Me para në dorë në Shqipëri mund të blesh çdo gjë, nga produktet e konsumit e deri tek apartamentet apo automjetet, pavarësisht vlerës së tyre.
Për të frenuar këtë fenomen që shton informalitetin, Komisioni Evropian pak javë më parë i rekomandoi Shqipërisë të vendos një tavan për përdorimin e parave cash. Një masë e tillë do të fuqizonte sistemin e pagesave elektronike dhe do rriste përdorimin e kartave bankare.
Por sa gati është vendi për një hap të tillë?
Banka e Shqipërisë sqaron për Report TV se qarkullimi i lartë i parave cash, vjen për shkak se kemi edukim të ulët financiar, nivel të lartë informaliteti dhe zhvillim të ulët të sistemit të pagesave.
Pa u zgjidhur këto probleme Banka thotë se vendosja e tavanit do të sillte pasoja negative për ekonominë.
“Banka e Shqipërisë gjykon se përdorimi i parakohshëm i instrumenteve kufizuese të pagesave, aq më tepër në nivele të ulëta dhe pa adresuar arsyet fondamentale të problemit, mund të kishte pasoja të paparashikueshme dhe të padëshirueshme, të paktën në horizontin afatshkurtër dhe afatmesëm, në drejtim të uljes së eficiencës dhe të rritjes së informalitetit”, thotë Banka e Shqipërisë për Report TV.
Nga ana tjetër, Banka qendrore pranon se nëse nuk ulet përdorimi i cash-it, lufta nga pastrimit të parave do ishte e vështirë.
“Niveli relativisht i lartë i parasë jashtë bankave lehtëson informalitetin, pasi vështirëson kontrollin e flukseve financiare të bizneseve, si dhe vështirëson dhe luftën ndaj pastrimit të parave”, vijon më tej Banka në përgjigjen e saj.
Ky propozim, thotë eksperti fiskal Eduart Gjokutaj do nxiste uljen e informalitetit, gjë që deri më tani nuk ka ndodhur pavarësisht nismave të qeverisë.
“Unë do ta konsideroja një qasje pozitive pasi është në kuadër të nismës për parandalimin e pastrimit të parave, dhe uljen e informalitetit. Parandalimi i pastrimit të parave ka probleme në zbatimin e tij dhe nga ana tjetër, ulja e informalitet nuk konstatohet nga asnjë raport apo ekspert i huaj. E gjithë kjo nismë synon të ulë tendencën për tu pastruar para. Natyrshëm që mund të ndikojë që mos të krijojnë më atë shtrat për tu fshehur ata që konsiderohen evador ose pastrues parash. Por nuk mund ta minimizojë pasi duhen edhe nisma të tjera”, pohon Gjokutaj.
Paraja jashtë bankave ka arritur rekord historik këtë vit. Sipas të dhënave në fund të muajit korrik jashtë bankave qarkullonin mbi 3.8 miliardë euro, nga 3.6 miliardë euro që ishin në vitin e kaluar.
Aktualisht në ligjin për procedurat tatimore vetëm bizneset kamë të detyruara që pagesat mbi 150 mijë lekëve të bëhen në rrugë bankare, kurse për individët s’ka kufizime.
QARKULLIMI I PARASË JASHTË BANKAVE
Korrik 2023 3,872,976,130 euro
Korrik 2022 3,697,098,442 euro
Diferenca +175.877.688 euro
bankat duhet te rritin kolateralin sic ua kerkon banka e shqiperise nuk eshte tregues ne tym por edhe te shihet mundesia e fuzionit ndermjet aksionereve te disa bankave per te ofruar siguri dhe kushte me te mira kredituese ne treg
PërgjigjuPo cti lesh parate ne banke, ti vjedh shteti, ti bllokon rrogat peembarimi privat.,ti spunon punonjesi bankes, kur te duhen sti japin etj etj Dmth ska fare siguri
Përgjigju