Me ndriçim të kuq, për të krijuar një atmosferë sa më të ngrohtë, e duke shmangur prezencën fizike, Linda Guri fton vizitorët drejt ekspozitës së saj të parë në ambientet e Kryeministrisë.
31 fotografi të pazakonta e një video instalacion të vendosura “në telajo të zezë metalike” janë konceptuar përmes “Prekjes” së penelit, fotografisë e të tjerave materiale duke synuar të shpërfaqin emocione; qofshin ato “Grimca zgjimi”, një “Vorbull ëndrrash në kërkim të dritës”... a ndoshta “Prekje dashurie”. Rrëfimet vizive bëjnë konfuzë vizitorët, nëse janë përballë një fotografie a pikture. Por sa e ka ndihmuar Lindën profesioni si make-up artiste?
“Këtë koleksion, nuk e kam nisur në fushën e make up-it, por si eksperiment në këto portrete. Një portret i ardhur si pikturë, po në këtë rast është një portret real,në një qenie reale ku ajo reagon dhe jep emocione të tjera”, shprehet artistja.
Ekspresionizmi dhe impresionizmi, e kanë tërhequr prej kohës së studimeve, e veçanërisht veprat që kanë pasur në fokus gruan. E siç thotë, “Prekje” ishte një mënyrë për ta nisur me po atë frymëzim. Modelja është e njëjta, arkitektja Nikol Kaso, e një prej fotografive mban emrin e saj.
“Kam zgjedhur gruan pasi përmes saj do të arrija të jepja emocionet që doja. Më pas, këtë portret gruaje e kam veshur me ngjyra për të na kujtuar pak pikturën, e përtej saj e kam veshur me elementë të tjerë, me elementë të përditshmes sonë. Me një telefon që ne e përdorim në përditshmëri, me ujin dhe pluhurin, zgjodha këto tre elementë pasi kanë një lloj transparence në vetvete dhe do më lejonin që ta ruaja elegancën e portretit. Gjithashtu, ngjyrat e përdorur në portret do të ishin të dukshme. Pra, doja të krijoja emocion me këto elementë dhe ti ktheja të zakonshëm në të jashtëzakonshëm”
Në kompozimin e portreteve, imazhet e fiksuara nga fotografi Ergys Zhabjaku vijnë si emocione të trupëzuara.
“Roli i Gysit është një rol shumë i rëndësishëm në punët e mia, pasi çdo punë ka qenë në aksion, në kohë reale. Çdo grimcë e hedhur në ajër, apo ndryshe pluhurat, që siç e shikoni janë të shpërndarë në hapësirë, janë“të kapura” pikërisht nga Gysi. Kështu që ka qenë shumë i rëndësishëm momenti i fotografisë. Mendoj që pa të nuk do ta kisha arritur këtë rezultat, ashtu siç e kisha në kokë”
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 28 shkurt. Sa i përket një vizite të mundshme të banorit kryesor të godinës së kryeministrisë, Linda thotë: Ende e presim!