4 gra të drejtësisë para Vetingut, prapaskenat e shkarkimit të Andi Civicit, shtëpi me paratë e vjehrrit, dajës dhe babait

30 Maj 2020, 18:18| Përditesimi: 30 Maj 2020, 18:21

  • Share

Katër gra të drejtësisë shqiptare do të dalin para Vetingut gjatë dy javëve të para të muajit qershor. Pas ish-kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, edhe tre gjyqtare të tjera do të dalin para Komisionit të Vettingut, për t’u njohur me rezultatet e verifikimit për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Ato janë Bernina Kondi, gjyqtare në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë, Etleva Deda, gjyqtare në Gjykatën Speciale si dhe Edlira Petri, gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë. Fillimisht seanca për gjyqtaren Kodi u caktua në fillim të muajit mars. Por, gjyqtarja paraqiti një raport mjekësor. Për rrjedhojë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shtyu seancën për datën 18 mars. Por, KPK pezulloi veprimtarinë për shkak të pandemisë covid-19.

Ndërkaq, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ka zbardhur vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit në Gjykatën e Apelit Tiranë, Andi Civici. Ky i fundit ka deklaruar blerjen e një apartamenti në vitin 2012 në Tiranë, me sipërfaqe 147,80 m2, me vlerë 155.000 mijë euro. Si burim për blerjen e kësaj pasurie gjyqtari ka deklaruar 113.000 mijë euro të përfituara nga shitja e apartamentit në Vlorë dhe një hua 42 mijë euro nga vjehrri. Por, apartamentin që e shiti 113 mijë euro, gjyqtari ka deklaruar më parë se e ka blerë 6 milionë lekë. Edhe këto para thotë se i ka marrë hua, konkretisht 3.000.000 lekë nga vjehrri, 3.000.000 lekë dajës dhe 1 000 000 lekë babait. 1 000 000 lekë i ka shpenzuar për mobilimin e banesës.

Por trupi gjykues i përbërë nga Roland Ilia, Valbona Sanxhaktari dhe Xhensila Pine i kanë hedhur poshtë pretendimet e gjyqtarit si të paprovuara. “Trupi gjykues i Komisionit, në përfundim të hetimit administrativ për kriterin e pasurisë, arriti në konkluzionin se provat për kriterin e pasurisë kanë nivelin e provueshmërisë, pasi subjekti i rivlerësimit nuk arriti të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive dhe të të ardhurave për krijimin e tyre”, thuhet në vendim.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?