Më 2 deri 12 korrik të vitit 1990 pesë mijë qytetarë shqiptarë hynë në ambasadat e huaja në Tiranë. Ata kërkonin të largoheshin për në vendet e tjera për një jetë më të mirë, duke tronditur nga themelet shtetin e fundit komunist në Evropë. Brenda gjashtë ditëve ata u pajisën me pasaporta për jashtë dhe u nisën për në vendet ku dëshironin. Edhe sot, pas 35 vjetësh, ngjarja është e mbuluar nga shumë dritë- hije.
Retrospektivë: Tre durrsakë në Ambasadën italiane në Tiranë
Në vitin 1995, tre pinjollë të familjes Popa nga Durrësi, kishin hyrë në ambasadën italiane në rrugën e Elbasanit (sot Ambasada Amerikane) dhe kishin kërkuar strehim politik, me shpresë se do te arrinin në Gadishulllin Apenin. Regjimi komunist nuk i la të largoheshin dhe ata mbetën të ngujuar atje deri në vitin 1990.
Në rrethanat e përmbysjeve historike në ish – vendet komuniste, edhe Shqipëria po bënte përpjekje për të thyer më në fund izolimin nga bota. Ajo pranohet pas shumë vitesh anëtare e KSBE-së (OSBE e sotme) Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara Havier Peres De Cuelar vendos të vizitojë vendin e izoluar në Ballkan. Organizatat ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut i bëjnë presion atij të anuloë vizitën, sepse “Shqipëria po shkel të drejtat e lëvizjes së lirë” me ndalimin e tre durrsakëve në ambasadën italiane që nuk lejohen të shkojnë në Itali. Shteti komunist premton se do ta lejoje nje gje të tillë. Pak ditë pas vizitës së mysafirit të madh nga OKB, ata të tre lejohen të nisen për në Apenine.
Dhjetë pastrues të Tiranës në Ambasadën turke
Pak ditë pas largimit të durrsakëve, në pranverën e vitit 1990, dhjetë pastrues të qytetit të Tiranës hynë natën në ambasadën turke në krye të rrugës së Kavajës, përballë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe kerkuan strehim politik atje. Ambasada është në hall. Ajo është përfaqësi e një vendi dashamirës ndaj vendit tonë. Një delegacion i nivelit të lartë qeveritar shqiptar, i kryesur nga kryeministri Adil çarçani, pritej të vizitonte Turqinë, 30 vjet pas izolimit total komunist. Kjo do të thoshte që atmosfera e marrëdhënieve “miqësore” midis dy vendeve nuk duhej cënuar.
Ambasada turke nuk ka mjedise për të mbajtur fshesaxhinjtë e Tiranës, por ajo nuk mund t’i braktiste ata, se kjo do të dëmtonte imazhin e “shtetit demokratik” turk në sytë e botës. Në këto kushte, arrihet një kompromis me autoritetet shqiptare: Dhjetë fshesaxhinjtë do të strehohen përkohësisht në katin e gashtë të Hotel “Arbërisë” (Ministria e sotme e Drejtësisë) në krah të gazetës “Zëri i popullit”, derisa të përfundonte vizita zyrtare e kryeministrit shqiptar në Turqi dhe pastaj ata, fshesaxhinjtë, do të niseshin për atje. Gazetarët e dy gazetave të përditshme, “Zëri i popullit” dhe “Bashkimi” pinin kafe në mëngjes e në mbrëmje në barin e hotelit dhe ata e dinin që atje, në katin e gjashtë, ishin të strehuar “tradhtarët” shqiptarë, kuptohet, me pagesën e ambadaës turke.
Delegacioni shqiptar kthehet nga Turqia. Gazetarët që e shoqërojnë kryeministrin flasin për pritje “vëllazërore” nga turqit. Me kthimin e tyre në atdhe, po në “mënyrë vëllazëroe”, fshesaxhinjtë e Tiranës nisen për në Turqi dhe përfundojnë në Anadoll. Rruga dikur e mbyllur e emigracionit, hapet përsëri nga autoritetet shqiptare. Presioni ndëkombëtar, nga njera anë, dhe disa vrasje që kanë ndodhur në kufi në muajt e parë të vitit 1990 nga ushtarët shqiptarë, e kanë bërë regjimin komunist të jetë më i ndjeshëm ndaj përpjekjeve të atyre që duan të ikin jashtë vendit. Historia i ngjan një filmi tragjikomik, por nuk është i tillë, është një dramë kombëtare, me rrënjë të thella te sistemi komunist.
