Për herë të parë për Nënë Terezën, sot Shenjta Terezë, shkrimtari edhe publicisti Visar Zhiti është njohur gjatë viteve që ka qenë në burg. Pyetjes, që për vite të tërë e ka shqetësuar brenda vetes, nëse vërtet ekziston Nënë Tereza, ai do t’i kthente përgjigje shumë vite më vonë, kur do të dëgjonte edhe prekte nga afër veprën e saj, ku çdo mbrëmje do të dëgjonte shprehjet e saj në mediet italiane. E kështu gradualisht, Zhiti nisi të përkthej veprën e saj, si mes tyre “Takimi nëpër lutje” në gjuhën shqipe, që sot i tingëllojnë ëmbël. Ndërsa, kësaj here në 3-vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës nga Papa Françesku ai rrëfen se përse duhet të ndihemi krenarë, për bijën tonë.
“Në burg dëgjova për herë të parë emrin Nënë Tereza. Isha në burg i dënuar me 10 vite për poezitë e mia. Ishte një pasdite kur ishim kthyer nga puna prej skllavi në minierë. Mes nesh kishte ardhur një i burgosur tjetër, Gjon Zeneli nga Vlora. Çfarë ka ndodhur ndonjë gjë jashtë e pyetën dy të burgosur të vjetër, që e njihnin që më parë dhe kishin besim tek ai. Ai u përgjigj: Dëgjova në televizor fshehurazi, përpara se të më arrestonin se çmimi Nobel për paqen iu dha një Murgeshe shqiptare. Vërtet ? Po e dëgjova vetë na tha. Madje e thoshte edhe në Italisht. Të burgosurit përreth u mahnitën, por nuk po guxonin ta besonin. Si ka mundësi, mos ndoshta do të donin të sfidonin regjimin kështu, duke shpikur këtë gjë. Ishte viti 1980. Brenda telave me gjemba dukej sikur nuk hynte koha veçse dhuna dhe ateizmi vrastar, antikoha”, rrëfen Zhiti i cili kujton më tej se: “Don Zef Simonin do ta takoja dhe në Vatikan në vitin e parë pas rënies së diktaturës. Ishte me veshjen e priftit katolik, ndërsa unë në postin e gazetarit të Opozitës. U pamë befas në tarracën e Bazilikës së Shën Pjetrit. U përqafuam si dy ish-të burgosur. Ai qeshi por nuk më thënë gjë. Ndoshta ju kujtua pyetja naive, por drithëruese në burgun e Spaçit “A është e vërtetë Nën Tereza”? Ndoshta nuk isha vetëm unë por e gjithë gjenerata ime cila po shkonte kështu drejt një zbulimi të një të vërtete hyjnore me emrin Nën Tereza. Gjithë andej unë po shikoja Nën Terezën, jo vetëm tek motrat me të bardha që endeshin rrugëve . Atë vit unë jetoja në Milano. Më dhanë një bursë studimi dhe rrija në Institutin Padre Monti. Televizioni Rai jepte çdo mbrëmje para lajmeve një lutje të Nën Terezës, nga libri i porsa botuar i saj në Italisht. Lutjet e saj ishin të thjeshta por të thella”.
Zhiti kujton se Nënë Tereza jo vetëm shkruante në gjuhën shqipe, por ajo vet e ka pranuar origjinën e saj në intervistat që ka dhënë
“Kush jeni ju? Ishte për të mbajtur frymën dhe të dëgjoje far do të thoshte botërisht Nën Tereza. Origjina ime është shqiptare. Shtetësia ime është Indiane. Unë jam katolike murgeshë e kushtuar. Për nga thirrja ime i takoj tërë botës, por nga zemra ime i takoj tërësisht Jezusit. Mrekullia Nën Terezë me dashurinë e saj po pushtonte botën, se cilës i përkiste. Të gjithë do të donin të kishin sa më shumë prej saj. Çdo popull do të donte ta kishte të veten. Atdheu i Nën Terezës janë plagët e njeriut dhe ajo vetë është universale. Është quajtur Ungjill i Gjallë. Pena e Zotit”, thotë Zhiti.