Testi më i shpejtë i inteligjencës në botë mbush 20 vjet. Ai u hartua në vitin 2005 nga një grup shkencëtarësh të MIT (Institutit të Teknologjisë në Massachusetts, Boston), të udhëhequr nga profesori Shane Frederick. Ky nuk është një test për të matur koeficientin e inteligjencës (QI), por për të vlerësuar aftësinë tonë për të reflektuar, për të menduar në mënyrë të thelluar. Dhe për ta bërë këtë, mjaftojnë vetëm tre pyetje.
Sigurisht, nuk janë pyetje të zakonshme: secila prej tyre përmban një kurth logjik dhe, për të gjetur përgjigjen e saktë, duhet të reflektosh më shumë sesa duket në pamje të parë.
Prej vitesh ky test është përhapur shumë në internet, por për të kuptuar nivelin real të vështirësisë, mjafton të thuhet se nga 3.000 pjesëmarrësit në eksperimentin origjinal (persona me prejardhje të ndryshme sociale e kulturore, përfshirë edhe studentë të universiteteve Yale dhe Harvard), vetëm 17 për qind arritën ta kalonin me sukses.
Nëse doni të testoni veten, këto janë tre pyetjet. Më poshtë gjeni edhe përgjigjet.
Pyetja e parë: Topi i bejsbollit
Një shkop dhe një top bejsbolli kushtojnë së bashku 1.10 dollarë. Shkopi kushton 1 dollar më shumë se topi.
Sa kushton topi?
Pyetja e dytë: Në fabrikë
Nëse 5 makina prodhojnë 5 pajisje për 5 minuta,
sa kohë do t’u duhet 100 makinave për të prodhuar 100 pajisje?
Pyetja e tretë: Zambakët e ujit
Në një liqen ka një njollë zambakësh uji që çdo ditë dyfishohet në përmasë.
Nëse duhen 48 ditë që njolla të mbulojë gjithë liqenin,
sa ditë do të duhen që zambakët të mbulojnë gjysmën e liqenit?
Përgjigjet
Përgjigjja e pyetjes së parë: Topi i bejsbollit
Përgjigjja e saktë është 5 centë.
Nëse topi kushton 5 centë, atëherë shkopi, që është 1 dollar më i shtrenjtë, kushton 1.05 dollarë. Së bashku bëjnë 1.10 dollarë.
Gabimi i zakonshëm është të thuhet 10 centë, por në atë rast shuma do të ishte 1.20 dollarë (shkopi 1.10 + topi 0.10), çka nuk përputhet me pyetjen.
Përgjigjja e pyetjes së dytë: Në fabrikë
Përgjigjja është 5 minuta.
Nëse 5 makina bëjnë 5 pajisje në 5 minuta, kjo do të thotë që çdo makinë prodhon një pajisje në 5 minuta. Pra, edhe 100 makina, secila duke prodhuar një pajisje në 5 minuta, do të prodhojnë 100 pajisje në po të njëjtën kohë: 5 minuta.
Përgjigjja e pyetjes së tretë: Zambakët e ujit
Përgjigjja është 47 ditë.
Nëse njolla dyfishohet çdo ditë dhe mbulon gjithë liqenin në ditën e 48-të, atëherë një ditë më parë – në ditën e 47-të – ka mbuluar gjysmën e liqenit.
Ky test është një shembull klasik i mënyrës sesi mendja jonë shpesh zgjedh zgjidhjen më të shpejtë dhe më të dukshme, edhe kur ajo është e gabuar. Ai na nxit të ndalemi dhe të mendojmë përtej intuitës së parë.
Komente