“Në Zvicërr ka vende të lira pune”
Në muajin prill të vitit 1990, në faqen e katërt të gazetës komuniste “Zëri i popullit” me lajmet nga bota, botohet një njoftim i shkurtër i çuditshëm: “Në Zvicërr ka vende të lira pune.” Jepet edhe shifra: 25 mijë vende të lira pune në vendin e zhvilluar kapitalist. Në pamje të parë lajmi “mikroskopik” në mes të faqes nuk binte në sy. Por nuk ishte plotësisht ashtu. Edhe sikur dhjetë përqind e shqiptarëve ta kishin lexuar gazetën me tirazh 120 mijë kopje, do të ishin të paktën dymbëdhjete mijë vetë të tillë. Ai dukej sikur po u thoshte lexuesve: Ç’prisni më këtu? Ja ku e kini Zvicrrën!”
Ç’donte ky lajm në gazetën kryesore të partisë? Në tërë historinë e saj ajo kishte shkruar për papunësinë si “plagë e rëndë shoqërore e vendeve borgjeze e revizioniste”, ndërsa tani atje ka vende të lira pune! E ku pa, në Zvicërr. Si ishte futur lajmi “diversant” në gazetë? Lajmet e jashtme shpërndaheshin për shtypin shqiptar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, e vetmja e tillë në vend. Ishin dy buletine lajmesh: Njeri “i brendshëm”, pra i rezervuar vetëm për udhëheqjen e lartë komuniste, me të gjitha lajmet nga bota, ndërsa tjetri për shtypin me lajme të “kontrolluara”.
Në rrethet e gazetarëve diskutohej për këtë njoftim të pazakontë. Kush ta ketë bërë dhe për ç’qëllim? Buletini “i brendshëm” vjen në gazetë vetëm për kryeredaktorin, që është edhe anëtar i Komitetit Qendror, pra “i brendshëm”. Kuptohet se ky nuk është një gabim i rastit, një pakujdesi apo diçka tjetër e tillë, që i ka shpëtuar sektorit të jashtëm të gazetës. Po edhe sikur t’i shpëtonte atij, ka edhe pesë filtra të tjera kontrolli gazeta që mund ta kapnin “gabimin”. Dihet se vetëm kryeredaktori mund t’i kapërcente “filtrat” e tjerë të gazetës për shkrimet që botoheshin. Vetëm ai mund të urdhërojë: “Të futet edhe ky lajm në gazetë!” Lajmi gëlltitet në heshtje, ashtu si edhe shumë artikuj të tjerët të kësaj natyre gjatë kohëve të fundit.
Çfarë ndodhi më 2 korrik?
Mijëra qytetarë, tiranas dhe nga rrethet, kryesisht të rinj, mësynë ambasadat e huaja në Tiranë, duke kërkuar të largohen për në vendet përkatëse. Një ngjarje e pashembullt kjo, jo vetëm për vendin tonë. Lajmi bie si bombë në vend. Mediat e huaja po e trajtojnë atë me përparësi në faqet e para të tyre, nga mëngjesi në darkë. Në Tiranë e rrethe janë përhapur fjalë se “janë hapur ambasadat”, prandaj o burra!
Më e lakmuar është ambasada gjermane, ku kanë hyrë rreth tre mijë vetë, por të tilla janë edhe ambasadat e Italisë, Francës etj . Disa qytetarë të paktë (“gjindje pa shkollë”, kuptohet) kanë hyrë edhe në ambasadën e Kubës, në krye të Rrugës së Durrësit, përballë Kafe “Florës”, sepse… u bë deti kos. Por ata nxirren menjëherë përjashta nga personeli i ambasadës së vendit komunist si të “padëshirueshëm”.
Kush po i përhapte këto zëra për “hapjen e ambasadave” dhe sa ishte numri i atyre që hynë në to?
