Gjykata e Lartë ka rinisur procedurat për plotësimin e 3 vakancave që kanë mbetur në Gjykatën Kushtetuese, anëtarë që duhet të zgjidhen nga radhët e gjyqësorit nga vetë ky institucion.
Mungojnë kandidaturat pasi shumë pak plotësohen kriteret kushtetuese, ndaj edhe në KED ende nuk ka asnjë proces. Një prej vendeve vakant është ai i gjyqtares Vitore Tushës, të cilës i mbaroi mandatin 9-vjeçar. Po ashtu vakant është edhe vendi i Fatmir Hoxhës, i cili u shkarkua në vitin 2018, si dhe i Gani Dizdarit, që u shkarkua në vitin 2019.
Problematikat e këtij procesi janë 2, e para sepse mungojnë kandidaturat pasi shumë pak gjyqtarë plotësojnë kriteret kushtetuese ndërkohë që edhe nëse një problem i tillë nuk do të ishte në Gjykatën e Lartë nuk plotësohet kuorumi për të zhvilluar një mbledhje të vlefshme për zgjedhur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata e Lartë duhet të ketë 17 anëtarë dhe për ta bërë një mbledhje të vlefshme për zgjedhjen e anëtarëve të Kushtetueses duhet të marrin pjesë 3/4 e anëtarëve pra mbi 13 anëtarë.
Aktualisht Gjykata e Lartë ka 7 anëtarë, të ndarë në 3 Kolegje. Konkretisht në Kolegji Penal janë gjyqtarët Ilir Panda, Sandër Simoni, Albana Boksi, Klodian Kurushi, Sokol Binaj. Në Kolegjin Civil 0të Gjykatës së Lartë është caktuar vetëm Ervin Pupe dhe në Kolegjin Administrativ vetëm Sokol Sadushi.
Procedura e zgjedhjes nga Gjykata e Lartë të tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese sipas ligjit për Gjykatën Kushtetuese:
1. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, sipas këtij ligji, njofton për vendin vakant Kryetarin e Gjykatës së Lartë, i cili shpall në mjetet e informimit publik dhe në faqen zyrtare të internetit hapjen e procedurës së aplikimit. Kryetari i Gjykatës së Lartë pranon kandidaturat brenda 30 ditëve nga njoftimi, i bën ato publike dhe ia dërgon Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Institucionet publike që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë, organizata të shoqërisë civile me veprimtari në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose të krijuara për mbrojtjen e interesave të përdoruesve të sistemit të drejtësisë mund të paraqesin opinionet e tyre në lidhje me kandidaturat pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi
2. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas vlerësimit të kushteve dhe kritereve të emërimit, brenda 10 ditëve rendit kandidatët dhe i paraqet Kryetarit të Gjykatës së Lartë raportin e miratuar me shumicën e të gjithë anëtarëve, bashkë me listën dhe dokumentacionin shoqërues, për çdo kandidat. Raporti i arsyetuar, pasi miratohet me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, publikohet.
3. Kryetari i Gjykatës së Lartë thërret mbledhjen e posaçme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Mbledhja është e vlefshme nëse marrin pjesë jo më pak se tre të katërtat e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Lista me kandidatët u bëhet e njohur më parë të gjithë pjesëmarrësve në mbledhje.
4. Për çdo vend vakant votohet për secilin nga kandidatët e renditur në tre vendet e para të listës. Kandidati që merr tri të pestat e votave të gjyqtarëve të pranishëm shpallet i zgjedhur. Nëse nuk arrihet shumica e nevojshme, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi konsiderohet i zgjedhur.
5. Emri i gjyqtarit të zgjedhur i njoftohet menjëherë Kryetarit të Kuvendit, Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
Njoftimi i plotë i Gjykatës së Lartë
Dy anëtarët e Gjykatës së Lartë, zëvendëskryetari Sokol Sadushi dhe anëtari i Kolegjit Penal Sandër Simoni mund të jenë kandidatë për Gjykatën Kushtetuese.
Gazetari i Report Tv Arsen Rusta ka mësuar ekskluzivisht se këto dy gjyqtarë mund të jenë pretendent për në Kushtetuese, ndërkohë që ka një mungesë kandidaturash që plotësojnë kushtet, gjë që e ka vënë në vështirësi Gjykatën e Lartë.
Por Sadushi, ka mohuar se do të jetë kandidat për në Gjykatën Kushtetuese. Në një reagim pas lajmit të publikuar ai thotë se e ka të ndaluar të kandidoje sepse ka qenë një herë anëtar dhe nuk ia lejon Kushtetuta.