I pushtuar nga mbeturinat, mbetjet e ndryshme plastike e deri tek inertet e pariciklueshme.
Është kjo panorama “mbytëse” që të ofron fshati Kuç i Bashkisë Dimal,që kthyer në një kosh mbeturinash për banorët që ankohen se ndihen të harruar nga shteti pasi prej 8 vitesh nuk marrin asnjë shërbim nga pushteti lokal.
“Kemi 8 vite që e kemi ngritur këtë problem. Kemi vajtur dhe në Bashki dhe në komunë. Çdo gjë hidhet këtu. Apeli im është që të rregullohet dhe pastrohet ky ambient. Ne kërkojmë të pastrohet dhe të sistemohen aty ku duhet mbetjet”.
Janë mbi 300 familje të fshatit Kuç që e vuajnë këtë problem ndërsa thonë se në vendin ku depozitohen këto mbeturina ndodhen dhe varrezat.
“Problem i tjetër është që këtu ka qenë pjesë varrezash dhe këtu ka akoma kocka dhe është gjynah që hidhen mbi varrezat dhe ky është dhe një problem tjetër i madh”.
Për banorin Avni Belishaku kjo situatë është kthyer në një rrezik dhe frikë për ta, pasi mund të kthehet një burim sëmundjesh.
“I kam çuar fëmijët kush e di sa herë në spital pasi era e rënd, ajri i ndotur. 8 vjet kështu ka qenë këtu. Disa herë kam shkuar në bashki na përcjellin. Ata vijnë për fushatë dhe ikin. Asnjeri nuk e ka vënë dorën në zjarr. Nuk e kanë pastruar asnjëherë po merr edhe hidh në lumë, edhe pse nuk lejohet. Ja ku kemi shtëpinë, ja dhe mbeturinat. Këtu ka edhe kafshë të ngordhura, ka edhe qenë të ngordhur brenda. Çfarë të them!”
Burime pranë bashkisë Dimal bëjn me dije se kanë një projekt dhe do fillojnë pastrimin dhe sistemimin në të gjitha fshatrat e kësaj bashkie duke përfshirë edhe fshatin Kuç.