Kryetari i hetuesisë së përgjithshme shqiptare Qemal Lame, në një informacion zyrtar dërguar Ministrit të Brendshëm Hekuran Isai më 3 korrik për ngjarjen, përmend shifrën “ mbi 5000 veta”. Edhe kreu i shtetit komunist Alia, në një fjalë të tij pak kohë më vonë thotë, se ishin 5000 shqiptarë që hynë në to. Pra afërsisht sa popullsia e një qyteti të vogël shqiptar. Alia i kishte informacionet e sakta nga Ministria e Punëve të Brendshme që kishte shpëndarë pasaportat për ata që hynë në ambasada.
Ngjarja në shtypin komunist shqiptar
Shtypi komunist pasqyron ngjarjen e rënde që të nesërmen, sipas versionit të komanduar nga lart. E vërteta nuk mund të fshihet, sepse ajo ndodh në mes të Tiranës. Titujt kryesorë të gazetës “Zëri i popullit” dhe gazetave të tjera, janë rreth asaj që ka ndodhur. Në to duket nervozizmi dhe paqartësia e udhëheqjes për të trajtuar situatën të krijuar: “Zemërim dhe dënim i njëzeshëm i opinionit tonë shoqëror.” “Cilët janë këta njerëz që na shqetësojnë!”, “S’të fal populli, s’të falin ligjet!” Këto janë tutujt e mëdhenj të gazetave komuinste për ngjarjen e pashembullt.
Paralelisht me këto, në ditët pasuese fillon botimi i “letrave dhe opinioneve nga populli” që shprehin “zemërimin” e tij ndaj ngjarjes. “Populli” dënon “huliganët” që kanë hyrë në ambasada. Ja dhe dikush që ka kryer një “akt të ulët terrorist”: ka hedhur një bombë në ambasadën e Kubës në Tiranë, sepse ajo i ka nxjerrë përjashta disa qytetarë shqiptarë që “kanë ngatërruar adresë” dhe kanë hyrë atje. Tonet e shtypit kundër atyre që “na nxinë faqen” para botës duke hyrë në ambasada, janë në “kreshendo”, në pëpurthje me qëndrimet zyrtare për ngjarjen.
Në Informacionin Sekret që Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme Qemal Lame i dërgon Ministrit të Brendshëm Hekuran Isai vetëm një ditë më vonë tonet janë po të tilla. Në të ata që hynë në ambasada trajtohen si kriminelë. “Personat e hyrë në ambasada janë kryesisht të moshave të reja dhe përgjithësisht me personalitet të keq, të dënuar për vjedhje, grabitje e vrasje etj. Edhe personat e grumbulluar pranë territorit të ambasadave janë të njohur në përgjithësi për sjellje rrugaçërie e të dënuar më parë.”
Bashkë me reagimet e shtypit, fillojnë edhe reagime të tjera politike. Shumë prindër, midis tyre edhe komunistë, po rreken me deshpërim të nxjerrin nga territoret e ambasadave fëmijët e tyre që janë ngujuar atje. Ata po luten me lotë në sy, por pa rezultat. Janë të paktë ata që kthehen. Nga ana tjetër, në organizatat e partisë kanë filluar analizat dhe ndëshkimet e atyre komunistëve që u kanë hyrë fëmijët në ambasada. “Si mund të jesh ti anëtar partie, kur djali yt ka hyrë në ambasadën e huaj?”
Ka edhe masa ekstreme si përjashtimi i prindërve nga partia. Kjo e rëndon më shumë situatën. Vite më vonë poeti Dritëro Agolli, atëherë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, deputet dhe anëtar i Komitetit Qendror, thotë se edhe djali i tij deshi të hyjë në ambasada. “I thashë djalit: po hyre ti në ambasadë, unë do vras veten. Nuk kam më sy e faqe të dal para njerëzve”- Drama pra ishte e rënde edhe në familjet komuniste, nuk ishte “punë alabakësh”, siç u mendua fillimisht-
Kush i nxiti?
