Thumana, një ndër zonat më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit ku edhe pas 3 muajve për shumë banorë drama që la pas tërmeti nuk ka mbaruar, ka ende nga ata që presin një zgjidhje për strehim.
Në këtë situatë është dhe familja Koleci, shtëpia e të cilëve ka pësuar dëme të mëdha dhe është shpallur e pabanueshme. Kryefamljari Nerim Koleci tregon që pas 26 nëntorit ka jetuar tek të afërmit bashkë me bashkëshorten e tij dhe vajzën e vogël vetëm 3 vjeç.
"Unë kam vajzën tre vjeç, edhe nusen dhe vetë. Aktualisht po jetoj një ditë te një mik, një ditë te një tjetër, kam ngelur në qiell të hapur", tha Nerim Koleci.
Nerim Koleci thotë se ka aplikuar për bonus qiraje por nuk e ka marrë atë, në këto kushte ai kërkon një kontejner për të kaluar ditët e ftohta të dimrit.
"Kam aplikuar për bonus qiraje, por nuk po e dimë. Del sot nuk del tre muaj. Nuk kam marrë asnjë ndihmë, vetëm nga një kishë këtu në Thumanë. I bëj thirrje ndonjë privati që të më sjellë një kontejner se nuk e di çfarë të bëj", tha Nerim Koleci.
Në situatë të ngjashme janë disa familje në Thumanë, të cilët vijojnë të qëndrojnë ende në çadra.