Më shumë se 34 mijë qytetar dolën nga skema e sigurimeve gjatë vitit të kaluar. Në raportin vjetor Instituti i Sigurimeve Shoqërore, tregohen edhe efektet reale që pandemia COVID-19 ka shkaktuar në tregun e punës. Nëse në vitin 2019 numri i kontribuuesve ishte 781,924 persona, në fund të 2020 kjo shifër zbriti në 747,875 qytetar. Eksperti Fiskal Enkelejd Dermyshi thotë se jo domosdoshmërish ata që nuk janë në sistem janë të papunë, pasi është rritur informaliteti.
“Krahas papunësisë mendoj se kjo tregon edhe rritjen e informaliteti sepse në kushtet e mos-pasjes së përkrahjes së duhur, pra mos gjetjes së një rrugë zgjidhje porsa kohë kemi edhe mbyllje të kufijve, atëherë kjo tregon se shumë të vetëpunësuar apo të punësuar, mund të jenë në punë por të padeklaruar dhe kjo nuk është e matshme”, shprehet eksperti.
Por kjo luhatje në tregun e punës cenon edhe skemën e pensioneve që varet nga kontributet, dhe teksa kontribuuesit janë ulur, në sistem janë shtuar 14 mijë pensionistë.
“Çdo lloj lëvizje e raportit kontribuues përfitues në tregun e punës jep efektin edhe në deficitin buxhetor pra mbulimin e nevojave që ka ISSH për skemën e pensioneve”, tha Dermyshi.
Në këto kushte sipas eksperti vëmendja duhet të fokusohet tek investimet e huaja që hapin vende të reja pune.
“Punësimi është një plagë disa vjeçare dhe do të vazhdojë të jetë e tillë porsa kohë nuk kem politika të mirëfillta, porsa i përket investitorëve të huaj të cilët jo vetëm krijojnë projekte por hapin edhe vende pune. Hapin vende pune në industri të caktuara jo me projekte”, deklaron eksperti fiskal.
Eksperti nuk shikon si realiste as premtimet e së djathtës për uljen e sigurimeve në 18%, pasi sipas tij ulja e taksave në këtë situatë është e vështirë.
“Nuk është më çështje taksash, nuk është më çështje politikash fiskale të gjitha politikat fiskale e kahershme por edhe së fundmi janë bërë në kuadër të balancimit të deficitit buxhetor, të ruajtjes së një politike makro sa më të qëndrueshme. Kush thotë do ulim taksat duhet të jetë shumë i sinqertë fillimisht me veten në radhë të parë pastaj me qytetarët, sepse e din shumë mirë që kemi një ekonomi shumë prekshme e cila nuk mban. Sigurisht që është një ekonomi që ka të gjitha resurset për të tërhequr investitorët e huaj. Atëherë mund të flasim për politikë taksash kur kemi çfarë të ndajmë, sot nuk kemi çfarë të ndajmë”, thotë ai.
Ndërkohë të dhënat e këtij viti flasin për përmirësim të punësimit, pasi të ardhurat nga tatimi mbi pagën janë rritur.
NUMRI I KONTRIBUUESVE
Viti 2019 781,924
Viti 2020 747,875
Diferenca -34.049
NUMRI I PENSIONISTËVE
Viti 2019 651,539
Viti 2020 665,863
Diferenca +14.324