39 vite nga vdekja e Musine Kokalarit, shkrimtares revolucionare të regjimit komunist që humbi jetën në internim

13 Gusht 2022, 12:05| Përditesimi: 13 Gusht 2022, 15:19

  • Share

‘Për shëndetin tim nuk i drejtohem kujt, aq më pak atij që kishte në dorë të më lehtësonte dënimin’, këto ishin fjalët e fundit që Musine Kokalari hodhi në letër para se të vdiste. E konsideruar si kundërshtare e regjimit komunist, studentja ekselente dhe një ndër figurat më intelektuale të kohës, humbi jetën tragjikisht në Rrëshen, më 13 gusht 1983.

Musineja nuk pati nj jetë të thjeshtë, por arriti të bënte atë që të rrallë patën guxim ta bënin, revoltën pavarësisht pasojave.

‘Unë nuk kam nevojë të jem komuniste të dua vendin tim. E dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin e tij. Ju mburreni se keni fituar luftën, dhe tani ju jeni fituesi që doni të shuani ata që ju i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar për idealet e mia!’- shkruante ajo.

Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adanë, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë. Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941.

Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, sëmuret nga sëmundja e kancerit, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta. Dhjetë vjet më vonë, pra në vitin 1993, Presidenti i Republikës i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë”.

Bashkëkohësit tregojnë se nuk iu dha mundësia as të kurohej në spitalin onkologjik. Ajo vdiq e vetme dhe u varros nga varrmihësit.

G.MO//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Pyka: 13/08/2022 15:33

    YLLI I VETEM SHQIPTARE...QE NUK DO TE SHUHET KURRE!!!!!!

    Përgjigju
  • Oli: 13/08/2022 12:41

    Historia prekse e saj eshte deshmi qe sistemi i korruptuar politik kap shtetin dhe asgjeson demokracine. Ashtu sic bene paraardhesit e qeverisesve te sotem dhe metastazat qe "rilindur".

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?