Për 45 vjet të periudhës komuniste ikja jashtë vendit ishte tepër e kufizuar, sidomos pas vitit 1960, ndërkohë që shqiptarët lëvizjen nëpër botë e kanë patur në genin e tyre. Eshtë e vërtetuar që ata kanë lëvizur drejt Greqisë dhe Italisë të paktën qysh para shtatë shekujsh (arvanitasit/arbëreshët) Kjo lëvizje e tyre vazhdoi edhe gjatë perandorisë turke. Stambolli ishte edhe “kryeqytet” i shqiptarëve.Lëvizja vazhdoi edhe gjatë regjimit të Zogut.
Kush i nxiti ata të hynin masivisht në një datë të caktuar, më dy korrik, në ambasadat e huaja e të kërkonin strehim politik atje? Ata vetë thonë se duan të ikin në vendet perëndimore: Itali, Gjermani, Francë e gjetkë për një jetë më të mirë. Ky ishte një version i besueshëm. Dëshira për t’u larguar nga vendi i varfër komunist ishte e madhe. Kjo dukej nga disa vrasje të freskëta të ndodhura në kufi, ku ushtarët kishin qëlluar mbi ata që donin të arratiseshin.Hyrja në ambasadë të shpëtonte nga plumbat e ushtarit.
Por ka edhe teori të tjera. Midis tyre, edhe një “teori konspiracioni” sipas së cilës, ata i nxiti sigurimi i shtetit, i cili përhapi fjalë (“ashtu fshehurazi, siç e di ai”) se “janë hapur ambasadat, prandaj, o burra!” Këto fjalë ishin përhapur anë e kënd vendit, nga jugu në veri, në formën e një thashethemnaje kombëtare. Kush e përhapi këtë thashethemnajë?
Gojëdhënat për 2 korrikun nuk mund të vërtetohen, por janë ca të vërteta të tjera të pakundërshtueshme. E para: ai njoftimi i shkurtër në gazetën e partisë sipas të cilit, në Zvicërr ka vende të lira pune prandaj, “hidhuni, ç’prisni!”, e ka patur pa dyshim një rol në këtë histori.
E dyta: ndryshimi i Kodit Penal në pranverën e atij viti sipas të cilit, arratisja jashtë shtetit nuk cilësohej më “tradhti e lartë ndaj atdheut”, por “kalim i paligjshëm i kufirit” dhe dënohej shumë më lehtë se më parë, domosdo që ka ndikuar.
E treta: brenda pak ditësh, mbi pesë mijë vetë që hynë në ambasada, u pajisën me pasaporta të rregullta për të ikur jashtë “si njerëz” të zakonshëm, pa asnjë pasoje juridike për atë që kishin bërë. Kaq shumë pasaporta për gjashtë ditë, nuk ishin shpërndarë gjatë tridhjetë viteve të fundit të regjimit komunist të marra së bashku. Ku u getën kaq shumë pasaporta të gatshme dhe si u plotësuan, kur diheshin kushtet jonormale të të ngujuarve në ambasada? Edhe sot , 35 vjet më vonë, duhet të presësh 15 ditë nga aplikimi për të marrrë një pasaportë, ndërkohë që ata të ambasadave ishin të pangrënë, të paveshur, të palarë dhe flinin nën qiell të hapur .
Kjo u bë me dekret të posaçëm (Nr. 7397, datë 07.07 1990 - pra vetëm pesë ditë pas hyrjes së qytetarëve në ambasada) të Presidentit të Republikës Ramis Alia “Për përjashtimin nga procedimi penal të shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në përfaqësitë e huaja diplomatike”. Të gjithë ata që hynë në ambasada u amnistuan kështu nga shteti komunist. Ata mund të riktheheshin në atdhe kur të donin, me pasaportat në duar, pa u hyrë gjëmb në këmbë, sikur të shkonin turistë jashtë vendit.
Pas sulmeve denigruese në shtypin komunist gjatë ditëve të para të eksodit, më pas edhe shtypi ishte bërë më “njerëzor” me ta. Ata nuk quheshin më “huliganë” dhe “kriminelë”. Tani titujt ishin më të arsyeshëm: “Ku veni more bij?” “Ku na duket balta, më e ëmbël se mjalta?” etj. Ata tani ishin “gjaku ynë i shprishur”, siç thoshte poeti arbëresh Serembe.
