31 mijë nxënës të klasave të pesta testojnë njohuritë! Nxënësit: Provim i thjeshtë! Mësuesit: Qëllim për të rritur cilësinë

23 Maj 2022, 21:27| Përditesimi: 23 Maj 2022, 21:42

  • Share

 TIRANË- Nxënësit e klasave të pesta u janë nënshtruar këtë të hënë provimit vlerësues për 3 lëndët bazë, gjuhë shqipe, matematikë, dituri natyre.

Vështirësi më të madhe nxënësit hasën kryesisht në pyetjet e matematikës, ndërsa në përgjithësi provimi u cilësua i thjeshtë prej tyre dhe kohëzgjatja 1 orë e 30 minuta më se e mjaftueshme.

“Ishte i thjeshtë, nuk ishte i vështirë.”

“Në matematikë ishin pyetjet më të vështira. Nuk lashë asnjë pyetje pazgjidhur. Në klasë ishim 12 vetë.”

“Vetëm dy ushtrime lashë pa bërë.”

“Te gjuha me thënë të drejtë kisha vështirësi, te përshkrimi dhe te tekstet.Koha më doli t’i thoja të gjitha.”

“Nuk e di a i kam bërë mirë.”

“Vetëm një pyetje lashë", thanë nxënësit. 

Megjithatë, edhe pse ky provim është pa notë në fund, rregullat janë strikte. Komunikimi gjatë testimit ndalohet rrëptësisht, por nxënësit treguan që patën mundësi të konsultoheshin për zgjidhjen e ushtrimeve.”

“Komunikuam me njëri-tjetrin sepse zysha na la.”

“Po, na lejoj mësuesja të komunikojmë.”

“Na lanë të komunikojmë dhe me zyshën dhe shokët.”

“Komunikova me një djalë që ishte mbrapa  meje", treguan ato. 

Rezarta Basha, përgjegjëse e sektorit të kurrikulës në drejtorinë e arsimit parauniversitar thotë se për rastet kur konstatohet kopjim nga komisioni vlerësues merren masa dhe se vit pas viti ky provim i ka shërbyer hartimit të politikave të reja për rritjen e cilësisë së arsimit.

“Në raste kur kryetari i komisionit gjykon se është kopjuar në provim sigurisht që ngrihet një komision dhe vlerëson nëse është kopjuar apo jo. Synimi nuk është që t’i vendosim nxënësit nën presion, synimi është që ne t'i përgatisim nxënësit për provimet e tjera më të mëdha të arsimit bazë, por dhe maturës shtetërore.”- tha Rezarta Basha.

Me reultatet e pikësimit të provimeve të klasave të pesta, nxënësit do të kenë mundësi të njihen pas 15 ditësh nga kryerja e provimit.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?