Foto: Vjosa Osmani
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar me rastin e 26-vjetorit të çlirimit të Kosovës. Përmes një postimi në rrjetet sociale Osmani shprehet se 26 vjet më parë, mbi tokën e djegur të Kosovës zbarkoi shpresa.
Osmani thekson se pavarësisht përpjekjeve të armiqve të Kosovës për ta ndryshuar historinë, një histori e shkruar me gjak nuk mund të ndryshohet e as fshihet nga gënjeshtra të shkruara me laps.
Postimi i plotë
Kosova e lirë, përjetë krenare! Në këtë ditë, 26 vjet më parë, mbi tokën e djegur të Kosovës zbarkoi shpresa: 50 mijë ushtarë të NATO-s hynë në vendin tonë të stërvuajtur duke kontribuar në çlirimin e një populli që ishte shtypur me shekuj, e mbi një milion shqiptarë u kthyen në shtëpitë e tyre.
Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtarët e NATO-s e kthyen tmerrin në guxim dhe dhimbjen në shpresë. Në atë ditë historike, ata sollën dritë pas një errësire të gjatë dhe e bënë lirinë realitet.
Pavarësisht përpjekjeve të armiqve të Kosovës për ta ndryshuar historinë, një histori e shkruar me gjak nuk mund të ndryshohet e as fshihet nga gënjeshtra të shkruara me laps. Kosova e lirë, e pavarur, demokratike, e përjetshme! Sepse përjetësinë ia dhanë dëshmorët e martirët e lirisë!
Lajmi kryesor:
Dita e çlirimit, Osmani: 26 vjet më parë, në Kosovë zbarkoi shpresa për popullin! Begaj: Hyrja e NATO-s ndaloi masakrat që po ndodhnin në zemër të Evropës
Xh.K/ReportTv.al
