Sot bëhen 32 vite nga rënia e Murit të Berlinit, ditë që e ka kujtuar edhe Presidenti Ilir Meta. Në Facebook Meta shkruan se çdo mur që na ndan sot nga Europa e Bashkuar, është i destinuar të shembet. Sipas Metës, liria, demokracia dhe shteti i së drejtës do të triumfojnë dhe 'zbatimi' i këtyre vlerave do na afrojnë më shpejt drejt Europës.
"Çdo mur, që na ndan sot nga Europa e Bashkuar, është i destinuar të shembet! Liria, të drejtat dhe dinjiteti njerëzor, demokracia dhe shteti i së drejtës do të triumfojnë padiskutim! Të bashkuar rreth këtyre vlerave do të afrohemi më shpejt drejt Europës! Gëzuar përvjetorin e Shembjes së Murit të Berlinit!", shkruan Meta.
Muri, ndërtimi i të cilit filloi më 13 gusht të vitit 1961 dhe i cili e shndërroi në një ishull Berlinin Perëndimor në Gjermaninë Lindore, u shemb më 9 nëntor të vitit 1989, duke i dhënë fund edhe periudhës së Luftës së Ftohtë.