Kronikë

3 ditë pas masakrës me 4 të vrarë, braktisen hotelet e familjeve Ferracaku dhe Gocaj! Pushuesit mbushin Velipojën: Ngjarje e izoluar, nuk na tremb

29 Qershor 2021, 17:42| Përditesimi: 29 Qershor 2021, 17:50

  • Share

VELIPOJË- Askush nuk ka guxuar t’i prekë këto kashtore....Kanë mbetur në rërë si dëshmi e heshtur e konfliktit që përfundoi tragjikisht mes familjeve Ferracaku e Gocaj.

Përpara hotel "Fantazia" pronë e familjes Ferracaku pushuesit numërohen me gishtat e dorës....e njëjta panoramë është në kahun tjetër, në plazhin privat që menaxhojnë  Gocajt. Policia nuk ka kryer asnjë veprim, edhe pse molla e sherrit ishin pikërisht këto çadra e shezlongë....

Një panoramë tjetër na shfaqet 400 metra më larg....në qendër të Velipojës....

Velipoja u trondit tre ditë më parë nga ngjarja e rëndë, masakra me 4 të vdekur. Report TV ka udhëtuar sot në Velipojë 35 nga Shkodra, me një vijë bregdetare prej 8 kilometrash. Report Tv u është drejtuar pushuesve për të mësuar atë me të cilën përballen; A ka hapësirë mjaftueshëm dhe a ka plazhe publike?

Pushuesit shprehen të kënaqur me atë çfarë ofron plazhi më i madh në veri të vendit, me një brez të gjerë rërë dhe det të pastër.

“Jemi të kënaqur, unë jam 93-vjeçar dhe kam ardhur këtu. Çdo vit vijmë. Nuk kemi frikë, por na vjen keq që të mos ndodhin këtu gjëra, është shumë keq, nuk është mirë”.

“Prej 8 vitesh vijmë këtu, kushtet janë shumë të mira, na vjen keq për atë që ka ndodhur, por ajo ka ndodhur. Këtu nuk ka kurrëfarë problemi”, thanë turistët.

Pamjet tregojnë qartë se pushuesit janë të shumtë në numër këtë fundqershori. Të ardhur nga Kosova, ata shprehen se përplasja e 27 qershorit është një ngjarje e izoluar dhe nuk duhet të përdoret për të dëmtuar imazhin e Velipojës.

“E kam dëgjuar, mos e dëgjofsha më kurrë. Shumë jam i pikëlluar, jam prekur prej asaj familje, na ka ardhur keq, madje e kam një djalë dhe një vajzë në Gjermani dhe më pyeten ‘babi a do shkosh më aty’, unë i thashë ‘jo pse’, po ‘se është rrezik më thanë’. Jo i thashë ca rrezik, gjithkund ndodhin këto gjëra”, tha një tjetër.

Hapësira për plazh publik në Velipojë nuk mungon, por ajo është shumë më e vogël se sa hapësira ku janë vendosur shezlongët nga operatorët privat.

“Velipoja është vend fantastik  e ka fal Zoti, nuk ka vend më të mirë, por duhet rregulluar pak rrugët, rëra është e mirë, ajri, uji, të gjitha”, tha një tjetër.

Edhe pse ende nuk janë miratuar lejet për stacionet e plazhit, duket qartë se e gjithë vija bregdetare është e mbushur me shezlongë. Jashtë kamerës, operatorët turistik shprehen se janë në pritje të lejeve nga Ministria e Turizmit, ndërsa kryebashkiakja Voltana Ademi tha se deri më tani është miratuar vetëm një leje, ndërsa me dhjetëra operatorë të tjerë presim për tu licencuar edhe pse data shënon 29 qershor.

Hotel Fantazia dhe Gocaj

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?