Sot u zbulua një tjetër rast i dhunimit të një gruaje dhe mbikëqyrja e saj me kamera sigurie nga ana e bashkëshortit. Të ftuarit në studion e emisionit “Përballje” me gazetaren Rovena Neziri kanë diskutuar mbi përsëritjen e këtij fenomeni brenda pak ditësh, duke pasur në vëmendje një rast të ngjashëm të mëparshëm në Tiranë.
Pedagogia Helena Halilaj në një lidhje ‘skype’ u shpreh se ka edhe më shumë raste të tilla por shtoi se gratë shqiptare kanë frikë të denoncojnë për shkak të opinionit publik që mund të mbizotërojë më pas ndaj tyre.
“Shumë gra në familje të ndryshme kanë duruar dhunën psikologjike dhe fizike për shkak të pamundësisë për të denoncuar, për arsye të turpit për arsye të mendësisë së mbyllur që burrat janë xheloz dhe se mund t’i bëjnë ndonjëherë këto akte të shëmtuara dhune. Ai ka probleme të shëndetit mendor dhe xhelozia e tij mund të shojë deri në limite të tilla dhe mendon se mund t’i rrezikohet morali apo besnikëria e marrëdhënies.
Ajo cfarë është shqetësuese është mungesa e reagimit ndaj një dhune të vazhdueshme. Kjo vjen nga kultura e turpit masiv që kemi ne, opinioni që vazhdon të sundojë në shoqërinë tonë. Një njeri i papunë nuk ka çfarë të bëjë veçse të krijojë hipoteza në mendjen e tij”- tha pedagogia.
Nga ana tjetër, avokati Alban Duraj vuri theksin tek mungesa e seriozitetet nga ana e institucioneve shqiptare për të trajtuar dhe rehabilituar persona të përfshirë në raste të tilla. Sipas tij, duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje rehabilitimit të personave të tillë sesa vetëm dënimit të tyre.
"Rast shumë i rëndë, brenda pak ditësh shikojmë një rast tjetër, është për të ardhur keq që jemi në këtë gjendje. Kam një mendim krejt ndryshe nga psikologia lidhur me denoncimet sepse ne përditë kemi denoncime pranë prokurorisë apo policisë. Sa i përket opinionit publik, mendoj se është në nivelin e lartë dhe ka pasur mbështetje nga media. Por ngelemi në kuadrin e fjalëve.
Është më e thjeshtë të dënohet një person që ka kryer një krim por pa e analizuar pse ka ardhur ky krim. Institucionet ndoshta nuk i janë gjetur në kohë këtij personi për ta rehabilituar dhe ndihmuar nga ana shëndetësore. Në këtë kuptim, dënimet nuk janë zgjidhje sepse i kemi maksimale. Por në fund të fundit këta nuk rehabilitohen, dalin më të shkatërruar”- u shpreh avokati.
Ndërsa sociologia Nora Malaj tha se tashmë është momenti që qeveria të shohë realitetin ku ndodhen familjet shqiptare dhe të ketë një përqendrim më të madh për trajtimin e fenomeneve të tilla.
“Ka ardhur momenti që institucionet e qeverisë të ulen ta shohin realitetin siç është. Jetojmë në një situatë që dhuna është aq e madhe sa ne shohim vetëm 1/3 e problemit. Familja ka pësuar një kërsitje shumë të madhe, njerëzit kanë frikë të shkojnë tek ekspertët. Ka probleme aq të rënda dhe ulëritëse sa nëse ndonjë ditë do bënim emision do të trembnim shumë persona”- nënvizoi sociologia.
Sipas sociologes, sot në shoqërinë shqiptare mungojnë shembujt e mirë, ose nuk promovohen dhe për pasojë fenomene të tilla kanë tendencën vetëm të shtohen.