Tre shokët që nuk e tradhtuan njëri-tjetrin as në burgjet e diktaturës komuniste shqiptare! Rrëfimi i tyre në 'Esencë' në Report Tv

26 Janar, 22:03| Përditesimi: 27 Janar, 07:55

  • Share

3 shokë, 3 njerëz, 3 të burgosur, 3 vuajtje që po ti mbledhësh bashkë janë po e njëjta jetë e shqiptarëve që vuajtën dënimet me asnjë faj në burgjet komuniste shqiptare. Ne Emisionin Esencë në Report Tv, gazetari Eljan Tanini solli historinë e 3 shokëve që vuajtën në të njëjtat burgje e që u bënë miq pa e tradhëtuar kurrë njëri tjetrin në asnjë rrethanë të mundshme.

Eljan Tanini: - Ahmet, kur dhe si je dënuar, ne cilat rrethana? Për cilën arsye?

Ahmet Tufa: -Në vitin 1980 jam arrestuar me nenin 57 sepse ndër të tjera krijova një organizatë komuniste. Në vitin 1981 më dërguan në Spaç. Jam dënuar me 25 vjet burg. Torturat në burgje kanë qenë në forma të ndryshme, kam qenë shumë i ri kurvajta në burgun e Spaçit. Atje takova njerëzit e idealit tim. Edhe pizhamat më morën në Spaç, nuk më lane të vishja ato që solla vetë. Pjetër Koka ishte një ndër gardianët me shpirt të keq! Bedri Blloshmi dhe Zyhdi Morava na ndihmonin në minierë, mbushnin vagonat për ne kur nuk e kapnim normën, Bedri Blloshmi na bënte normën kur ne nuk mundeshim sepse vagoni ishte 2 ton. Edhe ne kishim propagandën tonë që na mbante kundër regjimit. Jemi rrahur në mënyrë të egër se nuk ishte bërë norma. Nuk kisha njerëz jashtë burgut, ushqimi ishte i rëndë, ne e dinim shumë mirë se çfarë na priste.

Eljan Tanini: -Çfarë më thua për Edmond Cajën?

Ahmet Tufa: Po ta shohësh Edmond Cajën, ai nuk duket si kriminel. Sandër Sokoli u rrah barbarisht me treshokët e tij të dënuar në mes të kampit. Në sheshin para mencës ai dha shpirt nga torturat. Më morën në orën 24:00 dhe më çuan në zyrën teknike, unë e dija se çfarë do më gjente atje! Edmond Caja më ka rrahur sistematikisht prej tij dhe atyre që ai urdhëronte. Rrihnin edhe burra 70 vjeçarë! Ata më kanë shurdhuar veshin e majtë, më goditën. I kam shkruar një letër Enver Hoxhës, për të vënë dorë në burg, letrën nuk e çuan kurrë. Operativit të zonës së Pukës i thashë që kam një çështje shumë serioze. Më erdhi Rrapi Mino në burg për faktin se ata kanë përdorur dhunë. Edmond Caja më në fund ndryshoi nga ajo revoltë, por më pas e pësuan të gjitha kampet. Edmond Cajën e kam takuar kur dola nga burgu. Ishte i përkushtuar për masa shtrënguese. Edmond Caja një ditë kur e takova në demokraci në zyrat e shtetit më kërkoi falje se kishte frikë.

Eljan Tanini: -Po ju Bajram, ku e keni vuajtur dënimin?

Bajram Dervishaj: - Në burg kam rënë në vitin 1963, jam arrestuar në Tepelenë, më pas bëra 10 vjet në burgun e Gjirokastrës, kam qenë edhe në burgun e Vlorës. Isha 17 vjeç kur rashë në burg, më dënuan për tentim arratisje. Kemi ndërtuar Sodën Kaustike të Vlorës, në Bajzë të Elbasanit kemi bërë një fabrikë çimentoje, po ashtu në Fushë Krujë dhe prapë në Elbasan. Kam qenë 6-7 vjet në burgun e Burrelit, pastaj në Spaç, prapë në Burrel, Ballsh, Spaç, Qafë Bari, Burrel e ku më pas dola. Kam bërë 28 vjet, 1 muaj e 19 ditë. Po të ishte se do të vazhdonte jeta moniste do të bëja edhe 15 vjet burg të tjera. Ahmet Tufën dhe Bedri Blloshmin i kam pritur unë në burgun e Spaçit. Jam dënuar 8 herë nëpër burgje. Kur u hap Spaçi nuk kishte zogj, sot është i mbushur me kufoma. Zogjtë erdhën atje kur erdhëm ne. Në Spaç ishte o normën o shpirtin.

Eljan Tanini: -Burgu i Burrelit si ishte?

