Ekonomi

33 mln euro të ardhura nga platforma sociale, por të padeklaruara! Nis hetimi për 100 individë e biznese

25 Qershor, 09:28| Përditesimi: 25 Qershor, 15:10

  • Share

Fituan vjet mesatarisht 27.500 euro në muaj (330 mijë euro në vit) përmes platformat sociale por nuk i deklaruan, kur dorëzuan DIVA-n për vitin 2024. Për këtë arsye Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se ka nisur hetim ndaj 100 individëve dhe bizneseve për mosdeklarim të të ardhurave të fituara online.

“Drejtoria e Hetimit ka nisur hetimin ndaj 100 individëve/subjekteve për të ardhurat e përfituara nga platformat sociale (Facebook; TikTok; YouTube; Instagram; Google; PayPal), ku nga verifikimet paraprake dyshohet për rreth 33 milionë euro të padeklaruara

Administrata Tatimore ka njoftuar më datë 29 mars, përmes rrjeteve sociale, që individët dhe subjektet të përmbushin detyrimet ligjore nëpërmjet vetëdeklarimit në DIVA 2024.

Ftojmë tatimpaguesit që nuk kanë reaguar ende, të kryejnë sa më shpejt këtë detyrim, për të shmangur penalitete dhe masa të tjera që mund të sjellë një hetim i thelluar”, njoftojnë Tatimet.

Pjesa dërrmuese e këtyre fitimeve realizohet nga influencerat apo blogerët që ushtrojnë aktivitetin e tyre tërësisht në rrjetet sociale, më të përdorshmet Facebook, Tik-Tok e Instagram. Këto para depozitohen në llogaritë bankare të tyre por që këta të fundit nuk i kanë deklaruar për të shmangur pagesën e tatimit.

Tatimi 15% mbi këto të ardhura synohet të mbahet në burim, por kur kjo nuk realizohet dot detyrimi është që këto para të deklarohen në deklaratën vjetore të të ardhurave (DIVA), që më pas të mbahet edhe tatimi.

Këta 100 individë e biznese kanë edhe një tjetër shans për të reaguar ndaj këtij detyrimi. Nëse qëndrimi i tyre nuk ndryshon dhe vazhdojnë të mos e bëjnë deklarimin, përveç penaliteteve dhe kamatëvonesave që shtohen, Drejtoria e Hetimit i paralajmëron se do të nisë hetim i thelluar ndaj tyre.

Administrata Tatimore i njoftoi këta individë e biznese që më 29 mars që të deklaronin të ardhurat kur të plotësojnë DIVA-n, e cila duhej dorëzuar deri më 1 prill 2025.

Njoftimi i Tatimeve

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis gjyqi për aferën Partizani, a besoni se do ketë drejtësi?