciale është beteja që po vlerësohet e fundit e ish-komandantëve të UÇK-së me drejtësinë vendore e ndërkombëtare. Në përvjetorin e 25-të të daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nacionale sjell betejat me drejtësinë të ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Krerët e UÇK-së përballë akuzave nga Tribunali i Hagës
Pak vite kishin kaluar nga lufta. Më saktësisht ishte shkurti i vitit 2003. Njëri nga udhëheqësit më të shquar të UÇK-së, Fatmir Limaj, ishte arrestuar nga Tribunali Ndërkombëtar për krime lufte në ish-Jugosllavi. Ai bashkë me Haradin Balajn dhe Isak Musliun dyshoheshin për krime lufte, trajtim mizor, keqtrajtim dhe krime kundër njerëzimit. Gati dy vjet pas një procesi gjyqësor, Fatmir Limaj dhe Isak Musliu u liruan si të pafajshëm, përderisa Haradin Balaj u dënua me 13 vjet burgim. Ai përfitoi lirimin e parakohshëm nga vuajtja e dënimit, në vitin 2013.
Me akuza të njëjta, nga i njëjti Tribunal u akuzua edhe komandanti i UÇK-së për zonën e Dukagjinit. Njëqind ditë pasi mori detyrën si kryeministër, Ramush Haradinaj dha dorëheqje pasi u akuzua për krime të luftës, bashkë me Idriz Balajn e Lahi Brahimajn. Në prillin e vitit 2008, ai u lirua nga të gjitha akuzat. Por, procesi nuk do të përmbyllej këtu. Gjykata e Apelit në Hagë vendosi që të kishte rigjykim të pjesshëm. Edhe pas kësaj, rezultati ishte i njëjtë. Ramush Haradinaj bashkë me Balajn e Brahimajn, u liruan sërish në vitin 2012 nga të gjitha akuzat.
Një betejë tjetër me drejtësinë, Haradinaj e pati edhe në vitin 2017. Më 4 janar ai u arrestua nga Policia e Francës në Colmar, pas urdhrit për ekstradim nga autoritetet e Serbisë. Por, edhe në këtë betejë ish-kryeministri i Kosovës doli fitimtar, pasi fillimisht u lirua me kusht, e në muajin prill të 2017-s, Franca ia refuzoi Serbisë kërkesën për ekstradim.
Përballja e krerëve të UÇK-së me drejtësinë vendore
Haga nuk ishte vendi i vetëm ku ish-udhëheqësi i UÇK-së, Fatmir Limaj, pati përballje me drejtësinë. Një gjë të tillë ai e pati edhe me drejtësinë në Kosovë, por ku gjyqtarët e prokurorë ishin të huaj. Limaj bashkë me nëntë ish-pjesëtarë të tjerë akuzoheshin për krime lufte në rastin që njihej si “Kleçka”. Fillimisht u shpallën të pafajshëm në vitin 2013, e pastaj rasti u kthye në rigjykim. Në një proces maratonik, kryetari i Nismës Socialdemokrate sërish u lirua nga të gjitha akuzat.
Fatin e Limajt nuk e kishin edhe disa udhëheqës tjerë të UÇK-së. Komandanti Sylejman Selimi ishte dënuar me 7 vjet burgim nën akuzat për torturimin e një të burgosuri civil në qendrën në Likoc. Selimi u lirua me kusht në vitin 2019. Për vrasjen e një të burgosuri fillimisht ishte dënuar edhe Sami Lushtaku. Por, në nëntor të vitit 2016 ai u shpall i pafajshëm për këtë pikë të aktakuzës. Me vendim të Supremes, Lushtaku u lirua më pas nga të gjitha akuzat për krime lufte.
Dënime pati edhe në rastin “Drenica 2”. Isni Thaçi, Zeqir Demaku e Jahir Demaku u dënuan me nga 6 vjet burgim. Kurse Agim, Driton, Bashkim e Selman Demaj dhe Fadil e Nexhat Demaku, u dënuan me nga 3 vjet burgim.
Beteja e fundit me drejtësinë – sërish në Hagë
Haga sërish po del të jetë kryeqendër e zhvillimeve që lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kësaj radhe, atje po zhvillohen procese në Dhomat e Specializuara, që u miratuan nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015.
Kupola e UÇK-së që mbante emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, po ngarkohen me akuza për krime të luftës. Edhe pse u arrestuan në nëntorin e vitit 2020 procesi gjyqësor ende nuk ka nisur dhe të gjithë të akuzuarit vazhdojnë të mbahen në paraburgim. Secila kërkesë për lirim me kusht është refuzuar, përderisa avokatët e krerëve të UÇK-së kanë ngritur zërin për shkelje të të drejtave të njeriut, dhe shkelje tjera në procedurë.
Në Hagë në paraburgim është edhe ish-pjesëtari i UÇK-së nga zona e Llapit, Salih Mustafa. “Cali” ishte i pari që u arrestua nga hetuesit e Prokurorisë, dhe gjykimi në rastin e tij ka përfunduar. Prokuroria ka kërkuar 35 vjet burgim për Calin, kurse vendimi pritet së shpejti.
Për krime lufte po akuzohet edhe një tjetër pjesëtar i UÇK-së. Fjala është për Pjetër Shalën, që u arrestua në Zvicër, e më pas u ekstradua drejt Hagës. Edhe procesi ndaj Shalës është ende në procedurën paraprake, dhe gjykimi pritet të nisë së shpejti.
Për dallim nga këto tri procese, në Dhomat e Specializuara po gjykohen edhe Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, udhëheqës të Organizatës së Veteranëve të Luftës. Rasti i tyre është në Gjykatën e Apelit, pasi në shkallën e parë ata janë dënuar me nga 4 vjet e gjysmë burgim.
Mundësia për aktakuza të reja nga Gjykata Speciale mbetet e hapur, por ajo që mund të konstatohet, është se Specialja llogaritet si beteja e fundit e krerëve të UÇK-së me drejtësinë ndërkombëtare.
Shumë prej këtyre ‘betejave’ të ish-luftëtarëve të UÇK-së janë parë në vend si politike dhe si përpjekje nga Serbia për të përmbysur narrativën e viktimës dhe agresorit në të mirë të saj./Nacionale
TESTAMENT I MESUESIT SHQIPETAR Mësuesi Halit Geci, i vrarë nga barbaia sërbe në Llaushë, më 1998. Para tytave vrastare Para barbarisë mesjetare Me fytyrë e gjymtyrë Me qenje E me shpirt Por, Edhe me gojë E tha! Unë jam Mësuesi Halit...! -Vazhdoi testamnetin Ju e vrisni Mësuesin Halit! Ama...! Nuk vrisni Mësuesin shqiptarë. Pas meje Këtë rrugë Ecin Djetra mija Mësues misionarë. Qindra mija Nxënës e studentë Shqiptarë ! Këtu ju them…! Kurrë nuk vritet Mësuesi shqiptar! Kurrë nuk ndalet Shkolla shqipe! Me shekuj Jeton e do jetojë. Këtu ishim Këtu jemi E do të jemi Sa të ketë jetë Në këtë planet Të të gjallëve Do të ketë Nxënës e shkollë Gjuhë e libra Shqipe Do të ketë mësues Misionar shqiptarë Ushtarë çlirimtar Do të ketë popull Shtet e komb Shqiptar...!
Përgjigju