Qendrat verore të ngritura për sezonin veror po përballen me një numër të lartë pacientësh. Në dy javë, u kryen mbi 4600 qytetarë dhe turistë, me alergji, viroza apo hipertension. Falë këtij shërbimi janë shpëtuar jetë në rrezik nga infarkti.
Brenda dy javëve, janë kryer mbi 4600 vizita mjekësore në 36 qendra shëndetësore verore të hapura në të gjithë Shqipërinë. Jeta Deda, drejtoreshë e OSHKSH, (Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor), thotë se qendra më e frekuentuar ndodhet në kishën e Shna Ndout, ndjekur nga ato në Shëngjin dhe Velipojë.
“Diagnoza më e shpeshtë është ajo e hipertensionit arterial, gastroenteritet, pickime alergjitë, virozat. 10% kanë dalë pozitiv me Covid. Ata që i janë drejtuar qendrës, 70 raste që i janë referuar spitaleve bashkiake-rajonale. 2500 vizita ambulatore. Afro 500 ndërhyrje mikrokirurgjikale”, shpjegon Deda.
Edhe shtetasit e huaj përfitojnë falas nga shërbimi në këto qendra.
“Si vendasit edhe të huajit mirëpriten falas. Vitin e shkuar e mbyllëm bilancin me 32 për qind pushues te huaj, që morën shërbim. Tani kemi një për qind prej afro 24 për qind vetëm ne dy jave”, thotë drejtoresha e OSHKSH
Një 70-vjecare në Shëngjin i shpëtoi vdekjes falë ndërhyrjes në kohë.
“Është afruar në qendrën shëndetësore. Është vlerësuar që ka pasur përfshirje posteriore dhe laterale që është një nga infarktet më të rrezikshme. Është çuar ne spitalet e Lezhës ku i është shpëtuar edhe jeta.”, shprehet Jeta Deda.
Qendrat verore mbulohen nga 227 mjekë dhe infermierë. Në rast largimi apo mungese të stafit, kanë një listë pritjeje për t’i zëvendësuar.
“Duke qene se vjet kanë qenë 300 aplikantë, këtë vit kemi 600 të tillë. Duke krijuar kështu një listë-pritjeje ku sa herë keni vakanca që mund të krijohen për shkak se një mjek apo infermier nuk dëshiron të japë shërbim në këto qendra verore. Ne jemi të mundur se brenda 3 orëve ta zëvendësojmë”, thotë për Report Tv drejtoresha e Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor.
Këto qendra do të vijojnë të jenë në funksion deri më 30 shtator, në shërbim 24 orë, 7 ditë të javës për pushues vendas dhe të huaj. Sezonin e kaluar, nga 1 qershori deri më 30 shtator, janë kryer mbi 80 mijë e 700 vizita mjekësore, nga të cilat 32% për shtetas të huaj.
Komente
