Ministrja e Kulturës Elva Margariti gjatë prezantimit të projektit të rikonstruksionit, restaurimit dhe rinovimit të sallës së Universitetit të Arteve, realizuar nga Universiteti i Firences, studioja Atelier 4 dhe TAP nënshkroi me këtë të fundit edhe marrëveshjen e bashkëfinancimit për zbatimin e tij.
“Kur flasim për restaurim dhe rrjetëzim të trashëgimisë kulturore, pjesa e parë është i gjithë restaurimi të objekteve, sipas identitetit të tyre të origjinës. Pas kësaj, kur shtojmë teknologjinë dhe pajisjet, është e pamundur që të qëndrojmë me teknologjinë e kohës që është projektuar. Do të kemi të gjitha teknologjitë e reja”, thotë ministrja Margariti.
“Jemi këtu për të firmos këtë marrëveshje bashkëfinancimi me MK, jo vetëm për restaurimin, por që ka të bëjë me rikonstruksion dhe rinovimin. Do jetë një projekt bashkëkohor, pasi është menduar që të ruhet e arkitektura e kësaj salle, karakteristikat e saj edhe të ketë një arkitekturë moderne, plus mbrojtjen nga zjarri etj”, thotë Malfor Nuri, përfaqësues i TAP.
Studimi i fizibilitetit dhe projekti i detajuar ka kushtuar 300 mijë uro. Ndërsa, zbatimi i projektit të rikonstruksionit qeverisë shqiptare në bashkëpunim me (Gazsjellësi Trans Adriatik) do të kushtojë rreth 3.7 milionë euro.
“Përveç studimit të fizibilitetit nga gushti i vitit 2020 që ka kushtuar 150 mijë euro, është kryer dhe faza projektuese e projektit e projektit. Po ashtu projekti i detajuar i zbatimit është financuar nga TAP. Është bërë nga Atelier 4 në bashkëpunim me Universitetin e Firences dhe financim 150 mijë euro të tjera. Kjo që po nënshkruajmë sot është vetëm për zbatimin. TAP sot financon 1.7 milionë euro. Procesi është ndjekur në bazë të standardeve të TAP dhe vazhdimi i projektimit me studion Atelier 4 ka qenë vazhdim i studimit të fizibilitetit”, shprehet Nuri.
“Në total zbatimi i projektit do të shkojë 3.7 mln euro. 1.7 mbulohen nga TAP edhe pjesa tjetër nga qeveria shqiptare. Do të nisë menjëherë në përfundim të shpalljes së garës, besoj para zgjedhjeve dhe periudha e implementimit të garës është 14 muaj”, shpjegon Margariti.
Rektori i Universitetit të Arteve, Kastriot Çaushit, dikton si merakun më të madh në këtë ndërhyrje të shumëpritur ruajtjen e akustikës, siç e ka aktualisht
“Unë kam që në vitin e largët ’73, që pres e pres dhe po vjen momenti që të ndryshojë gjithçka. Jo vetëm unë, por dhe ju, të jeni të sigurt që një spektator në fund e ka dëgjuar atë që them unë. Prandaj, gjithë vlerat e kësaj në arkitekturë dhe akustika, besoj se do të ruhen edhe në projektin e ardhshëm”, thotë rektori Çaushi.
Universiteti i Arteve është ndërtuar në vitin 1939 nga arkitekti italian Gherardio Bosio dhe është monument kulture i kategorisë së II. Me përjashtim të disa ndërhyrjeve para dy dekadash, kjo është ndërhyrja e parë restauruese që do t’i bëhet kësaj salle.