Nuk e ka parë asnjëherë botën me sytë e tij. Por bota e tij është e madhe dhe e larmishme.
Albani 29-vjeç ndonëse ka lindur i verbër, i është gëzuar jetës me gjithcka që i ka ofruar.
“Dal nga shtëpia, në disa raste dal nga shtëpia, shkoj në shkollë. Mbasdite lexoj dicka, ose në rrjetet sociale ose kur kam për të studiuar lexoj ndonjë libër të caktuar. Në fillim duket pak e vështirë pasi mendon dhe vet me mendjen tënde për paragjykimet, për cdo gjë që mund të thonë ata për një person të verbër. Por më vonë, pas dy-tre javësh është shumë e kollajshme të integrohesh”- u shpreh Albani.
Zgjodhi të studiojë për shkenca politike pasi e ka pasion politikën, por e sheh të vështirë përfshirjen për shkak të paragjykimeve.
“Jam student në një universitet privat për Psikologji. E kam studim të dytë në fakt pasi unë kam studiuar për Shkenca Politike në Fakultetin e Shkencave Sociale. Gjithashtu më pëlqejnë shumë dhe i ndjek zhvillimet politike dhe prandaj ndoqa degën Shkenca Politike. E kam me pasion por nuk mund të përfshihem pasi personat me aftësi të kufizuara politika i paragjykon dhe nuk i dëshiron në politikë”-tregoi Albani.
Nga pamundësia për të lëvizur vetëm, Albanit i është bërë babai shoqëruesi më i mirë. Ai na tregon vështirësitë që përballet cdo ditë.
“Gjatë gjithë ditës mua më ndihmon babai dhe më ndihmon kudo që unë shkoj. Infrastruktura këtu është mjaft e dobët sidomos për ne dhe për personar paraplegjik pasi nuk janë në të gjitha rrugët ato shiritat, vetëm në dy-tre vise të caktuara janë, edhe në ato e ke të pamunudr të lëvizësh pa shoqërues. Mua shoqëruesi më duhet medoemos”- thotë 29 vjecari.
Por ndonëse i shkolluar dhe me aftësi shumë të mira kompjuterike, Albani nuk gjen dot një punë.
“Punësimi për ne është mjaft i vështirë. Në rradhë të parë njëherë nuk zbatohet ligji i punës sepse 1 në 25 persona psh duhet të jetë person më aftësi të kufizuar, si në institucion publik dhe në atë privat. Për fat të keq nuk e zbatojnë. Përpjekjet janë mjaft të vështira. Sado përpjekje të bësh janë institucionet ato që duhet të na mbështesin, si publike dhe ato private”- tregoi Albani.
29 vjeçari është djali i madh në një familje me tre fëmijë. Njëjtë si ai, edhe vëllai i tij dy vite më i vogël ka lindur i verbër, ndërsa ka dhe një motër më të vogël. Për shkak të problemeve shëndetësore, Albanit i është dashur të kryej transplant veshke.
“Unë kam pasur probleme me veshkat dhe kam kryer transplant veshke edhe marr medikamente edhe pas transplantit pasi janë të nevojshme për të mbrojtur veshkën, por për fat të keq nuk rimbursohen të gjitha. Në këto kohë pandemie, e kemi pasur shumë të vështirë ti blejmë medikamentet, ato nuk janë fare të rimbursueshme. Duhet të jenë të rimbursueshme të gjitha medikamentet për një person me aftësi të kufizuara”- shpjegoi 29 vjeçari.
Ëndrra e ketij të riu është gazetaria radiofonike dhe sot në ditën ndërkombëtare të personave e aftësi të kufizuar ka një mesazh:
“Dëshirën më të madhe, pavarësisht se kam zgjedhur Shkencat Politike, kam dëshirë të punojë në nje zyrë ose me cështjet kompjuterike por ajo që kam pasur ëndërr më shumë është puna në gazetari radiofonike. Duhet ti mbështesni personat me aftësi të kufizuara, mos i paragjykoni pasi mund të bëjnë shumë punë si jurist,psikolog, mund të punojnë në punë kompjuterike pasi personat me aftësi të kufizuara janë shumë të aftë në teknologji, punojnë në zyra, call center etj”, e mbyll rrëfimin e tij Albani.