311 raste të reja me COVID dhe 6 viktima/ Virusi i merr jetën mësues në Përrenjas dhe vëllait të saj! Pozitiv dhe kryebashkiaku i Gjirokastrës! Mbyllen disa ambiente në burgun e Beratit

28 Tetor 2020, 16:29| Përditesimi: 28 Tetor 2020, 19:44

  • Share

TIRANË- 311 raste të reja dhe 6 humbje jete janë regjistruar 24 orët në fundit nga pandemia COVID- 19, duke shënuar një rekord të ri të shifrave të infektimit në vendin tonë. Ndërkohë që në spitale numri i të shtruarve arriti në 289.

Motër e vëlla humbën jetën nga COVID-19 në qytetin e Përrenjasit. Fillimisht, ndërroi jetë Irena Bajlozidhe më pas vëllai i saj. Irena ishte me profesion mësuese dhe nga informacionet nuk kishte sëmundje shoqëruese. Teksa prej disa ditësh ajo nuk paraqitej në shkollë.

COVID ka hyrë edhe në burgun e Beratit. Nga virusi u  infektuan 2 punonjës të zyrës së informacionit. Pas konfirmimit të rasteve, epidemiologët janë duke kryer gjurmimin për raste te tjera në ambientet e këtij burgu.

I infektuar me koronavirus ka rezultuar edhe kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi. Lajmin e ka dhënë ai vetë. Ndërsa është shprehur se është vetëkarantinuar në shtëpi.

Ministria e shëndetësisë njoftoi se në 24 orët e fundit, fituan betejën me virusin 85 persona. Që nga fillimi i pandemisë në vendin tonë janë shënuar  20,004 infektime, ku  8,618 janë raste aktive. Numri i të shëruarve ka arritur në 10,893, ndërsa fatalitetet kanë kapur shifrën 493 viktima. Teksa apelohet për mbajtjen e maskave, si masë e rëndësishme për të parandaluar më tEj përhapjen e pandemisë, në 24 orët e fundit policia ka gjobitur 706 qytetarë të cilët refuzuan të zbatonin këtë masë.

COVID-19 – Statistika (28 Tetor 2020)
Raste të reja ditore 311
Të shëruar ne 24 orë 85
Të shtruar në spitale 289
Humbje jete në 24 orë 6
Testime ditore 1397

Testime totale 121,004
Raste pozitive 20,040
Raste të shëruara 10,893
Raste Aktive 8,654
Humbje jete 493

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 4362
Durrës 832
Fier 646
Shkodër 518
Korçë  513
Lezhë 389
Elbasan  384
Vlorë 351
Berat 256
Kukës 184
Gjirokastër 129
Dibër 90

1603910672_1603906795page.jpg

Flamur Golemi dhe Irena Bajlozi

Ora 14:02
Kryebashkiaku i Gjirokastrës me COVID: Jam karantinuar, do punoj nga shtëpia

Kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi është prekur me COVID-19. Lajmin e ka dhënë ai vetë.

"Miq, pas disa simptomave të lehta që më janë shfaqur një ditë më parë, të ngjashme me Covid 19, vendosa të izolohem në banesë, për të mos rrezikuar kolegët në punë dhe persona të tjerë me të cilët do të kisha kontakt. Kam kryer tamponin dhe po pres zyrtarisht nga ISHP-ja përgjigjen . Ndërkohë do të vazhdoj të ndjek punët dhe detyrat në distancë nga shtëpia. Jam në gjendje të mirë shëndetësore dhe po pres rikuperimin e plotë për t’iu rikthyer sërish angazhimeve si më parë. Ju falënderoj për qindra mesazhe e telefonata që kam marrë fill pas publikimit të nxituar të lajmit në disa media. Duke u kujdesur për veten dhe familjen tuaj do ta mbani larg Covid 19 dhe së bashku do ta fitojmë luftën me armikun e padukshëm. Ju përshëndes", shkruan Golemi.

Lajm në përditësim

Ora 12:35
E infektuar me COVID, humb jetën mësuesja e muzikës në Prrenjas! I vdes dhe i vëllai

1603906726_1603884968irena.jpeg

Koronavirusi ka regjistruar dy viktima të tjera këtë të mërkurë (28 tetor). Humin jetën si pasojë e COVID mësuesja e muzikës nga Prrenjasi, Irena Bajlozi si dhe vëllai i saj.

Mësohet se ajo nuk kishte sëmundje bashkëshoqëruese. Mësuesja kishte disa ditë që nuk shkonte në shkollën ku jepte mësim.

Ditën e djeshme u shënua një numër i lartë viktimash, ku 7 persona humbën betejën me koronavirusin.

Ndërsa vijojnë të shënohen shifra të larta të të infektuarve.

Ora 11:42
Dy punonjës të zyrës së informacionit në burgun e Beratit rezultojnë pozitiv me COVID-19! Dezinfektohen dhe mbyllen disa ambiente

BERAT - Covid-19 është futur sërish brenda ambienteve të burgut të Beratit. Dy punonjës të Zyrës së Informacionit kanë rezultuar sot pozitiv me koronavirus.

Të dy punonjësit e të njëjtës zyrë kishin disa ditë me shenja dalluese të infektimit dhe pas kryerjes së tamponit, ata ishin karantinuar deri në pritjen e përgjigjeve.

Burimet zyrtare pranë DShP-së Berat bëjnë me dije se, përgjigjet e dy punonjësve të burgut kanë mbërritur mëngjesin e sotëm (28 tetor) pranë këtij institucioni.

Menjëherë pas konfirmimit të këtyre dy rasteve pozitive, mjekët epidemiologë janë duke kryer gjurmimin e rasteve të tyre të kontaktit brenda ambienteve të IEPV-së Berat.

Punonjësit e tjerë të Zyrës së Informacionit janë karantinuar dhe i janë nënshtruar tamponit, ndërkohë që testit do t'i nënshtrohet në ditët në vijim i gjithë stafi i burgut, duke përfshirë jo vetëm administratën por edhe gardianët.

Mëngjesin e sotëm Drejtoria e Higjenës ka kryer dezinfektimin e ambienteve të brendshme të IEPV Berat dhe mbylljen e disa sektorëve brenda burgut.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?