33-vjetori i vizitës së Nënë Terezës në Pukë, është kremtuar në mënyrë të veçantë në qytetin verior.
Në sheshin që mban emrin e saj, u vendos shtatorja e shenjtores, një simbol që kujton vizitën historike të 16 gushtit të vitit 1992. Kjo ngjarje ka pasur një rëndësi të madhe për Pukën, pasi shënoi misionin bamirës të Nënë Terezës dhe ndikimin e motrave të saj në këtë rajon.
“Shtatorja e vendosur në qytet konsiderohet shumë më tepër se një ngjarje simbolike, ajo është një akt i thellë vlerësimi, një testament i kujtesës kolektive dhe një thirrje për të ndjekur gjurmët e saj të ndritshme”, tha Rrok Dodaj, kryetari i bashkisë së Pukës.
“Ajo ka bërë atë që ne duhet të bëjmë sadopak t'i përngjasojmë.”, u shpreh Ded Malutaj, financues i shtatores.
“Për ne të gjithë sa jemi këtu është një tjetër nder sepse ne jemi sot dëshmitarë të kësaj ngjarje kaq të madhe dhe unë mendoj se më mirë se i rri Pukës ky event nuk ka kujt i rri tjetër”, tha Pjerin Ndreu, kryetar i Bashkisë së Lezhës.
Atë ditë, Nënë Tereza u prit nga Myftiu i Pukës të cilit i dhuroi kryqin e saj prej ari. Sot, 33 vite më vonë, myslimanë e katolikë përjetësojnë mesazhin e saj.
“Uroj që shtatorja e nënë Terezës të shërbejë si simbol i frymëzimit për të gjithë ne, për dashurinë ndaj njëri-tjetrit në shërbim të së mirës së përbashkët dhe forcimit e unitetit tonë kombëtar.”, u shpreh Imam Gëzim Kopani, myftiu i Pukës.
“Bija e popullit tonë shqiptar, nëna Tereze i mësoi botës për të dashur me të vegjlit. E sot një mesazh që mund të japim ne nga qyteti i Pukës, popullit të Shqipërisë sonë të dashur e të bekuar është të kujdesemi për të vegjlit”, tha Dom Zef Marku, famullar i Pukës.
Shtatorja e Nënë Terezës, që u mundësua nga Dedë Malutaj, bir i kësaj zone, u “kthye” po ashtu edhe në një moment nderimi edhe për ndihmën e paçmuar që motrat e Nën Terezës i kanë ofruar kësaj zone për më shumë se 33 vjet.
Komente