Bajram Dervishaj: -Në Burrel shkruhej me të mëdha ‘’KËTU I THONË BURREL, KUSH HYN MË NUK DEL’’! Komunistët shqiptarë kanë qenë pushtues të këtij vendi, askush nuk e hoqi fenë. Ne kemi ankthe, kemi edhe një krenari që dolëm gjallë. Shpirti dhe mendja jonë atje janë, atje ku kanë vdekur shokët tanë. Në kampin e Spaçit bëheshin qindra divorce në vit, më duhen ditë e netë të flas për atë që kanë bërë ata mbi ne. Kam krijuar familje në moshën 48 vjeçare, jetën e kam nga gruaja, kam qenë jetim, kam fjetur rrugëve, dola 53 kile nga burgu, më dhanë 1 muaj jetë. Nuk figuroja si i gjallë në gjendjen civile, të afërm nuk kisha, edhe në Greqi më këputën një të rrahur kur vajta si emigrant. Unë kam dalë nga burgu me mendimin se do të jetojë, nuk do të vdes! Një natë më marrin në zyrën teknike, në zyrën që e kishin krijuar vetë me njerëzit e tyre. Më kanë tortuar në stol nga Edmond Caja dhe policët e tjerë. Kemi qenë skllevër të komunizmit shqiptar, më keq se skllavi romak. Ata bënin ekspertimente me ne, masnin durimin e njeriut. Shoh llahtare natën, na hoqën mend e kokës. Problemi më i madh ishte kur prisnim radhën për tu rrahur! Unë mund të kem bërë nja 80 muaj biruca i  lidhur këmbë e duar. Urim Elezi nga Floqi i Korçës i  nxori një shokut tim sytë e ballit.

Eljan Tanini: -Po Burreli, burgu si ishte?

Bajram Dervishaj: -Shqiptari ishte pushtues i  vetes së tij, e kthyen Shqipërinë në plaçkë. Në burgun e Burrelit kur vdiste personi, i vinin një cigare në gojë që ai tjetri të merrte bukën. Hanim presh me krimba, krimbat ishin mishi. Operativi ushtroninte gjithmonë dhunë mbi të gjithë, ne ishim futur në listën e vdekjes.

Eljan Tanini: -Si e mban mend Uran Kostrecin dhe Edmond Cajën dhe dhuna mbi ju?

Bajram Dervishaj: -Uran Kostreci i  shpëtoi plumbave së gjalli, i gjuajtën por nuk e kapi asnjë plumb! Edmond Caja ka qenë ekspert i komunizmit mbi ne, ishte kriminel. Edmond Caja në fytyrë ishte si nuse e bukur, i kishte të gjitha. Më ka hyrë këpuca e policit në gojë nga dhuna e tyre. Kam dalë nga burgu gjysmak. Torturat nuk ishin te shkruara diku. Mbi ne veprohej gjithmonë verbalisht sipas tyre. Ata të rrihnin, të vdisnin dhe në letra shkruanin të tjera gjëra.

Eljan Tanini: -Bedri Blloshmi, po jeta juaj në burg si ka qenë?

Bedri Blloshmi: -Jam dënuar në Librazhd e më pas më çuan në Spaç. Në Spaç skllevërit si unë punonin me 3 turne. Më kanë lidhur edhe rrotën e vagonit në duar. Autoburgu vinte shumë shpesh në Spaç. Po të lexosh ligjet dhe rregullat e asaj kohe nuk ka në të shkruar nga ato që kemi hequr ne. Ne fillim kemi qenë të tre në Spaç. Ende më djeg kurrizi nga ajo kohë. Unë gjërat i kam thënë hapur, në burg më kanë përgjuar. 3 korrik 1984 u shemb galeria, zuri nën vete dy njerëz, ne punonim pa limit, pa turne, punonim edhe të sëmurë rëndë.  Operativi merrte informacione për të arrestuar dikë. Rrija afër murit që mos më ikte koka. Edmond Caja kënaqej kur na dhunonin. Unë i kisha shpëtuar pa më dhunuar. I thashë se nuk i kisha bërë asgjë. Ai më tha se e kishte lënë porosi për të më dhunuar në burgun tjetër. Dosja ime quhet 1594, 2A. Bajram Pela ishte ai që merreshe me mua. Më thane të bëhesha bashkëpunëtor i sigurimit nga kryetari i degës së Spaçit brenda rrethanave dhe me mjete shtrënguese. 

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ed jupi: 27/01/2024 02:06

    E kujt po ja rrefejne, ktij tipit qe tradhetoi kauzen e vet, per nje pozicion qe i dha lali?! Vk

    Përgjigju
    • Tao: 27/01/2024 10:47

      Atij qe i dha zë e ne të tjerëve që e dëgjuam. Respekt për sakrificën tuaj, keqardhje për vuajtjet dhe fatin.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?