Pse i duhej regjimit kjo ikje?
Mos ndoshta regjimi komunist po i bënte presion perëndimit: ose na hapni dyert, ose ju erdhëm vetë atje me falangat e refugjatëve? Nuk konfirmohet zyrtarisht, por lë vend për dyshime. Kjo “valvulë” shkarkimi si tenxherja e presionit me shqiptarë që ikin jashtë do të hapet herë pas here në të ardhmen. Pas gjashtë muajsh, në dhjetor të vitit 1990, mijëra shtetas shqiptarë të minoritetit grek nga jugu i vendit , morën udhën për Greqi, duke u hapur rrugën më vonë edhe të tjerëve, ndërsa pas tetë muajsh, në gushtin e vitit 1991, u nisën drejt Italisë anijet transoqeanike me mijëra shqiptarë të tjerë në to.
Rruga ishte hapur nga familja Popa muaj më parë, pas vizitës së zotit Peres De Cuelar në Shqipëri. Doni refugjatë ju, jua dërgojmë ne. Popullsia, si askund tjetër në botë, ishte katërfishuar gjatë dyzetë vjetëve të fundit, sipas parimit: gruaja që lind tetë fëmijë shpallet “nënë heroinë”. Burimet ekonomike të asfiksuara të vendit pas prishjes me kinezët dhe marrëzive të politikave ekonomike brenda, nuk mund të mbanin si duhet kaq shumë njerëz me “…. ushqim të balancuar për gratë shtatzëna dhe nënat e reja…, proteina të bollshme për fëmijët e vegjël, …. më shumë banesa” etj. etj. (Profesor Ylli Popa: “Në kërkim të kohës së humbur”) “Vendi ka vetëm gjashtë ditë bukë” do të deklaronte kryeministri i vendit Ylli Bufi pas një viti, në dhjetor të vitit 1991.
Presidenti italian Cosiga do të vinte me urgjencë për t’i “tërhequr veshin” Alisë për valët e pandalshme të refugjatëve drejt vendit fqinj. “Boll më, se e bëtë baltë fare, domethënë!” Më së paku, shteti komunist ishte i interesuar që valë të caktuara të të pakënaqurve “problematikë” për regjimin, të merrnin herë pas here rrugën e largimit. Kështu ai do të ishte më i qetë nga trazirat e mundshme sociale e politike brenda vendit, ndërkohë që Europa ishte e përfshirë nga përmbysjet e sistemit komunist.
Informacion i kryetarit të Hetuesisë së Pëgjithshme Qemal Lame, dërguar ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai
Tepër sekret
Ekzemplar Nr. 2 Tiranë, më 3.7.1990
LËNDA: Për ngjarjen e ndodhur në territorin e ambasadave.
Sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, shokut Hekuran Isai – Tiranë
Më datën 2.7.1990 pati një intensifikim të hyrjes me dhunë në territorin e disa ambasadave të akredituara në vendin tonë. Në orën 10:30 hyjnë 6 persona në Ambasadën Italiane me një makinë tip “Tatra”, duke shqyer murin rrethues, kangjellat.
Në orën 19:00, 34 persona hyjnë në Ambasadën e FR Gjermane me një makinë “Skoda”, duke shpërthyer murin nga ana e prapme e ambasadës. Në orën 21:00 një makinë “Skoda” e mbushur me njerëz ka hyrë në Ambasadën Greke duke shpërthyer murin anësor.Pas këtij veprimi kanë hyrë edhe persona të tjerë në Ambasadën Greke, polake, çeke, gjermane etj., numri i të cilëve nuk është arritur të evidentohet. Në orët e pasdites është shtuar qarkullimi i njerëzve në rrugën e Durrësit dhe të Kavajës, si dhe në rrugën mbrapa ambasadave. Edhe diplomatët e huaj kanë shpeshtuar lëvizjet e tyre në këmbë dhe janë takuar me persona të ndryshëm. Një punonjës i Ambasadës Gjermane në mënyrë të hapur është takuar me persona të ndryshëm në disa vende.
