TIRANË- Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës i janë shtuar katër laboratorë të rinj dhe një Qendër Multifunksionale për Këshillin Studentor dhe klubet studentore. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ishte e pranishme ditën e sotme në ambientet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja për të parë nga afër laboratorët e rinj për Këshillin Studentor dhe klubet studentore.
Ky investim është realizuar me financimin e Ministrisë dhe vjen në kuadër të të programeve të ndërkombëtarizimit të universiteteve.
Ky investim do të vijë në ndihmë për realizimin e veprimtarisë akademike, didaktike, kërkimore, si dhe përvetësimin e kompetencave të reja në fushën e Inteligjencës Artificiale/
“Dhe më vjen mirë që Universiteti i Tiranës iu përgjigj menjëherë thirrjes sonë për të përfituar nga ky buxhet dhe sot pres me padurim që t’i vizitojmë këto mjedise për të cilat unë jam krenare që nuk do të jenë vetëm në dispozicion të pedagogëve për punë kërkimore shkencore dhe akademike, por edhe në dispozicion të studentëve. Pra përfshirja e këshillave studentorë apo klubeve studentore në këto projekte janë vërtetë për tu përgëzuar”, tha Kushi.
Kushi tha se shumë shpejt do të hapet thirrja për projekte të kërkim-zhvillimit por edhe projekte të infrastrukturë së universiteteve.
“Dua t’ju ftoj sërish që të përgatiteni me projekte kërkimore, sepse shumë shpejt ne do të hapim edhe thirrjen nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit për projekte të kërkim-zhvillimit por edhe projekte të infrastrukturës.
Këtë vit kemi rritur buxhetin për kërkimin shkencor. Kemi rritur madje edhe kufirin maksimal për të aplikuar për një projekt të ri. Edhe numri i përfituesve do të jetë më i lartë, por edhe buxheti për çdo projekt fitues do të jetë më i lartë”, tha Kushi.