‘4 medalje janë rezultat fantastik për Shqipërinë’, kampioni i Europës Qerimaj: Të huaj të kënaqur me organizimin

8 Qershor 2022, 16:16| Përditesimi: 8 Qershor 2022, 16:34

  • Share

Erkand Qerimaj, peshëngritësi që nderoi Shqipërinë në kampionatin europian të zhvilluar në Tiranë duke fituar medalje të artë në stilin e shkëputjes, thotë se medelja e ka lumtuar shumë. Kjo për faktin se më shumë e ka festuar djali i tij, ndërsa në intervistën për ‘Report TV’ saktëson se kjo ka dashur shumë punë.

“Djali po e priste medaljen. Unë garova në baderinë B dhe ai më tha ku është medalja sepse nuk e dinte që gara vazhdonte ende. Unë i thashë të presim. Ishte një rezultat historik pavarësisht se për mua nuk është hera e parë. Jam medalist në kampionat europian, në botërorin e të rinjve.

Kush i ka ndjek garat e di që unë nga kampionati Botëror dhe Olimpiada kam rënë 10 kilogramë dhe kam garuar deri në kategorinë deri në 73 kg. Sakaq në Botëror isha 3 kilogramë larg vendit të parë. Më pas një muaj pata një dëmtim, por sërish synoja për medalje. E kam thënë edhe në intervista. Që në momentin që ndryshova peshën e kam kuptuar se kam arritur rezultat më të mira. Në Botëror, më pas në kampionatin kombëtar dhe tani në europian kam patur rezultatet më të mira,"-u shpreh Qerimaj.

Erkandi, ndryshe nga presidenti i federatës së peshëngritjes Elez Gjoza, thotë se fitimi i 4 medaljeve në kampionatin europian është arritje për Shqipërinë.

“Katër medalje për Shqipërinë është arritje shumë e madhe për një vend të vogël. Ndryshe nga Gjermania, Spanja, Franca. Disa gjëra kanë ndryshuar edhe në Shqipëri, por prap ka shumë punë përsa i përket investimeve. Kaq vend i vogël që jemi ne është një rezultat shumë i madh, fantastike për Shqipërinë,"-tha Qerimaj.

Shqipëria mirëpriti kampionatin europian nga data 28 maj deri më 5 qershor dhe sipas Qerimajt organizimi ka lënë përshtypje pozitive tek sportistët e huaj.

“Unë them që e kemi kaluar me sukses, të paktën nga diskutimet me kolegët nga Europa. Kanë mbetur shumë të kënaqur nga hotelet, kushtet e stërvitjes, ushqimi. Kemi bërë një organizim shumë të mirë,”-deklaroi Qerimaj.

Ndryshimi në ligj nga qeveria për të shpërblyer sportistët për çdo medalje sipas Qerimajt ishte jetik.

“Unë mendoj se është diçka shumë e mirë. Më përpara ka patur një interpretim të gabuar sepse federata botërore i njeh të gjitha stilet shkëputje, shtytje dhe dy garësh. Për të gjithë sportistët është shumë pozitive sepse vetëm 4 ditët e fundit kam rënë gati 5 kilogramë. Është një sakrificë shumë e madhe për të arritur këto rezultate,”-tha Qerimaj.

Qerimaj prej 20 vitesh sjell medalje për Shqipërinë, por thotë se nuk është lodhur dhe objektivi është që të vijojë me këtë ritëm.

“Ka momente që është e lodhshme stërvitja dhe ka shumë ngarkesë, por kur merr medalje të urojnë të gjithë, të respektojnë. Personalitetet, njerëz të thjeshtë janë gjithashtu frymëzim. Për të arritur këtu duhet vite punë dhe mendoj si për vetë, si Shqipërinë, të vazhdoj me këto rezultate. Është objektiv në Olimpiadë fitorja sepse nuk kemi medalje. Fillimisht kemi kampionatin botëror, por kemi shumë punë para. Nuk është momenti për të mneduar për objektivat, por për të pushuar dhe marrë forca për garat e tjera,”-deklaroi Qerimaj.

Në fund Qerimaj pretendon se Shqipëria ka një të ardhme të shëndetshme që mund të vijojë ti sjellë Shqipërisë medalje.

“Ka sportista, ka talenta në Shqipëri. Mendoj se duhet të afrohen më shumë me këto ndryshime që janë bërë. Shqipëria do ketë në vazhdimësi që do ti sjellin medalje në peshëngritje Shqipërisë,”-u shpreh Qerimaj.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?