Pas orës 19:00 janë shtuar në mënyrë të dukshme lëvizjet e njerëzve në territorin e ambasadave. Grumbullime të mëdha ka pasur sidomos në rrugën nga Ambasada Turke deri tek “21 Dhjetori”. Me hyrjen e makinës së dytë në Ambasadën Greke, u grumbulluan shumë persona pranë territorit të Ambasadës Greke dhe gjermane. Në këtë kohë organet e policisë kanë qëlluar me pistoletë për të mbrojtur rendin. Vërtetohet se dy punonjës të Ambasadës Gjermane i janë afrua policit Hysen Rama dhe njëri prej tyre ka qëlluar policin në dorë, duke i shkaktuar frakturë dhe duke i marrë pistoletën. Polici është qëlluar në befasi dhe nuk ka mundur të kundërveprojë.
Pasi është qëlluar nga policia, grupi i personave është larguar dhe janë mbledhur në rrugën e Kavajës. Mund të kenë qenë mbi 5000 veta në këtë zonë. Ata filluan të bërtisnin, të bëjnë thirrje armiqësore kundër pushtetit popullor, kanë goditur me gurë punonjësit e policisë dhe kuadro të ndryshme të Partisë dhe pushtetit, që kishin vajtur për të normalizuar gjendjen. Kjo situatë ka vazhduar deri në orën 23:00. Me ndërhyrjen e forcave të policisë gjendja u normalizua.
Organet e policisë ndaluan 76 persona. Me ta po vazhdohen hetimet për të sqaruar dhe vërtetuar përgjegjësinë e tyre për veprën penale të agjitacionit e propagandës për përmbysjen e pushtetit popullor të vendosur me Kushtetutë. Nga këta persona ka prej tyre që kanë marrë pjesë në veprimtarinë armiqësore si dhe nga ata që janë marrë mbasi janë kontrolluar autobusët e linjës Tiranë-Kombinat, për të cilët nuk është përcaktuar akoma pjesëmarrja e tyre në demonstratë. Në bashkëpunim me organet e punëve të brendshme po saktësojmë pjesëmarrjen e personave në veprimet demonstrative dhe goditjen e punonjësve të policisë.
Nga hetimi dhe verifikimi në spitalin civil, del se janë plagosur 6 persona për të cilët po punohet për t’i identifikuar. Një person tjetër, Altin Përparim Barka, vjeç 17, banues në rajonin e Kombinatit të Tekstileve, është plagosur me armë zjarri në pjesën e barkut. Dy punonjës të Ambasadës së RF të Gjermane thonë se ai është plagosur nga një polic në territorin e ambasadës dhe se e kanë sjellë në spital për t’i dhënë ndihmën mjekësore, duke organizuar dhe ruajtjen e tij në pavijon. Ai është operuar dhe ndodhet në reanimacion.
Ata e trajtojnë si emigrant politik dhe kërkojnë të mos takohet njeri më të. Personat e hyrë në ambasada janë kryesisht të moshave të reja dhe përgjithësisht me personalitet të keq, të dënuar për vjedhje, grabitje e vrasje etj. Edhe personat e grumbulluar pranë territorit të ambasadave janë të njohur në përgjithësi për sjellje rrugaçërie e të dënuar më parë. Po hetohet për të zbuluar organizatorët e kësaj veprimtarie armiqësore, personat që kanë marrë pjesë dhe dëmet që i janë shkaktuar pasurisë socialiste.
Për këtë qëllim është organizuar bashkëpunimi me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë, Prokurorinë e Përgjithshme dhe kryetarin e Gjykatës së Lartë.
Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme Qemal Lame/ GazetaTema
Komente

E kuptan dhe zogjd qe ishte plan I Ramiz Alise
PërgjigjuJo more jo cdo gje qe ndodhi ne 90 ishte nga dore e huaj jashte shqiperise por sigurisht dhe me bashkepuntor brenda vendit. Cfar ndodhi se beri pushteti atehershem jo, po e bene ata qe ketu e tridhjet vjet i vune zjarrin cdo gjeje te mire qe shqipetaret ndertuan per dyzet vjet. Tani mund te behen dhe 'mrekullira' po kurre kurre sdo ta kene ate vlere dhe ate madheshti.Prandaj .......
Përgjigju