3 dekada në harresë, ish-Radio Tirana drejt restaurimit! Projekti i pronarit/ Monumenti ruhet, por kthehet në ambient për zyra! Publiku e viziton veç me sy

7 Korrik 2023, 15:49| Përditesimi: 7 Korrik 2023, 16:03

  • Share

E gjendur në rrugën “Kont Urani”, godina mbi 93-vjeçare  ku u vendos Radio Tirana në fundvitet ’30, dhe ka mbajtur këtë emër deri në mesin e viteve ’60 kur më pas shërbeu si Instituti i Kulturës Popullore, do të restaurohet.

“Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore në datë 6 korrik është mbledhur dhe një ndër çështjet që u miratua dhe u shqyrtua në Këshill ka qenë edhe restaurimi i Monumentit të Kulturës së Kategorisë së Dytë që ne e njohim si Radio Tirana”, u shpreh drejtorja e IKTK, Klesta Qirici.

Konform ligjit 27/2018 “Për trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”  ndërhyrjet do të jenë të natyrës konservuese dhe restauruese.

“Kjo do të thotë që respekton fasadën dhe volumetrinë e jashtme, por në rastin konkret ndërhyrja respekton dhe gjendjen e brendshme, interierin. E vetmja ndërhyrje në brendësi do të jetë vendosja e një ashensori për personat me aftësi të kufizuar, por kjo nuk do të prekë strukturën, sepse do të vendoset në hapësirën bosh të shkallëve”, thotë më tej.

Ish-godina monument kulture u pa e rrethuar, prej ditëve të para të qershorit. Iniciativa për nisjen e punimeve restauruese ka qenë e pronarit, që më pas ka aplikuar pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, që e ka miratuar dhe do të mbikëqyrë restaurimin.

“Projekti është bvërë me iniciativë të pronarit, por patjetër që ka pasur arkitektë dhe restauratorë të licensuar, i cili është GENc Samimi. Ndërhyrjet do të zgjasin një vit”, shton më tej.

Për 3 dekada e lënë në harresë,  specialistët kanë analizuar strukturën ndërtimore dhe të elementëve sipërfaqësorë të objektit.

“Degradim të gjendjes strukturore nuk kemi, patjetër që ka nevojë për prekje, por nuk ka degradim të shkallës shumë të lartë . Aty ku ka më tepër degradim janë këto që kanë të bëjnë më tepër me fasadën, suvatimet, me elementët e kangjellave të portës. Kryesisht pjesët që kanë elementë druri që kanë të bëjnë dhe me vetratat grillat, të gjitha këto janë parë janë studiuar”, tregon ajo.

Degradimi më i lartë ëshët konstatuar në pjesën e çatisë, e ndërtuar me elementë druri.

“E gjithë çatia do të ribëhet sipas formës duke respektuar volumin dhe lartësitë ekzistuese, kështu që dhe ndërhyrjet do të fillojnë me restaurimin e çatisë dhe më pas do të zbresin poshtë me fasadën, suvatimet dhe zëvendësimet e elementëve të drurit”, thotë më tej.

Në projektin e miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, është saktësuar edhe funksioni që godina do të marrë pas restaurimit.

“Ka ardhur edhe Rijetësimi, ku jepet dhe një funksion, që do të jetë për zyra. Në projekt është paraqitur kjo duke respektuar të gjitha hapësirat”, tregon ajo.

Ambientet do të jenë private.

“Duke qenë se është edhe një pronë private pronari ka të drejtë ta kthejë me funksione private, por duke respektuar të gjithë atë që ne e quajmë në konform të Ligjit të Trashëgimisë Kulturore fasadën dhe hapësirat”, thotë Qirici.

Nuk do të ketë hapësira të vizitueshme.

“Por një gjë e mirë është që muri i lartë do të ulet pak më tepër. Do të vendosen disa kangjella në mënyrë që të jetë e vizitueshme nga syri i publikut”, shprehet ajo.

Siç bën me dije drejtorja e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, nuk ka pasur bisedime për të arritur një marrëveshje shtet-pronar, që monumenti, një nga vilat e para moderne të Tiranës, në stilin Palladian, të ishte i hapur për publikun.

“Nuk e kemi bërë këtë se kjo ka qenë iniciativë e pronarit. Pronari ka një plan qoftë edhe biznesi kështu që për ne rëndësi ka të ruajë sot edhe kësaj ditë vlerat arkitektonike për çka është ende sot monument kulture .  Në momentin që i ruan këto dhe rijetësimi i pronarit nuk cenon këto elementë për të cilat ne jemi përgjegjës, në këto momente jemi konform ligjit”, thotë ajo.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?