BRUKSEL- Familjaret e Sajmir Sulës, djalit shqiptar që vdiq në Spanjë dhe nuk i gjendet organi i zemrës, kanë protestuar përballë Parlamentit Europian në Bruksel.
E motra Majlinda Sula thotë se prej 3 muajsh qeveria shqiptare ka bërë me dije se zemra që pretendohet se i përket Saimir Sulës do të vijë në Shqipëri për t’i bërë ADN, por kjo nuk ka ndodhur. Ajo kërkon arsye nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja pse kjo gjë nuk është bërë deri tani, kur kanë kaluar plot 3 muaj që kur është bërë kjo deklaratë. Një thirrje ka pasur edhe për autoritetet në Spanjë dhe eurodeputetët në Parlamentin Europian.
“Arsyeja pse jemi këtu pas 3 muajsh është se kërkojmë të drejtat e njeriut. Ne kërkojmë që të ulemi për të flasim për të drejtat e njeriut të një shqiptari që i është zhdukur zemra dhe në 3 vite nuk është bërë asnjë investigim. Kemi të drejtën të dimë se ku është zemra e tij, nëna e tij, motrat, familjarët duan të dinë ku është zemra e këtij djali shqiptar në një spital publik në Katalonja. Ne kërkojmë të ulemi dhe të flasim për trafikun e organeve të djalit shqiptar. I kemi kërkuar Ramës dhe ministrit të drejtësisë shqiptare Ulsi Manja, po presim prej gati 3 vitesh. Edi Rama heshtja jote do të thotë shumë. Pedro Sanchez heshtja juaj do të thotë shumë. Zoti Rama ne po presim për lajmin tuaj të rremë se institucionet do sjellin zemrën që t’i bëhet ADN-ja, po presim pse duhet të presim kaq shumë. Zoti Rama, na thanë që do të sillni zemrën në Shqipëri për AND, kanë kaluar 3 muaj dhe asgjë nuk ka ndodhir. Zoti Ulsi Manja po ju kërkojmë të sillni zemrën në Shqipëri dhe t’i bëhet ADN që është një provë legjitime nëse kjo zemër i përket Saimirit apo jo. Ne duam të gjithë truprojat e spitali në burg, duam të dimë kush është përgjegjësi për këtë ngjarje", tha ajo.
Motra e viktimës, Majlinda Sula ka kërkuar me insistim drejtësi dhe ka protestuar edhe para Ministrisë së Drejtësisë, pasi kërkon nga autoritetet shqiptare të reagojnë. Majlinda Sula thotë se nuk e kupton arsyen për ministri i Drejtësisë dhe kryeministri Edi Rama heshtin përballë vrasjes makabër të vëllait të saj.
Një historik i ngjarjes
Ngjarja ka ndodhur më 8 maj 2020 rreth orës 23:00. Pandemia ishte në fazën fillestare. Një i ri shqiptar i quajtur Saimir Sula ka hyrë në Spitalin del Mar ( Barcelona ) i shoqëruar nga motra e tij Majlinda. Djali kishte temperaturë dhe shkoi të bënte një test covid, i cili doli negativ. Ata e futën brenda, ndërsa motra e tij qëndronte jashtë në pritje të rezultateve. 18 orë më vonë, ekipi mjekësor në spital thirri Majlindën për t'i thënë se vëllai i saj kishte vdekur.
Vdekja e çuditshme u pasua nga një sërë misteresh që familja e viktimës ende nuk i ka sqaruar. E para është se, sipas motrës së të ndjerit, kanë tentuar ta djegin trupin në kohë rekord. Majlinda nuk pranoi sepse pa mavijosje në trupin e vëllait të saj dhe kërkoi që kufoma do të transferohej në Shqipëri , vendlindja e saj, ku do të kërkonte një autopsi të dytë. Arkivoli mbërriti në Tiranë dhe u krye testi i dytë. Ekipi që e kreu atë lëshoi një raport duke siguruar se trupi kishte mbërritur pa zemër.
Gjendet zemra, mister kujt i përket
Pak kohë më pas, Majlinda mori një raport nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Shkencave Ligjore të Katalonjës (IMELEC), duke i thënë se tashmë e kishin gjetur zemrën e vëllait të saj. Ky lajm i papritur e bëri atë të dyshonte se ky organ i përkiste Saimirit të saj. Pa zgjidhur të panjohurat e para, u shtua një e re: pse një zemër po shfaqej tani nga askund? Kush e kishte nxjerrë dhe pse? A ishte vërtet zemra e humbur e Saimirit?
Nisur nga dyshimet dhe të nxitura nga Prokuroria Shqiptare, Majlinda kërkoi (përmes avokatit të saj, Carlos Sardinero), një test ADN-je, por të gjitha kërkesat janë refuzuar. Për më tepër, çështja është pushuar në dy raste nga Gjykata Hetuese Nr. 16 e Barcelonës, pavarësisht urdhrave shqiptare. Pavarësisht kësaj as motra e të ndjerit dhe as avokati i tij nuk besojnë se kjo zemër i përket Saimirit.
Familjarët kërkojnë drejtësi
Edhe sot e kësaj dite familja e viktimës pohon se ende nuk e dinë se çfarë i ndodhi Saimirit atë natë, pse trupi mbërriti në Tiranë pa zemër dhe nga erdhi zemra që i atribuohet Saimirit dhe pse po refuzohet të bëhet një test ADN.
Ngushëllime për humbjen e njeriut të dashur . Sa të rroni ta kujtoni . Ta kërkoni zemrën e njeriut Tuaj . Sa të keni frymë dhe shpirt , mos e lini kurrë mbas dore dhe ta kërkoni deri në fund të vërtetën ????
Përgjigju