Disa ditë pasi SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve dhe çoi çështjen për gjykim, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kthyer sot për të dytën herë aktet në ngarkim të Ilir Nishanit, vëllait të ish-presidenti Bujar Nishani, Genci Hickës dhe Gerson Tafës, të cilët akuzohen për korrupsion.
Prokuroria kishte kërkuar pushimin e çështjes për dy mjekët Kostandin Balloma dhe Besim Boçit, të klinikës "Luis Medikal", ndërkohë që GJKKO, ka kërkuar të merren të pandehur edhe këta dy të fundit.
Hicka, Tafa dhe Nishani ishin inspektor të Ministrisë së Mjedisit, dhe i kishin kërkuar klinikës ku punonin Balloma dhe Boçi, 30. 000 lekë. Konstandin Balloma ka kallëzuar vetë në SPAK 3 inspektorët e mjedisit të cilët i kanë kërkuar 30 mijë lekë që mos t’i vinin gjobë për trajtimin e mbetjeve spitalore. Ka thënë se i ka dhënë lekët, dhe të nesërmen ka bërë kallëzim. Spak i ka marrë të pandehur në 2021 3 inspektorët e mjedisit, por nuk ka ngritur akuzë për mjekët. E kthyer një herë gjykata, SPAK arriti në të njëjtat përfundimi dhe GJKKO e ka rikthyer sërish me kërkesën për të marrë të pandehur mjekët. Inspektorët pretendojnë që nuk i kanë marrë paratë. Të gjithë janë në hetim në gjendje të lirë, ndërkohë që SPAK pritet ta apeloj vendimin e gjyqtarit paraprak.